Teksa Dibra po boshatiset nga të rinjët të cilët kanë marrë rrugët e botës, njësoj si të parët e tyre, neve na lind detyra për të promovuar dhe inkurajuar të rinjtë të qëndrojnë këtu dhe potencialin e tyre ta zhvillojnë këtu në vendlindje.
Nga ana tjetër Dibra ka të rinjë që kanë menduar të mos largohen nga vendi i tyre, duke gjetur mundësitë për të jetuar dhe punua në Dibër. Sigurisht që kjo rrugë nuk është e lehtë, por gjithsesi mbetet një rrugë e bukur, dhe me shpresë për të ardhmen.
Një ndër këta të rinj është edhe Kadim Selmani. Ai është një i ri nga Kalaja e Dodës, i cili ka vendosur ta ndërtojë të ardhmen në vendin e tij. Kadimi është agjent turisitik, dhe çdo javë gjatë verës udhëheq guida për ngjitje në majën e Korabit por jo vetëm. Sigurisht që deri këtu jeta e një të riu si Kadimi është e mbushur plot dilema dhe mundësi për të zgjedhur.
Por si erdhi deri këtu?
Kadimi është një i ri nga fshati Çernjevë, në Kalanë e Dodës. Edhe pse një zonë me emrigracion të theksuar, ai vendosi të kryej të mesmen e profilizuar për Ekonomi, dhe fill pastaj të mbarojë studimet e larta po për Ekonomi.
Nga pamundësia për tu punësuar në profesion, ai punon për disa vite si DJ, në zonën e tij dhe në të gjithë zonën e Dibrës.
“Pasi punova për 5 vjet me rradhë si DJ, nuk pash se mund të ndryshoja diçka në jetën time. Me atë punë gjithçka ishte monotone edhe pse mund të fitoje deri diku, kështu që vendosa të bëj diçka ndryshe, të udhëhiqja guidat turistike”, tregon ai për dibraon.com.
Pasi mori këtë vendim, Kadimi u regjistrua në Qendrën e Kurseve profesionale në Tiranë, për agjent turistik, dhe për disa muaj u certifikua me sukses.
Ai tregon se në fillim ka qenë e vështirë deri sa të krijosh kontaktet dhe të futesh në rrjetin e guiderëve, por pastaj ia merr dorën.
“Zona e Kalasë së Dodës, është thesari i traditave shqiptare, prandaj këto duhen shfrytëzuar. Ushqimi, veshja, turizmi malor, janë ndër gjërat më të lakmueshme dhe të kërkuara nga turistët e huaj dhe vendas”, thotë më tej Kadimi.
Kur flasim për problematikat e turizmit ai shprehet se disa gjëra janë bërë, por mbetet shumë për të punuar në këtë aspekt. Shumë tërheqës do të ishte një muze në Kala të Dodës, me veshjet dhe me traditën e vendit, sepse gjërat dhe kultura po ndryshon, dhe ato duhen ruajtur si për turistët ashtu edhe për vendasit.
Kadimi është nga ata njerëz që nuk ndalet, ai punon në të gjitha aspektet për tu formuar për veten e tij dhe për të promovuar vendin ku lindi dhe u rrit.
“Unë nuk do iki, do punoj këtu. Do rritem vetë profesinalisht duke zgjeruar njohuritë dhe aftësitë e mia”, thotë ai.
Më tej ai tregon se ka disa përparësi në këtë profesion. Së pari, e njeh zonën ku vepron sepse aty është lind edhe rrit. Kjo gjë e ndihmon në raport me turistët dhe me veten e tij. Së dyti, i njeh banorët dhe ata e mbështesin në guida dhe në punë të të tjera jo vetëm të turizmit.
Ai tregon me pasion për vendin tij, për bjeshkët dhe majat e Korabit. Kadimi thotë se janë gjërat më të bukura në botë. “Kush e ka parë atë vend, ka rënë në dashuri me të”, shprehet Kadimi.
Në fund ai ka një porosi për të rinjët dibranë dhe jo vetëm.
“Nuk duhet të rrimë kot, asgjë nuk vjen prej qielli. Jemi ne që duhet ta duam vendin tonë dhe jemi ne që duhet ta promovojmë atë”.
Nga Alban Tufa / Dibraon.com