Letër vëllait për datëlindje

0 0
Read Time:4 Minute, 23 Second

Jam i ulur në zyrë, në këtë hapsirë që të çon në mendje së pari vetëm luksin, me gjithatë po të testosh vërtetësitë nuk të cojnë kund, edhe kjo si shumë të tjera ka lukset dhe vështirësitë veta. Sigurisht unë nuk jam në një furrë që piqem dhe kulloj djersë, as nuk rri në këmbë 13-14 orë. Jam pra në këtë hapsirë, që më krijon së pari luksin për të shkruar, anipse sipas meje shkrimi është nevojë, kështu që le të themi se i kam të dy këto komponentë dhe po i përdor ashtu siç dua.

Krrakëllijnë gishtat e mi mbi tastierë, ndërkohë që në një skaj të Dublinit, krrakëllijnë gishtat e tu në lopata furrash tek fusin e nxjerrin pica. Sa për picat, prej kur ti u bëre picier, kam filluar t’i dua dhe t’i konsmuoj, si me thënë më nxjerrin njëfar malli.

Fillimisht mendova të të shkruaj një letër për ditëlindje, por se di pse përfundova në këtë far prologu. Megjithatë këto janë anët mistike të proçesit të shkrimit, dhe unë i pranoj për aq kohë sa nuk na prishin kurrfar pune. Prandaj në mungesë herë të kohës, herë të vëmendjes, herë të qetësisë, dhe komplet panatyrshmërisë që më del në procese komunikimi të drejtëpërdrejta, pra për të shmangur ato që ne zanatçinjtë e komunikimit i quajmë “Zhurma”, zgjodha bash këtë mënyrë të vjetër dhe të ëmbël komunikimi: letrën- për të të uruar vite dhe jetë të mbushur me ngjarje.

Të tjerët të kanë uruar një javë para, sepse si kudo, rrjeti social i futi hundët edhe tek ditalindjet dhe jua shtoi mediokritetin të gjitha gjërave.

E di fare mirë, ndoshta sepse jam ndër të rrallët që e kam menduar së këto pesë vite larg nesh për ty kanë qenë pa ngjarje. E them këtë për dy arsye:
1- Sepse në këto pesë vjet, jeta ime ka qenë plot ngjarje, veç mendo pak se isha në fshat, dhe sot jam në një zyrë. Këtu sigurisht ka plot ngjarje ku në to ke qenë jo rrallë herë ti, shkaku dhe nxitja, dhe,
2- Shumë njerëz kanë lindur, si shumë kanë vdekur, dhe për ty kanë kaluar si lajme, asi që ndodhin rëndom kudo.

Kur shoh jetën time me ngjarje dhe tënden pa ngjarje, ndjehem me të drejtë ose jo, shumë në faj. Prandaj të uroj pafund një jetë me ngjarje, sepse kështu jeta merr kuptim, me lotë, gëzim, zhgënjim, e me tërësej çka ndjen njeriu.

Tash hedh rrotull sytë dhe shoh çka më rrethon, dhe më duket shpesh sikur të kam marrë vendin, sepse duhej të kujdesesha unë për ty e jo ti për mua. I madhi duhet të kujdeset për të voglin dhe jo anasjelltas, por edhe këtu e gjej ngushëllimin: kështu qe shkruar. Ti e doje shkollën madje shumë më fort se unë, por më shumë se shkollën deshte familjen, prandaj more peshën mbi shpatulla dhe shkove gjetkë: pikërisht për të përmirësuar gjërat. Sigurisht që ia dole dhe për këtë duhet të jesh krenar deri sa të kesh jetën.

Tashti që të jem i sinqertë, ideja për të shkruar një letër më erdh kur lexova, “Letër vëllait”, nga poeti polak Çezllav Millosh, edhe ata kishin një histori ndarjeje, por jo dashurinë. Atë e kishin hekur. Dhe direkt, mora vetë pozicionin e Çezllavit.


Zyrën e lash që ndrekë, dhe jam mu në mes të fshatit ku ne lindëm dhe kaluam bashkë 18 vjet. Nuk mu ndave asnjë ditë nëpër këto rrugica me gurë që ka gjasa të më rrëshqasin këmbët e ta lënë kë shkrim në mes. Rrekem të shoh nëpër rrugë ndonjë nga shokët e tu, por më kot, të gjithë kanë ikur, dhe këtë fshat e mbështjell zymtësia. Kështuqë hajt të ngushëllohemi të dy për mos prezencën tënde. T’i s’do kishe asnjë shok këtu, edhe po të vije nuk do e shtyje dot javën. Nuk është më si përpara, gjithçka po vjen e zbrazet, dhe pas disa kohësh nuk do ketë më asgjë, sepse ja, si unë dhe ti, askush nuk kthehet më. Madje edhe disa plepa pas shtëpisë tonë nuk qenkat, as ca pemë lajthie. Nuk janë as gjyshërit, as njerzillëku: kanë mbetur tashmë vetëm melankolia dhe kujtimet të cilat i ndjellim ne që vijmë.

E di që do thash se po ia fus kot, madje do thuash që t’i fjalën e ke zanat dhe di ta sistemosh, por përtej çdo poetike a estetike, kjo është e vërteta. Këtu gjërat vetëm ikin, siç po ikën kjo gjethja e zverdhur e manit mbi kanalin që kalon pas shtëpisë tonë.

Ynë atë ka rritur një këlysh. Kur isha herën e kaluar sapo kishte çelë sytë, i butë, i ëmbël, ndërsa kësaj herë qenka rritur, dhe më çirret e mi nxjerr çatajtë herë më sheh. E mua më bëhet sikur më thot:
-Ik tutje o i huaj!
Pasha Zotin, ma jep në tru ti fus një shqelm e ti them, ik se i huaj je ti. Pastaj ndalem dhe i them vetes:
-Mos vallë u bëmë të huaj për vendin ku lindëm?!

Jo. Nuk jemi, as nuk duhet të jemi, deri atëherë që toka dhe qielli të bëhen një.
Prandaj uroj që datëlindjet tjera t’i festojmē mu këtu, në këtë hije qershie ku u rritëm, duke u kacavjerrë e çjerrë nëpër dega.

Alban Tufa

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %