Alegoria Dibrane është një nismë dhe projekt i portalit Dibra ON për të risjellë tek lexuesi vlerat e Alegorisë Dibrane. Ky projekt synon të ndihmojë dashamirësit e kulturës dhe alegorisë dibrane ti japin vlerë fjalës dhe mençurisë së dibranëve brez pas brezi
Një burrë i mençur po e shikonte se po plakej dhe nuk kishte kush me e zëvëndësue në kuvend.
-Dëgjo, or bir, tashti është rradha jote të më përfaqësosh në mexhelis.
-Si të të përfaqësoj unë ty, or babë, që je një burrë me emër dhe me za. Unë nuk di me ba muhabet si ti. -Ke të drejtë, se deri tashti nuk të kam marrë pas vetes që të mësosh, por prapë në kohë jemi. Kur të shkosh në oda të marrësh me vete një metër, një kandar dhe një kunj.
-Si ti marr e ku ti mbaj, pyeti djali me naivitetin e tij.
-Në kohët e tanishme ka metra, kandarë e kunja të vegjël që mbahen edhe në xhep, por unë nuk të thashë t’i mbash me vete në xhep, por në tru.
Kur të hysh në odën e burrave t’a matësh mirë vendin se ku të ulesh se përndryshe e merr dhomën me prapanicë nga fillimi e deri në fund.
Kur të flasësh peshoji mirë fjalët, mos fol sa në arë në livadh, por përshtatju muhabetit të konakut.
Mos ngacmo njeri me llaf, provoje kunjin tek vetja, po të dhëmbi ty, i dhemb edhe të tjerëve, prandaj mos thumbo njeri e mos u ba zevzek në konjak.
Me metrin, kandarin dhe kunjin në mendje. djali u ba burrë i mençur si i jati dhe ndoshta pak më shumë.
Materiali është marrë nga
Rrëfime popullore Dibrane” te autorit Sakip Cami.