Ah, o Zot, sikur të isha aq i pasur, sa të ngrija një Universitet të Ri!
Ku të mos kishte rektorë, dekanë e shefa që vihen dhe hiqen nga zgjedhjet demokratike të kurdisura nga Lart, ose të sponsorizuara nga Poshtë;
Ku të mos vareshim nga Ministria dhe ministra të mefshtë, nga burokratë idiotë e përtacë, që nuk nxjerrin qimen prej qullit, me mendime e veprime të zëna kaps;
Ku të mos kishte një zhgan të pacipë sekretaresh që nuk flasin, por lehin, që nuk shërbejnë, por pinë kafe e lënë takime me sekserët skutave;
Ku të mos kishte pedagogë, që e kanë ngritur karrierën deri tek thinjat, duke sharë, anatemuar fenë, mendimin, shkencën e virtytin e pastër me citatet e Marksit, Leninit, Stalinit dhe Enverit, duke ia bërë naftën Dijes, Profesionit dhe Etikës;
Ku të mos shitej nota me para nën dorë apo me “taksë në natyrë” dhe Dija të jepej e të merrej nisur nga shenjtëria e bashkëpjesëtimit me dashuri, e jo të përçohej me ‘kabëll’ e instalime të mbrapshta;
Ku figura e mësimdhënësit dhe e studentit të lidhej sipas raportit të lashtë Mjeshtër-Dishepull, e jo Sharlatan-Batakçi;
Ku dhuntia e Dhënies të kalonte nga Koka përmes Zemrës dhe jo nga surretërit e ngrysur përmes shfryrjes dhe bezdisë;
Ku studenti të zgjidhte fakultetin nga kurioziteti, etja dhe dëshira për të ditur, e jo sipas planifikimit banal familjar.
Sikur, o Zot, të isha aq i pasur sa të ngrija një Universitet të tillë, që të mund të fshinte përgjithmonë kujtesën e keqe të të gjitha Universiteteve!
Ku të kishte auditore të bollshme, me dritë e ngrohje, qetësi e blerim, e jo bimsa të errëta, akullsi polare apo duhmë të nxehtë ferri;
Ku të respektohej mendimi, puna kreative dhe origjinaliteti i çdo studenti dhe të mos i cënohej askujt shenjtëria e shenjtërive – privatësia;
Ku të funksiononin bollshëm e lirisht të tria shtyllat që e mbajnë në këmbë një Tempull të dijes: Programi më i përparuar i qytetërimit bashkëkohor, Garantuesit e këtij programi (pedagogët) dhe Bibliotekat klasike dhe Online;
Ku studenti të niste një dialog të pandërprerë me pedagogun dhe burimet e literaturës, derisa të dilte nga auditoret përfundimisht Dikushi, me grada shkencore dhe instrumentat e dijes, i projektuar për një ardhmëri, që do të shkurtonte injorancën tonë të gërbulur;
Ku nga Dija studentit t’i hapej “Syri i Tretë” dhe ta peshonte me mendje e zemër mrekullinë e pafund të ekzistencës dhe ta njihte forcën dhe misionin e tij në këtë botë;
Ku truri të ndriçohej jo me profka të mykura, por nga zbulimi i të Vërtetave dhe Thelbeve të fshehura, me qëllim që Dashuria e Brishtësia t’i afrohen të Mirës, që don të jetë dhe të Keqes, që rrudhet nga turpi;
Sikur o Zot, të më jepje aq para, sa të ngre një Universitet Ideal!
Ku pedagogët të zinin vendin e tyre me meritë, sipas punës e dijes së gjallë, e jo me katapulta nga Poshtë e nga Lart, me diploma e tituj të vërtetë e jo të blerë në tregun e Gabit apo në tregun e Refugjatëve;
Ku lodhja të shpërblehej bujarisht dhe jo sipas tekave të kokëqypave të Ministrisë;
Ku të kishin të drejtë të vazhdonin udhën e dijes e lartësimit, sipas dëshirës dhe aftësisë, pa përjashtim të gjithë dhe jo të bëhej monopol kjo e drejtë në duar banale të ca meskinëve dhe filistinëve;
Ku forma të përputhej me përmbajtjen jo vetëm brenda mureve të universitetit, por edhe jashtë, në jetën e madhe;
Ku në provime të shpërblehej me meritën që i takon gjithëcilit, sipas mundit, pa telefonata, ndërhyrje, shantazhe e kërcënime e zënie pusi;
Ku në fund të ciklit, dija të marrë udhën e saj nëpër Atdhe për të ndriçuar të tjerët, e jo të marrë udhë injoranca dhe errësira për të pllakosur terri në çdo cep të vendit tonë;
Ku mendja e syri të kridhen vertikalisht në libër, shkallë-shkallë, e jo të bredhin horizontalisht në sipërfaqen e sheshtë të ekranit ngjyra-ngjyra, duke përtypur pasivisht shijen bajate që dikton cektësia;
Ku brezat tanë të edukohen me faktet, arsyetimet, imagjinatën, dyshimin dhe kundërshtimin e bazuar, jo të marrin pil në thashetheme të fryra rreth filxhanit të kafesë apo bisedave dhe sms-ve me celular;
Ku të rritet vlerësimi objektiv për veta, persona dhe rrethana dhe jo t’i sigurojnë vetes të vetmin botëkuptim gratis: paragjykimin;
Ku njohja të përftohet nga përballja individuale me përvojën objektive dhe subjektive dhe jo nga kurthet e parapërgatitura të imazhit publik, nëpërmjet mediave dhe propagandës demagogjike dhe askush të mos mbetet i gozhduar në kornizën e imazhit që diktojnë mediumet.
Të lutem o Zot, më jep aq para sa të ngre një Universitet Ideal!
Që të harrohen Universitetet private të ngritura me para të pista dhe reklama bujëmëdha;
Që të harrohen e të fshihen nga kujtesa Universitetet private të ngritura me kredi, nën protektoratin dhe varësinë e ministrave, politikanëve, kryetarëve të Bashkive, shoqatave të dyshimta, filialeve ndërkombëtare etj;
Që të harrohet dhe fshihet përgjithnjë dija e shpërndarë pa përgjegjësi e matrapazëve me dosje të falsifikuara dokumentash;
Që të shuhet e shfaroset fara e dijes majmunore që shpërndajnë çunakët dhe çupat me diploma e grada të mbledhura pupthi nëpër Universitetet e shteteve, të cilëve nuk ua dinë as gjuhën;
Që të fshihet njëherë e mirë njolla e turpshme e liçencës së Universiteteve private, e lëshuar nga ministrat në shkëmbim të një valixheje me euro;
Që të marrë fund në këto Universitete era e turpshme e shitjes së diplomave dhe titujve, njëlloj si në Pazarin e Gjizës;
Që të harrohet pa kthim ajo përmbytje e madhe nëpër të gjitha Universitetet me literaturë të turpshme, kriminale dhe gjenocide e komunizmit, së bashku me Demagogët e djeshëm me thinja, më të dëmshëm se kriminelët e luftës;
Që Dija, Kultura dhe Arsimi të ndriçojnë dhe jo të verbojnë, të fisnikërojnë dhe jo të perversionojnë fëmijët tanë të pafajshëm e të pamëkatë, o Zot i Madh që krijove Gjithësinë e paanë, më bëj aq të pasur e të mençur, sa të ngre një Universitet për çrrënjosjen e të gjitha Universiteteve, ose përndryshe, merre mbrapsht dhuntinë dhe pasionin që më dhe! Amin!
Nga Agron Tufa