Në fundjavë skuadra e Korabit pret Veleçikun e Koplikut në fushën e tij, dhe trajneri Dorian Bubeqi e quan të gatshme skuadrën për sfidën e javës së 15-të në kampionat. Në ndeshjen e luajtur të shtunën Dibranët fituan 2-0 me Internacionalin, e tashmë trajneri kavajas i quan të mbyllura testet me miqësoret për muajin janar, në të cilat janë arritur këto rezultate: Partizani B-Korabi 2-0, Korabi-Apolonia 3-0, Korabi-Tomori 2-1, Korabi 2-1 Shenkolli dhe Korabi-Internacional 2-0.
“Në të gjitha ndeshjet miqësore që kemi zhvilluar gjatë muajit janar, më shumë se sa rezultatet që kemi fiksuar, mua më ka interesuar testimi i gjendjes së skuadrës. Sepse kemi para një gjysmë sezoni shumë të vështirë, ku Korabi ka si objektiv të parë renditjen në pesë skuadrat e para në Grupin A. Skuadra është e gatshme ta përballojë me sukses, që në sfidën e parë me Veleçikun, me synimin e vetëm fitoren”, kështu deklaroi Dorjan Bubeqi për SportEkspres.com.
Dibranët kanë ruajtur kontigjentin që mbylli pjesën e parë të sezonit, por nga skuadra është larguar vetëm Kovaçi në drejtim të Vorës, ndërsa në provë ka qenë Jurgen Mehidri i cili firmosi për 1 vit e gjysëm. Lajmi i keq për trajnerin Bubeqi është mungesa e sulmuesit kryesor Armend Murrja dhe Ylli Ibishi të cilët i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale dhe janë në fazë rehabilitimi!
AGRON KAJA