“Kur vdekja vjen befas”, tregim nga Alban Tufa

0 0
Read Time:6 Minute, 15 Second

Në fshatin më të largët të qyteti të Veriut u shpërnda fjala se kapërceu jetën, Qestrem Ksula, iku me të shumtët. Lajmësi vajti në të gjitha katundet përreth, dhe nuk la derë pa trokitë e burrë pa e thirrë në mortje. Nuk përjashtoi as priftin në fshatin Dreç, as imamin e fshatit Shtungë dhe as dervishin e Teqesë së Baba Dedës në fshatin Shterpë. “Varrimi bëhet në orën tre të pasdites”, kështu iu thoshte me një zë refreni lajmësi, të gjitha fytyrave që ndeshte në pragjet e dyerve edhe portave, a thua se po iu jepte myzhde.

Sapo kishte rënë dëbora e parë dhe e gjithë hapsira ishte si e kapur gafil, mbërthyer me të bardhë si qefini i Qestremit që u mështoll atë ditë. Moti po mbërthente në qefin gjithë katundin e tej. Por derisa u arrit te qefini u bë një rrugë e potere e madhe. Dëbora binte sa grushti, e as kishte mend të ndalej. Brenda në konak ishte ulë në krye të vendit prifti i kishës Shën Teli, nga e majta e tij ishte ulë Shim Hoxha, ndërsa nga e djathta dervishi i Teqesë së Baba Dedës, Baba Bibi. Pasi i rrufitën kafetë sade, prifti ia mori llafit: -Ishte një shërbëtor i devotshëm, Ati ynë e pastë mëshiruar! Heshtje, askush nuk foli, as guxuan të çelnin gojë duke patur aty përfaqësuesit e Perëndisë.

-Ishte një mysliman i mirë, -tha hoxha me një ton të papërcaktuar pa i’a adresuar thuajse askujt fjalinë e tij gjithë ngushëllim dhe që po ta mendoje pak, dukej sikur donte të rrëmbente një trofe.

Apet heshtje, si duket burrat e fshatit i respetkojnë akoma fetë dhe përfaqësuesit e tyre, kështu nuk reaguan asfare.

-Para do dite ishte në teqe e mori do dhé vorresh. Ia mbështolla në një qese blu dhe ia shtiva në xhepin e brendshëm të xhaketës. Nuk mu duk i dobët, sosi Dervishi. Megjithatë, Babai i di këto punë, mos e prishim zemrën, -shtoi së fundmi ai.

-Avash, ia pat Hoxha, me marrë dhe vorresh e me ua qas besimin atyne, është nji formë Shirku, është bash si t’i bësh shok Allahut. -Hoxhëëë, e trashi zërin Dervishi duke kruajtur mjekrrën e thijur në fund, mos iu hyjmë k’tyne punëve se jemi mbledhë për tjetër gjë këtu.

-Po mundoheni me ma ngrënë dheu ndër këmbë o bijë të Zotit, foli Prifti, unë jam thirrë këtu që ta përcjellim të ndjerin Ksulë siç i ka hije, njashtu siç ka urdhnue Ati Ynë.

-Jo pasha Allahun, kërcyen njëzëri Hoxha dhe Dervishi.

-Po pasha Atin, kundërshtoi Prifti.

Aty filloi një breshëri betimesh e citimesh nga Bibla e Kurani, dhe nuk kishte rob toke tua ulte zërin e ti shqimte gjakrat. Pasi u rropatën aty diku tek përafër një ore, me argumente duke i bazuar në libra hyjnorë, dhe që kur e panë se nuk po i jepnin dot dum kësaj situate, Dervishit ia behu si me një “klik” një ide, që gjithsesi duhet vlerësuar.

Meqë asnjëri nuk e din sak se kujt besimi i përkiste Ksula, tha Baba Bibi, a nuk do jetë ma e udhëshme të dimë se a qe së pari besimtar e pastaj kujt besimi i përkiste? Këtë punë e zgjidhën duke pyetur të pranishmit.

-Nuk e di, i u përgjigj një nga fqinjët e tij, ai shpesh betohej në Zot, por se di nëse kjo mjafton për të besuar. Edhe disa të tjerë iu shamngën pyetjeve bash sikur ata që iu shamngen dëshmive të krimeve me implikime të mëdha. Burrat i bënin bisht kësaj pyetje me një përgjigje që soste me: Zoti e din më mirë.

-Po Shema, i vëllai, ku është, pyeti Bibi.

Fill pas kësaj ia dha në shqemë të derës i vëllai i ndjerit, me një thikë në dorë të ngjyer me gjak. Edhe në fytyrë i kishin rënë ca pikla gjaku, dhe dukej fare qartë se ai, kishte dhënë-e-marrë të priste një viç mbi shtatë-tetë muajsh, ku anipse ia kishte dalë, akoma me zor mbushej me frymë.

-Çfarë është burra?

-Dëgjo pak Shemë, u përqëndrua ta parashtronte problemin Shima, duke qenë se ti e ke emrin Shemë dhe unë Shimë dhe nga kjo ngjashmëri që na ka ra për hyse, mua më bie për hyse që të vërtetoj se i ndjeri vllai yt ka qenë një besimtar i devotshëm, ose që të paktën unë e kam parë tre herë në xhami, bash në kohën e xhumasë.

-Se di, tha Shema dhe mbeti ashtu si pataksur me thikën në dorë dhe djersët në ballë.

-Po të paktë Barjam a festonte?

-Jo.

-Po Novruz?- kërceu gjithë entuziazëm dervishi.

-Jo, u përgjigj thatë ai. -Krishtlindje po, tha prifti gjithë qesendi, dhe me një nënqeshje ndër mjekër.

-As Krishtlindje, tha Shema. Të gjithë sa qenë në konak mbetën të shashtisur. Askush nuk i përafrohej moshës së të ndjerit dhe nuk e dini fort mirë se cilën nga festat festonte, dhe se cilën vlerësonte.

Çështë e vërteta, Qestrem Ksula, kishte dihatur gjithë jetën e vet për të gjetur besimin, ose fundja njëfarë besimi, në Natyrë a në Mbinatyrë. Bash në kohën e Preshit, Ksula kishte mbajtur një Ramazan të tërë dhe në fund kishte festuar i vetëm Bajramin, pastaj kur ia kishin marrë vesh disa të tjerë aty në kolektiv, e kishin quajtur herë turk, herë arab, herë oriental, dhe më e keqja dogmatik, e fill mandej e kishin përjashtuar nga jeta publike e kolektivit. Për të keqen e vetes së vet, Ksula kishte festuar pas ca vitesh Krishtlindjen e 1981, dhe bash mbas tre ditësh e kishin quajtur grek, agjitues, dhe më e keqja Perëndimor. Kishte festuar ashtu si padashje edhe një Novruz dhe këtu kishte marrë një goditje rroposëse, ku i hiqej çdo e drejtë për të marrë një punë, pasi i shpëtoi një neni me burg deri në 7 vjet.

Konaku u pështjellua nga mungesa e përgjigjeve të duhura dhe nga koha e ngutshme për të vendosur se çdo bëhej me mënyrën e futjes së Ksulës në dhè. Pasi disa rropamave dhe hedhjeve të tjera të llafit si një top ping-pongu, arritën në përfundimin se Qestrem Ksula kishte qenë asi që emri i ishte vënë një kombi: ateist. Halli ishte i madh: as Hoxha, as Prifti dhe as Dervishi, nuk kishin varrosur kurrë një ateist. Madje ata as që ia kishin idenë se si mund të varrosej një njeri i tillë. Nuk kishte pra hall më me hall. Kur diskutimeve dhe negociatave për të arritur një konsesus iu erdh fundi, priifti çoi zë e tha: -Unë o bijt e mi, mjafton ti zhys nën kokë një kryq prej ari dhe për mua le të pushojë i qetë. Fill pas tij foli Shim Hoxha:

-Mua, do me thënë ne, na mjafton ta lajmë dhe ta mbështjellim me qefin, anipse nuk do ia falim xhenazen. Se s’ka parë rrota e historisë ti falësh xhenazen një njeriu që ka mohuar eksiztencën e Allahut.

-Nuk është hera e parë që njerëzit që nuk ia dalin të rrinë në fe, të kandisen në këtë farë feje. Mua si Baba, më mjafton që vetëm kur ai të hyj në vorr, ti zhys në dorë një qese të vogël blu me do dhe vorresh. Pastaj shtoi me zë të ulët:

-O Zot mos na sprovo më me të tilla situata! Ndërkohë një zë jo fort i trashë nga fundi i konakut, diku afër derës, me një ton të pa përcaktuar tha tekstualisht kështu:

-Ky është i pari, ah sa do ketë kështu soji tash e tutje!

Alban Tufa, Maj 2018

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %