“Do të kërkojmë vetëm kthesën. E kemi vlerësuar shumë këtë ndeshje, pasi Korabi jo më kot renditet në vendin e dytë dhe për më tepër kanë një organikë shumë cilësore.
Por mos harroni, që edhe ne nuk mbetemi pas. Kemi gjithashtu një grup të mirë lojtarësh. Fakti që luajmë në shtëpi na bën ta kemi detyrim fitoren. Nuk kemi ndonjë diferencë të madhe me kundërshtarin.
Na duhet të realizojmë objektivin, ndaj do të japim shpirtin në fushën e lojës. Në gjashtë ndeshjet e zhvilluara deri tani kemi pësuar vetëm një humbje, atë në transfertë përballë Flamurtarit.
Nesër (sot) nuk na lejohet të humbasim. Kemi punuar fort pasi e dimë që do të jetë një ndeshje e vështirë. Të gjithë besojmë se do t’ia dalim.
Besoj se porta është e garantuar, pasi kemi punuar shumë nën drejtimin e trajnerit tonë Besnik Malaj. Mbrojtjen e kemi të ngjeshur dhe nuk do t’u lërë hapësirë dibranëve.
Stafi teknik do t’i ketë të gjithë futbollistët nën urdhra dhe do ta ketë më të lehtë të bëjë përzgjedhjen e formacionit”.
DITMIR PEMA – PANORAMASPORT.AL