Osman Xhili
Ftesës së mikut tim, mjekut veterinar, Hasan Bërzhillës, iu përgjigja me shumë kënaqësi. E kush do ta refuzonte një mbrëmje të këndshme në Kala të Dodës, në bjeshkët e bukura, në këmbët e malit të Korabit? Sa e sa gjëra kishim dëgjuar për këta banorë, që pa frikë mund t’i quash kreshnikë dhe heronj të luftës, të punës dhe të besimit te Zoti i Gjithësisë. Male të lidhura varg me njëri-tjetrin, si burra kreshnikë, që kanë dhënë besën për të qenë së bashku për jetë e mot. Male të rëndë në peshë, të ngarkuar me kujtime, me histori lufte e pune, që nga koha kur u krijua njerëzimi. Korabi, më i madhi mes tyre, më i madhi mal i Shqipërisë. Pllaja të pafund, kullota që kundërmojnë nga lulet. Bjeshka e Abazit, bjeshka e Shehut, Ponajri, Preshi, Rrafsha e Korabit, Përroi i Lushit, Sorokoli, janë vetëm disa nga emrat e toponimet e shumta me bukuri përrallore, të këtij trekëndëshi ku kryqëzohen rrugët e linjat mes Shqipërisë, Kosovës e Maqedonisë. Pak poshtë tyre fshatrat e Kalasë së Dodës pranë e pranë njëri-tjetrit, në një afërsi fizike, por dhe në një unitet, në një besë qindra shekullore për të mbrojtur vatanin nga pushtues të shumtë. Vetëm besimi në Zot, ka bërë të mundur mbijetesën e këtyre njerëzve në luftë me serbin, me komunizmin, me dimrin e egër, me tokën e paktë, me rreziqe e vështirësi të pafund.
Besimi
Njerëzit e Kalasë së Dodës janë besimtarë të devotshëm. Në dyqanin e fshatit Ploshtan përshëndetemi me Selam alejkum. Shitësi, Vesel Brika, edhe pse i ka kaluar të shtatëdhjetat, ka një trup atleti, si shumica e banorëve të këtushëm. Ai na tregon se familja Gjorllaku ka shërbyer në xhaminë e fshatit në të gjithë kohërat. Mulla Tefiku në kohën e Zogut, më pas djali i tij, Imeri dhe sot vazhdon si imam Mevlan Gjorllaku, brezi i tretë. Veseli vazhdon të tregojë, se në vitin 1967 u mbyll xhamia, por jo besimi në Zot. Ai ishte rrënjosur ndër shekuj në zemrat e njerëzve. Agjëronin muajin e Ramazanit mes vështirësive të pafund. Falnin teravinë grupe-grupe nëpër shtëpi, kinse po pinin një kafe e bënin një dorë muhabet. Nuk mbetej xhenaze pa u larë e pa u falur, duke sfiduar vitet e errëta të pabesimit komunist. Xhamia e këtij fshati mendohet të jetë mbi dyqindvjeçare dhe ka pasur një vakëf shumë të bollshëm.
Në fshatin e Cerenit, ngjitur me Ploshtanin, takojmë imam Muharrem Hafuzin. Besimi këtu trashëgohet në breza, si një stafetë që përcillet me kujdes. Saiti dhe Ahmeti, gjyshi dhe babai i tij, kanë qenë gjithashtu imamë në xhami. Vetë imam Muharremi ka punuar me fëmijët në xhami, aq sa ka mundur dhe aq sa ka ditur.
Cereni ka pasë një hoxhë shumë të ditur, Zeqir Hoxhën, që kishte studiuar në Stamboll për teologji. Ka qenë kryetar i komisioni të itifakut për zonën e Kalasë së Dodës. Në mejtepin e fshatit përgatiti dhjetëra nxënës, që më vonë u bënë përhapës të besimit në zonë e më gjerë. Tregojnë se ishte një burrë i fuqishëm, që mbante çallmë dhe që jetoi gjatë, duke e kaluar shekullin.
Një tjetër figurë nga Cereni ngelet si legjendë e gjallë në memorien e kohës, mulla Hysen Hafuzi. Në tetor të vitit 1913, kur serbi mblodhi burrat e fshatit për t’i pushkatuar, ky njeri sjell djalin e tij, në këmbim për të liruar djalin e vëllait.
– Mos trembeni burra, – u thotë shokëve të tij para skuadrës së pushkatimit.
– Armiku edhe po të na e marrë shpirtin, nuk mund të na e marrë imanin dhe besimin. Të gjithë burrat kënduan shehadetin para se të vriteshin, derisa trupat e tyre mbetën të shtrirë në përrua, që më pas mori emrin “Përroi i shehitëve”.
Në librin e birit të shquar të kësaj zone, doktor Shefqet Domi, janë të shënuar një listë burrash, që populli i quante me titullin “sheh”, në shenjë respekti dhe nderimi për ta. Sheh Mahmuti, sheh Shezivari, sheh Ramadani, sheh Hajra, sheh Jonuzi, sheh Murati, janë vetëm disa nga ky varg burrash të mençur, besimtarë e patriotë, që punuan pa u lodhur për çështje të vatanit dhe të besimit në Zotin e gjithësisë. Po këtu gjejmë të flitet për Mahmut Dacin, apo Dacin e Kalisit, njeriun që i dha vendlindjes gjakun dhe shpirtin e tij. Historia tregon se luftoi për mbi 35 vjet kundër tre sulltanëve dhe shtatë pashallarëve të Turqisë dhe kjo histori është përjetësuar në gati 30 këngë të popullit të kësaj zone. Nga kjo derë e shquar kanë dalë të tjerë burra që e vazhdojnë veprën e tij, në punë, besim, dije dhe luftë, kur ajo është e nevojshme.
Duke lënë rrugën e asfaltuar, kthen në të djathtë për të shkuar në Radomirë. Vetëm katër kilometra duhen për të shkuar deri atje dhe rruga është e pashtruar. Nuk ka asfalt edhe pse je nën këmbët e Korabit, malit aq të njohur në Shqipëri dhe pse pret që këtë vend ta vizitojnë turistë vendës e të huaj. Hedh një vështrim përballë dhe malet e pasur me minerale gipsi, ngjasojnë me kurrize kafshësh gjigante prehistorike. Në krahun tjetër të shoqëron vargmali i mbuluar me pisha dhjetëravjeçare, që kulmon me një liqen ku ta ka ënda të pushosh e ca më tepër të drekosh. Nuk i presin pyjet këtu. Është një ligj i lashtë e i vjetër sa vetë jeta. Është një dëshmi tjetër se aty ku zbatohen normat fetare, janë të mbrojtur njerëzit, kafshët, bimët e pemët, shkurt çdo gjë. Një tufë me dele të racës “Rudë”, na pret udhën për pak minuta. E dimë që këta banorë kanë lidhur jetën me këto kafshë të buta e të bekuara, në një simbiozë qindra e qindra shekullore. I kanë dhënë e i kanë marrë njëri-tjetrit, në këtë kontratë të heshtur e të pashkruar gjëkundi. Tringëllima e zileve të tyre, blegërimat dhe fyelli i bariut, shkrihen në njësh, duke të çuar mendjen në një botë tjetër imagjinare, ku dëshiron të qëndrosh sa më gjatë. Por ëndërrimi yt këputet e në sfond të shfaqen shtëpitë e para të fshatit Tejs dhe minarja e një xhamie. Nuk di pse minarja e xhamisë më solli ndërmend mulla Vebi Ferhatin, një personalitet i spikatur i fesë dhe besimit të zonës, po pse jo dhe më larg, deri në Tiranë. Jo më kot figura e tij është trajtuar si një nga 100 personalitetet me vlera të rralla të shekullit të njëzetë. Dy djemtë e tij, imam Besimi dhe imam Ymeri, apo nipi i tij, Rushit Ferhati, përçojnë amanetin e tij në ditët e sotme.
Pyjet, delet dhe xhamitë kanë qenë bashkudhëtare të përhershme të këtyre malësorëve trima e bujarë. Në vitin 1920, serbët duke bombarduar fshatin me mortaja, këputën gjysmën e minares së xhamisë. Më pas komunizmi e ndaloi me ligj besimin në Zotin e gjithësisë. Por a mundej të depërtonte ligji komunist në zemrat e atyre njerëzve të devotshëm? Ata ngriheshin natën dhe hanin iftarin në dritën e mekur të llambave e qirinjve, me shpresën se një ditë gjërat do të ndryshonin. Banorët e Radomirës i ndërtuan xhamitë pas viteve nëntëdhjetë. Por kurbetçinjtë e shumtë të kësaj zone, që punojnë e jetojnë në Angli, kishin edhe një dëshirë tjetër. Donin të ndërtonin një tjetër xhami, të madhe, të bukur, me dy minare, që të ngjasonte me malin e Korabit që kishte në krah. Halit Ahmati, kryetar i komisionit, tregon se vlera për ndërtimin e saj po shkon 300 milion lekë dhe është totalisht kontribut i banorëve të zonës. Një firmë shumë serioze nga Tirana po punon me shpejtësi e cilësi, për ta bërë sa më të afërt ditën e faljes së parë në xhami. Vendi dominues, dy minaret e larta, muri rrethues me gurë dekorativë nga Berati, si dhe ambientet e shumta për falje, studim e veprimtari të ndryshme, e bëjnë këtë një objekt shumë të dashur për besimtarët. Emrat e donatorëve nuk bëhen të ditur për hir të sinqeritetit. Ka prej atyre që kanë dhënë mbi dhjetë milionë lekë, si dhe ka të tillë që kanë gjetur ca para nga pensioni i pakët. Nuk dihet, ndoshta në peshoren e Allahut, kontributi i këtyre të dytëve mund të jetë më me vlerë. Urimi për xhaminë e re, na del vetiu nga buzët e zemrat tona. Ta gëzoni për jetë e mot dhe u shtofshin besimtarët sa më shumë në këto troje të bukura.
Osman Xhili / Revista ‘Drita islame’ – dhjetor 2017/