Klubi i Futbollit të Bulqizës, KF Bulqiza ka zhvilluar sot ndeshjen e javës së pestë në Kategorinë e Dytë, kundër KF Shënkollit të Lezhës.
Në takimin që nisi në orën 14:00, të dyja ekipet kanë dhuruar një lojë mjaft të bukur, me raste të shumta dhe gola.
Në minutën e 26-të të pjesës së parë, Saliaj arriti të dërgonte topin e parë në rrjetë për ekipin e Bulqizës, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë, Ndoji arriti t’i siguronte Shënkollit barazimin. Nuk zgjati shumë, kur vetëm 5 minuta më vonë Bulqiza arriti të kalonte sërish në avantazh përmes një goli të realizuar përsëri nga Saliaj.
Ndërkohë, në minutën e 46-të të takimit, skuadra bulqizake arriti të gjente edhe golin e tretë, për të vijuar më tej me dy gola të tjerë nëpërmjet Merdinit dhe Takut, në minutat 64′ dhe 72′. Ndërsa Djala arriti t’i siguronte Shënkollit edhe dy gola të tjerë në minutat 66′ dhe 85′.
Kështu, ndeshja u mbyll me rezultatin 5-3 për KF Bulqizën.
Gjatë pjesës së parë, nga ekipi i Bulqizës, mori karton të verdhë Myrta, ndërsa nga ekipi i Shënkollit, Ceku. Ndërkohë, në pjesën e dytë, nga ekipi i Bulqizës mori dy kartonë të verdhë dhe më pas të kuq Lika, ndërsa nga klubi i Shënkollit mori karton të kuq Zefi.
Aktualisht, KF Bulqiza renditet e pesta në grup, paraprirë nga Sopoti, Luzi, Shënkolli dhe Shkumbini; ndjekur nga Iliria, Gramshi, Internacional Tirana, Tërbuni, Ada, Valbona, Klosi, Spartaku dhe Mirdita…
.(mat tv)