DIBËR – Dy të rinj kanë përfunduar në prangat e Policisë së Dibrës, pasi akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Të arrestuar mbetën shtetasit me inicialet B. K., 26-vjeç dhe E. D., 24-vjeç, të dy me banim në Peshkopi. Nga informacionet që Policia kishte siguruar në rrugë operative, zhvilloi një kontroll në automjetin tip ‘Fiat’ me të cilin këta shtetas po udhëtonin.
Gjatë kontrollit ka rezultuar se këta shtetas posedonin një sasi të lëndës narkotike kokainë, e cila ishte e ndarë në pjesë të vogla dhe gati për tregtim.
Materialet hetimore për rastin në fjalë i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër.
NJOFTIMI I POLICISË SË DIBRËS:
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza.
Vihen në pranga dy shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë policore se dy shtetas që qarkullojnë me një automjet tip ‘Fiat’, shpërndajnë lëndë narkotike, forcat e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar, me të cilin udhëtonin dy shtetas.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjet një sasi lëndë narkotike kokainë e ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve B. K., 26 vjeç, dhe E. D., 24 vjeç, banues në Peshkopi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.