Nga Abdurahim Ashiku
Letër e hapur
KUVENDIT TË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË
Znj. Lindita Nikolla, kryetare
PRESIDENCËS SË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË
Z. Ilir Meta, President
KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË
Z. Edi Rama, Kryeministër
AKADEMISË SË SHKENCAVE TË REPUBLIKËS TË SHQIPËRISË
Z. Skënder Gjinushi, kryetar
Më 28 tetor 2021 mbushen plot 100 vjet nga Beteja e Lanës së Lurës, betejë që shënoi një ngjarje të madhe për Dibranët dhe mbarë Shqipërinë, betejë që hodhi përfundimisht pushtuesit serbo-jugosllavë në Drin duke prerë rrugën e tyre drejt ndarjes “për kullani” të Shqipërisë…
Më 9 nëntor 2021 mbushen plot 100 vjet nga vendimi që mori Këshilli i Lidhjes së Kombeve më 9 Nëntor 1921, për largimin e menjëhershëm të ushtrive agresore jugosllave nga Shqipëria, ditë që shënon vendosjen përfundimtare të kufijve të sotëm…
Janë dy data, dy ditë, pranë e pranë njëra tjetrës, që i bëjnë nder jo thjesht Dibrës ku u derdh gjak me kova por mbarë kombit shqiptar kudo që ndodhet.
Si gazetar, si historidashës dibran, e kam ngritë ngjarjen e betejës së madhe të 26, 27, 28 tetorit 2021 ndër të tjera në një shkrim të 21 nëntorit 1992 me titull “Kujt i intereson shuarja e fitores së Lanë – Lurës”, kohë kur i vetmi simbol i kësaj beteje, një lapidar modest i kohës së shkuar, u thye, u shkul nga themelet, u përçudnua.
E kam ngritur edhe në thirrjen publike: “Një 100 vjetor që duhet përkujtuar e festuar në masën e luftës së Vlorës” më 23 shtator 2020.
E kam ngritur edhe në një letër këmbim me kryetarin e bashkisë së Dibrës Dionis Ymeraj një vit më parë (23 shtator 2020) ku i propozoja që në mbledhjen më të afërme të këshillit bashkiak të miratonte një platformë për festimin të 100 vjetorit të fitores dibrane në Lanë të Lurës.
Vazhdoj të këmbëngul duke sjellë argumente që 28 Tetori 1921 i Betejës së Lanë-Lurës dhe 9 Nëntori 1921 i Vendimit të Këshillit të Lidhjes së Kombeve të jenë pjesë integrale e kujtesës zyrtare shqiptare, shtetërore dhe akademike, duke e radhitur Betejën e Lanës së Lurës në të njëjtat përmasa me Betejën e Vlorës e komandantët dhe luftëtarët e thjeshtë në betejë si udhëheqës të mëdhenj popullor e dëshmorë të atdheut.
Është në nderin tuaj që ti jepni Dibrës dhe Shqipërisë atë që meriton, një ditë të madhe përkujtimore, një festë të madhe popullore, një gjerdan ari në vargun e betejave historike për mbrojtjen e vendit me zanafillë 18 nga 24 betejat fitimtare të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në Dibër, beteja të pa pushuara kundër pushtimit serb e synimeve të shovinistëve fqinj.
Do të desha që më 28 tetor 2021 t’ju shikoja bashkë në Lanë të Lurës, në një festë të madhe përkujtimore me një varg vendimesh kuvendare, presidenciale e të Këshillit të Ministrave, me një gjerdan dekorimesh për ata që u flijuan për Shqipërinë.