Mallkue qoftë emni cucë n’këtë vend

0 0
Read Time:5 Minute, 1 Second

Nga: Angjelina Sula

Kam mësuar që përveç të tjerash, të them atë që mendoj. Të bëj atë që ndjej. Të ngre zërin për atë që më shqetëson. Të ngre kryet për atë që s’mundet. Do kisha dëshirë që të kishte një mënyrë që çdokush të më “dëgjonte”, por megjithatë, nëse akoma çdo vajze i etiketohet “liri e tepruar” të paturit e një adrese sociale Instagram-i apo Facebook-u, kërkoj sinqerisht ndjesë duke e mbyllur këtu diskutimin, për të folur vetëm pas dhjetë vitesh kur kjo kalbësi mendimi të jetë zhdukur plotësisisht. Kalendari shënon 14 gusht 2018 dhe ja ku jemi. Jetojmë në një familje ku babai vetërespektohet si despot dhe nëna me fëmijët si të nënshtruarit e tekave “burrarake” të tij. Të kemi parasysh që psikologjia thotë se gjithë qenia e njeriut të rritur është veçse brumë i shtypur në 1001 forma qëkur ka qenë fëmijë. Rrjedhimisht, edukata familjare trashëgohet. Jetojmë në një familje ku djali mbahet si princ e vajza një shërbyese në sarajet e tij, pa kurrfarë të drejte. Aq sa rëndom dëgjohet kur lind një vajzë:”Mallkue qoftë emni cucë n’këtë vend!” Ku nëna duhet të paguajë me jetë, për çdo “marre” të vajzës së vet. Ku gruaja s’ka të drejtë të dalë jashtë se e shohin burrat. Ku thuhet se:”burgu e rakia për burra janë”. Ku burri ofendon krejt normalisht gruan e vet në sy të fëmijëve, e nëse ajo ngre krye, i përplaset në fytyrë në rastin më të zakonshëm një shuplakë e nxehtë. Ose në rastin më të mirë e zakonshmja shprehje “Pusho, se të dhashë 5-lekëshen, e marr nesër tjetrën.” Statistikat tregojnë se një përqindje e konsiderueshme femrash jetojnë në një familje ku dhuna është rrënjësisht e ngulur, e respektohet si një ritual i përditshëm i shtëpisë. Ku ka akoma burra që thonë:”Të rrah se kështu bëjnë të gjithë” Ku gruaja s’meriton të bëhet e bukur, sepse quhet bishtpërdredhur, ndonëse e shoqëruar nga vetë ai. Mos vallë këta burrecë me mustaqe kanë frikë nga vetja, e s’kontrollojnë dot një grua? Ja ç’ndodh! Fëmijët janë amatorë të çdo skene thrilleri, aksioni, aventure e drame zhvilluar çdo ditë brenda mureve të shtëpisë së tyre. E ç’të ardhme presim nga ata, veçse ata vetë protagonistë të këtyre “filmave”? Të filmave tragji-komikë do i quaja unë. Ku nëse babai prish muhabet në raki e sipër me komshiun, fëmijët ndalohen kategorikisht të shkojnë atje, se përndryshe ” të shkojnë të hanë bukë te ata”. Nëse padashje, prapë në raki e sipër pajtohen, fëmijët si me telekomandë komandohen të shkojnë nga mëngjesi deri në darkë te njëri-tjetri( derisa të pinë rakinë tjetër). Kur akujt shkrihen, rrezik edhe përmbytesh nga uji. Ku fëmijët janë të gruas, ndërsa kur rriten e sjellin pare n’shpi ,ata janë padiskutim “trimat e babës vet”. Ku fëmijës s’i lejohet absolutisht të shprehë se i pëlqen ai burri ose gruaja që babai e nëna e kanë inat. Nuk është budalla ai, që të mendojë ndryshe nga ata e të ketë gjykimin e tij pa u ndikuar. Të mos flasim për vajzat. Aty dua t’i mëshoj fuqishëm, e më vjen keq që ndonjëherë e humbas qetësinë. Jam vetë vajzë dhe vetë kam lindur e jam rritur mes një mjedisi të tillë, ndaj e di mjaft mirë si funksionon jeta për to. Nëse do sugjeroja një zgjidhje, e para do ishte kjo që po bëj tani. TË NGREMË ZËRIN FUQISHËM NË EMËR TË KËTYRE VAJZAVE “PA ZË”. Por padyshim zgjidhja më e mirë është shkollimi. Siç ka thënë edhe Khaled Hossein te “Njëmijë diej vezullues”, “Nuk do mund të ngremë kurrë krye si shoqëri, për aq kohë sa gjendet qoftë edhe një vajzë e pashkolluar”. Ky realitet shqiptar, i një epoke që supozohet se është moderne, sipas mendimit tim, nuk ka ndonjë ndryshim të madh me atë në Afganistan. Ç’shoqëri jemi ne? Ku vajzat që shkojnë në shkollë, etiketohen si të përdala. Ku djali që kërkon nuse është përherë yll i rënë nga qielli, e nëse një vajzë e refuzon për një jetë më të mirë, thuhet se ajo ishte e pandershme. Ku vajza që s’ngrihet në 5 të mëngjesit të pastrojë oborrin, shenjohet me gisht nga gjithë katundi. Si duket, të gjithë bëhen merak kur oborri i komshiut ka ngelë pa fshirë, edhe në orën 5 të mëngjesit pale. Kjo ndodh në fshat. Por të kthesh sytë nga qyteti, që iu thaftë goja atij që e quan akoma “qytet” një vend ku vajzat mbahen të burgosura brenda pallatit, që u kontrollohet edhe fjalëkalimi i Facebook-ut (nëse kanë), nuk lejohen të shkojnë në gjimnaz me pretekstin se janë rritur e bërë si “pela”. Nëse u bie rasti të dalin njëherë në vit diku, do jetë patjetër ndonjë dasëm kushëriri, ku gjithsesi u duhet të mbajnë qëndrim prej të burgosure për shkak se sytë e plakave rrotull që i sajojnë ndonjë vend për nipin a djalin e filanit, janë më vigjilentë sesa vetë kamerat. Ku i dihet, ndoshta i del fati. Se duhet thënë që shumicës së vajzave, u çelet fati nëpër dasma. Dihet, ajo që ka luajtur më mirë rolin e vajzës së urtë, të edukuar e të turpshme. Normalisht dhe kush ka ditur ta mbajë më shumë kokën ulur se të tjerat kur ka kërcyer. Se ku dreqin shkojmë me këto budallallëqe që po na trashin dita-ditës, nuk ka shans ta marrim vesh. Ndonjëherë druaj mos është kthyer mbrapsht rrota e kohës, por jo, shumë njerëzve u ka ngecur rrota e kohës diku. Aty është ndryshkur prej dekadash. Ka akoma familje që i pengojë vajzat të shohin TV, e sidomos telenovelat, sepse sipas tyre “hapen sysh” e “dalin duersh”. Në fakt kur e mendoj, mirë e kanë. Aq të izoluara sa ndihen në atë shishen me gaz e Coca-cola, keq do shpërthejnë një ditë, nga trysnia e pamëshirshme e fatit. I vetmi “realitet” ku përpiqen të jetojnë sadopak janë telenovelat. E mjerueshme. Kurrë ndonjëherë s’ka patur kaq shumë peshë kjo fjalë sesa tani. E mjerueshme…

 Angjelina Sula[5 gusht 2018, Dibër]

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %