Thonë që çdo qytet ka një aromë. Disa janë të lehta e disa që të dehin. Kushdo që ka shkuar në Dibër e kupton mirë se për çfarë po flasim. Aroma ndjellëse e luleve të blirit dhe ajo kundruese e mollëve janë shenja që je në Peshkopi. Por po të pyesësh Veip Salkurtin, një dibran 24 karatsh, ai me siguri ka dhe një aromë të tretë: atë të suksesit që vjen nga prodhimi i lëngut Kop Frut nga mollët e Peshkopisë.
Por sigurisht që historia nuk nis këtu. Para se të prodhonte vetë lëngun e mollës, në fabrikën e vetme në Shqipëri që prodhon lëng frutash 100% organik, Salkurti së bashku me shumë fermerë të zonës shihnin se si u kalbeshin mollët pa mundur të shtrydhnin prej tyre asnjë fitim. “Kjo ishte pjesa që të dhimbte më shumë”, kujton Salkurti për AgroWeb. “Në atë kohë ishte e pamundur që të prodhoje lëng molle. Alternative ishte që t’i shisje mollët, t’i shihje të kalbeshin ose të prodhoje lëng në mënyrë artizanale. Dhe kështu nisa dhe unë të eksperimentoj duke bërë lëng molle në shtëpi dhe duke ëndërruar që një ditë unë do të kisha një fabrikë që do të prodhonte 100 lëng organik molle”
Por Salkurti jo vetëm e ëndërroi, por e skicoi pikë pas pike, duke blerë edhe një magazinë të madhe me qëllim që një ditë aty të strehonte mollët. “E dija që një ditë mollët e Peshkopisë do të vinin këtu”, të thotë gjithë krenari ndërsa tregon magazinën e madhe prej 2000 metra katrorë me një kapacitet prej 500 ton mollë, pjesa më e madhe e të cilave janë të mbjella në fermën e tij. Në 10 hektarët e tij, ai ka mbjellë varietete të ndryshme, që nga Starkinga tradicionale e Dibrës tek Goldsmith dhe disa varietete franceze. Pemët e mollës duan kohë që të maturohen, por Salkurti as në fillimet e tij nuk e ka pasur me ngut.
U deshën disa vite, para se mollët tij të nisnin të jepnin frytet e para. Ndërkohë ai vazhdonte të eksploronte dhe interesa të tjera. “Në fillim të viteve ’90 kam sjellë lopët e para të rracës franceze në Shqipëri në Kala të Dodës. Ishte një ekperiencë shumë e mirë dhe kontaktet e vazhdueshme me Francën më bënë që të shikoj me prioritet pemëtarinë dhe të sjell në Dibër dhe Shqipëri biznesin e prodhimit të lëngut natyral të frutave”. Por koha fluturon dhe vitet e fundit kanë qenë më të mirat për të, duke qenë se shumë fermerë të zonës kanë nisur të sjellin mollët e tyre në fabrikën e Kop Frut. “Ne presim që edhe fermerë të tjerë edhe nga zona e Korçës të vijnë dhe të sjellin mollët e tyre këtu duke qenë se ne prodhojmë lëngje të varieteteve të ndryshme të mollëve. Në vetëm një orë, ne mund të përpunojmë 1 ton fruta”, thotë Namik Shehi, administratori i Kop Frut.
Por Salkurti dhe bashkëpunëtorët e tij nuk i vendosën të gjithë vezët në një trastë. Përpos investimit, ata arritën të marrin financim nga skema IPARD-Like e Bashkimit Evropian dhe nga projekti i USAID/AgroCapital për të financuar fabrikën e tij të prodhimit të lëngjeve. “Ne nuk humbasim më asnjë mollë tani. Por prodhojmë 100% lëng organik frutash”, thotë Salkurti gjithë krenari.
Përmes katër dhomave frigoriferike, kompania Kop Frut mban mollët e freskëta, gati për t’u shtrydhur në një lëng natyral, që i ka munguar prej kohësh tregut vendas. “Lëngjet e Kop Frut nuk kanë as sheqer dhe as përbërës të tjerë. Ato janë 100% natyrale dhe ne i qëndrojmë besnikë cilësisë tonë”.
Për t’i mbajtur çmimet në nivele të konkurueshme, Kop Frut ka bërë një kombinim të disa varieteteve të mollëve, nga ato të ëmbla të Starkinges, tek më të athtat, me premisën për t’i eksportuar më pas në tregun evropian. Cilësia e lartë dhe fakti që është një lëng 100% organik i prodhuesve sigurinë se tregu evropian do ta presë shumë mirë lëngun e mollës me stampën Made in Albania.
/AgroWeb.org/