E rëndë gjendja në Qarkun e Dibrës, sidomos në rrethin e Matit. Disa vatra zjarri janë aktive në pyjet e këtij rrethi. Mësohet se janë përshkuar e djegur dhjetra hektarë pyje e kullota.
Burime zyrtare bëjnë me dije se mbi 130 hektarë me pyje në Dibër, Bulqizë e Mat janë djegur vetëm tre muajt e fundit. Gjatë muajit të fundit ka një shtim të rasteve të zjarrvënies në të gjithë territorin.
Vetëm pak ditë më parë, në një takim me kryetarët e bashkive dhe administaratorët e njiësive, efektivët e Policisë lokale, zyrtarë të pyjeve, zonave të mbrojtura, etj, Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu, kërkoi nga Policia, repartet e zjarrfikjes dhe zyrat e bujqësisë në bashki të vlerësojnë situatën dhe të zbulojnë autorët e zjarreve të qëllimshme.
“Zjarret, nënvizoi Prefekti Shehu, po shkaktojnë dëme të mëdha në pyje dhe ende nuk kemi persona përgjegjës për situatën kritike që kalojmë. Zjarret nuk shkaktohen nga faktorë natyrorë. Dyshimet janë se ato vihen qëllimisht nga banorët e zonave, krysisht nga barinjtë. Policia, efektivët e zjarrfikjes, njësitë administrative dhe vetë banorët duhet të bashkohen për ndaljen e zjarreve”.
Prej dy ditësh në pyjet e Kangrazhdit, në afërsi të Burrelit, është shfaqur një vatër e madhe zjarri. Policia, ushtria, punonjës të bashkisë Mat janë përpjekur ta shuajnë atë por ka qenë e pamundur. Zyrtarët lokal kërkuan ndërhyrje nga ajri pasi në mbrëmje u shtuan dhe tri vatra të tjera në Kangrazhd dhe dy të tjera në Baz e Kodër Lac.
Strukturat e Policisë së Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër pas porosive të Prefektit Shehu dhe numrit të madh të zjarreve shtuan masat për kapjen e autorëve zjarrvënës. Mësohet se në Bulqizë e Burrel evidentohen dhe procedohen penalisht tre shtetas për zjarret në pyje. Shërbime e Policisë të Komisariatit të Policisë Mat evidentuan dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasit S.T, dhe A.S, 17 dhe 16 vjeç, banues në Burrel, autorë të dyshuar të zjarrit në zonën e Kongrazhdit, njësia Administrative Komsi, Mat. Këta persona në bashkëpunim me njëri- tjetrin, nga pakujdesia duke djegur ferra e mbeturina, zjarri ka dalë nga kontrolli si pasojë e erës së fortë duke përfshirë dhe djegur sipërfaqje të konsiderueshme pyjore.
Gjithashtu po në kuadër të masave parandaluese, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë kanë evidentuar dhe proceduar penalisht shtetasin H.Z, 43 vjeç, banues në Bulqizë, autor i dyshuar i zjarrit pranë aksit nacional Fushë-Bulqizë. Ky shtetas nga pakujdesia duke djegur mbeturinat në fund të kopështit të tij, zjarri ka dalë nga kontrolli nga era duke u përhapur me shpejtësi në sipërfaqe të pyllit anës rrugës nacionale Fushë Bulqizë.
Materialet i kaluan Prokurorisë Dibër, e Mat, për veprat penale “Shkatërrim i pronës me zjarr”; “Shkatërrim nga pakujdesia i pyjeve”.