Ekipi i Korabit ka nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Trajneri Klevis Dalipi s’ka humbur kohë, teksa ka vënë në punë futbollistët.
Me skuadrën është bashkuar dhe afrimi i ri Taulant Marku, ndërsa bëhet me dije që është arritur akordi me Sokol Mziun dhe Redon Razën për të rinovuar kontratat. Në njoftimin e bërë nga klubi dibran thuhej:
“Skuadra e Korabit vijon përgatitjet për sezonin e ri nga data 03.08.2020 nën drejtimin e trajnerit Dalipi. Duke qënë kështu një nga skuadrat e para që kanë zbritur në fushë, synimet e këtij sezoni janë madhore dhe Klubi kerkon rikthimin në Kategorine Superiore.
Boshti kryesor i ekipit është nën dispozicion të stafit teknik dhe sot skuadrës i është bashkuar edhe blerja e re, Taulant Marku.
Gjithashtu klubi ka arritur marrëveshjen paraprakisht me kapitenin Sokol Mziu dhe mesfushorin Redon Raza për të rinovuar kontratat. Momentalisht i pamundshëm është mesfushori Ekrem Shehu të cilit i urojmë shërim të shpejtë pasi në ndeshjën e fundit pësoi një dëmtim në ligamentin e gjurit, dhe Kristjan Prendi i cili pritet ti bashkohet ekipit pas rikuperimit.
Pas parapërgatitjeve dhe afrimit të lojtarëve skuadra do të nisë fazën përgatitore sipas planifikimeve!”