ADEM BUNGURI
Dy janë çështjet aktuale me rëndësi jetike për Dibrën: Rruga e Arbrit dhe HEC-i i Skavicës! E para e shpëton Dibrën, e dyta e përmbyt atë dhe e asgjëson si tërësi gjeografike, historike dhe etno-kulturore mijëravjeçare!
SKAVICA
Çështja e ndërtimit të HEC-it të Skavicës u publikua në ditët e para të janarit 2016, duke iu referuar vizitës së Kryeministrit të vendit në Stamboll, në dhjetorin e kaluar.
Sipas disa kanaleve televizive, bëhet fjalë për njëfarë marrëveshjeje midis shefit të qeverisë sonë dhe një kompanie turke, që paska marrë përsipër ndërtimin e HEC-it të Skavicës! Për pasojat e rënda që do të ketë për Dibrën ndërtimi i HEC-it të Skavicës, ky problem nuk mund dhe nuk duhet të kalohet në heshtje. Për hir të së vërtetës, një projekt për ndërtimin e një HEC-i mbi Skavicë, ka qenë hartuar edhe në kohën e komunizmit, përkatësisht në vitet 1983-1984.
Sipas ekspertëve të hidrologjisë së asaj periudhe, qeveria Çarçani u tërhoq nga ndërtimi i këtij HEC-i, përballë kostos së madhe të humbjes së tokave më të mira dhe më pjellore të këtij rajoni. Se Dibra është konsideruar gjithnjë si Myzeqeja e Shqipërisë Lindore! Kjo çështje qe rihapur në shkurt 2010 nga qeveria Berisha, dhe shihej në atë kohë si zgjidhje e problemit të përmbytjeve në zonën Shkodër-Lezhë, edhe pse më vonë u gjetën zgjidhje të tjera shumë më racionale.
Banorët e Dibrës e kundërshtuan këtë projekt, kundërshti që e kanë shprehur prej kohësh në shtypin periodik disa nga përfaqësuesit e spikatur të publicistikës dibrane, si z. A. Hoxha, z. B. Karoshi, z. A. Ashiku, z. V. Hoxha, z. M. Koltraka, z. Sh. Skara etj. Për fat të mirë, qeveria demokratike e asaj periudhe u tërhoq nga kjo ndërmarrje me pasoja të padëshirueshme për Dibrën.
Nga burime të besueshme thuhet se qeveria aktuale paska në plan ndërtimin me koncesion të HEC-it të Skavicës dhe liqenit gjegjës jo me një digë, por me dy diga, një prej të cilave në Katund të Ri dhe tjetra në Skavicë!
Nga varianti me dy diga, do të duhej të zhvendoseshin nga shtëpitë dhe trojet e tyre më shumë se 10.000 banorë, ndërsa nga ai me një digë mbi 40.000 banorë! Eksponentë të tjerë të lartë të vendit mbështesnin ndërtimin e HEC-it me një digë në Skavicë dhe një liqen të stërmadh, nga pragu i Skavicës në veri deri në pjesën lindore të Dibrës që shtrihet në FYROM në jug, variant që do të fshinte nga harta e Shqipërisë për fare Dibrën londineze! Kjo do të bëhej me alogjizmin absurd se “duhej përmbytur një rajon, për të shpëtuar nga përmbytja një rajon tjetër”(!) Në kushtet e mungesës së plotë të transparencës qeveritare lidhur me këtë problem, dëshiroj t’u kujtoj një ndodhi të para 2000 vjetëve në Romën e lashtë atyre që nuk e kanë lexuar Senekën.
Filozofi Seneka (4 para Kr.-65 pas Kr.), në vitet e fundit të jetës së tij ishte këshilltar i diktatorit Neron (54-68 pas Kr.). Kur perandori Neron dogji Romën, i frikësuar në palcë nga vala e hakmarrjes popullore, e pyet Senekën se ç’mund të bënte për të shpëtuar kokën nga urrejtja e turmës, dhe ky i fundit e këshillonte perandorin e tij “që t’i gënjente romakët”, pasi “populli beson çdo lloj gënjeshtre që i serviret!”. Më poshtë po paraqesim reagimin tonë të fortë kundër këtij projekti, për arsyet e mëposhtme:
PËR ARSYE GJEOGRAFIKE DHE EKOLOGJIKE
Skavica përfaqëson një prag të lartë shkëmbor, që ngrihet midis fshatrave Qafë- Draj të Reçit të Dibrës në jug dhe Ujmisht të zonës së Lumës të Kukësit në veri, dhe që në kuptimin gjeografik, ndan pellgun e Peshkopisë nga ai Bicaj-Kukës. Në gjeomorfologjinë e Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor, lugina e Drinit të Zi përfaqëson pa dyshim një nga korridoret më të rëndësishme lumore.
Pellgu ujëmbledhës i Drinit të Zi me sipërfaqe 5885km2 përbën bazën e një ekosistemi mijëvjeçarë. Në shënimet e tij mbi gjendjen në epokën e bronzit, Apolloni i Rodosit e përshkruan Drinin e Zi si”lumin e thellë e të zi, afër enkelejve”. Në rajonin e Dibrës shtrihet rrjedha e mesme e luginës së këtij lumi, me një gjatësi prej 75 km, duke filluar nga gryka e Jabllanicës ku ndahet me Strugën në jug deri në pragun e Skavicës në Qafë-Draj në veri. Në këtë luginë lumore, si askund tjetër, alternohen pellgjet dhe pragjet lumore, në një harmonizim të përsosur gjeomorfologjik.
Këtu vargmalet lindore e ato perëndimore herë largohen, duke të shpalosur para syve fusha të bukura e pjellore, siç ndodh në pellgun e Dibrës dhe në atë të Peshkopisë, dhe herë afrohen dhe të detyrojnë të ngjitesh në qafat kufizuese apo pragjet malorë, siç ndodh në qafën e Qenokut dhe pragun e Dovalanit në jug, apo qafën e Draj-Reçit dhe pragun e Skavicës në veri.
Me luginën e tij gjatësore, ky lum ka krijuar që në lashtësi jo vetëm një vend tërheqës për banim, por edhe një arterie të rëndësishme natyrore, që lidh Shqipërinë Lindore me Maqedoninë Perëndimore, Kosovën, si dhe viset fqinje dhe ato më të largëta. Në rajonin në shqyrtim, Drini i Zi formon dy pellgjet më të mëdha të tij, atë të Dibrës (15 x 9 km) me lartësi 400-450 m mbi nivelin e detit dhe atë të Peshkopisë (8 x 6km) me lartësi 300- 350m, të ndarë nga pragu i Dovolanit dhe qafa e Qenokut.
Falë aluvioneve dhe sedimenteve pjellore të shtresëzuara në shekuj, këto pellgje janë mjaft të begata, dhe përbëjnë zonat më të rëndësishme bujqë- sore dhe ekonomike të këtij rajoni. Lugina e mesme e Drinit të Zi është jo vetëm lugina lumore më e bukur dhe më e begatë në Shqipëri, por ndër më të bukurat në botë! Populli i Dibrës nuk do të lejojë përmbytjen e kësaj pasurie të çmuar për asnjë çmim!
PËR ARSYE EKONOMIKE DHE DEMOGRAFIKE
Territori i rrethit të Dibrës ka këtë strukturë tokash: fushat lumore me lartë- si 300-600m zënë 13.7% të sipërfaqes, zona kodrinore paramalore me lartësi 600-1000m zë 30% e saj, malet me lartësi 1000-2000m zënë 53.5% të territorit, ndërsa pjesa tjetër (2.8%) zihet nga malet e larta mbi 2000m. Këto të dhëna janë për pjesën e Dibrës që shtrihet në Republikën e Shqipërisë.
Pra tokat më të mira të këtij rajoni, të tipit aluvional, me strukturë pedologjike mjaft pjellore, gjenden anash shtratit të Drinit të Zi, dhe do të asgjësoheshin përgjithmonë nga realizimi i këtij projekti. Ndërtimi i HEC-it të Skavicës, pavarësisht nga numri i digave, do të sillte mjaft pasoja negative social-ekonomike dhe kulturore, por mbi të gjitha ai do të përmbyste përjetësisht një nga zonat më të rëndësishme të Shqipërisë Lindore, siç është pellgu i Dibrës.
Së pari, asgjësimi përfundimtar i pjesës më pjellore të tokës së Dibrës, do t’i hiqte asaj bazën e nevojshme ekonomike që e ka mbajtur popullsinë dibrane aty prej më shumë se 8000 vjetësh. Fusha e Dibrës historikisht ka qenë hambar për Malet e Dibrës, dhe të dy këto njësi të saj kanë qenë përherë në marrëdhënie komplementësie ekonomike njëra me tjetrën.
Fusha e Dibrës e furnizonte Malësinë me drithëra buke dhe merrte prej saj prodhime drusore e blegtorale etj. Në vitet më të vështira të krizës së bukës gjatë Luftës I Botërore, përkatësisht kohën e pushtimit serb (1913-1921) dhe atij austro-hungarez (1915-1916), hambarët e Dibrës nuk u thanë nga drithi, përveçse u dogjën nga hasmi. T’i heqësh Dibrës këtë pjesë organike të saj, ta gjymtosh atë, është sikur t’i presësh gjymtyrët trupit të njeriut. Dhe unë besoj se qeveria do ta rishqyrtojë këtë çështje jetike për Dibrën. Dibra nuk mund të flijohet dhe të sakrifikohet për të shpë- tuar të tjerët, edhe pse ajo i ka ndihmuar gjithnjë të tjerët, kur ata kanë pasur nevojë.
Në këtë kontekst, mjafton të kujtojmë se vetëm dibranët qëndruan përkrah shkodranëve, kur Shkodra ishte rrethuar nga pushtuesit malazezë në vitin 1912-1913 (10 tetor1912 – 22 prill 1913)! Ideja e përmbytjes së Dibrës për të shpëtuar Shkodrën, mizore dhe neveritëse në vetvete, të kujton “këshillat” e Dr. Adhamudhit, që për të shpëtuar njërin sy duhej të nxirrej tjetri!
Së dyti, duhet të kujtojmë se fusha e Dibrës nuk është tokë e krijuar nga tharjet e kënetave apo moçaleve, as me punë angari të të burgosurve politikë.
Ajo nuk përfshihet në këto kategori. Ajo është trashëguar brez pas brezi, dhe është blerë e shitur me flori. Kjo është arsyeja që në Dibër nuk u zbatua dhe as që mund të zbatohej ligji bolshevik nr. 7501 i vitit 1991.
Së treti, përmbytja e Dibrës do të provokonte një lëvizje të madhe demografike dhe do të sillte probleme të mëdha sociale për këtë brez dhe për brezat e ardhshëm.
PËR ARSYE ARKEOLOGJIKE
Si arkeolog më duhet të mos hesht! Si arkeolog kam shkelur në çdo fshat të Dibrës! Si arkeolog i them me bindje JO SKAVICËS! E them këtë pasi nëntoka e Dibrës ruan në gjirin e saj vlera të jashtëzakonshme arkeologjike, të cilat sapo kanë filluar të zbulohen e të studiohen.
Në bazë të studimeve të derisotme, rezulton se ky është një ndër rajonet më të përshtatshme gjeografiko-topografik, me kushte jetësore optimale për jetesë, gjë që ka përcaktuar edhe hershmërinë e banimit të tij nga njerëzit që në prehistorinë e largët. Lugina e mesme e Drinit të Zi, territorialisht e lidhur me këtë rajon, përfaqëson zonën ku janë evidentuar gjurmët më të hershme të qytetërimit neolitik në Shqipëri, kronologjikisht të lidhur me gjysmën e dytë të mijëvjeçarit VII para Kr. Fshatrat më të hershme neolitike të këtij rajoni dhe ndër më të hershmit në Shqipëri janë Burimi, Cetushi, Kronëzat (Fushë-Alie), prej të cilave, dy të fundit përfshihen brenda kuotave të përmbytjes, pasi janë shumë afër bregut të djathtë të Drinit të Zi.
Nëpër këtë luginë kalonte degëzimi verior i Egnatias antike, që bashkonte dy transversalet më të mëdha transballkanike, atë Egnatia në Jug (Ohër) dhe atë Lissis-Naissus në Veri (Kukës). Në zonën e përfshirë nga harta e liqenit të HEC-it të Skavicës do të përmbyteshin përgjithmonë, pa u prekur nga arkeologët, një arkiv i vërtetë vlerash dhe artefaktesh arkeologjike, që gjenden në këtë hapësirë. Duke filluar nga Skavica, pra nga Veriu, e duke u ulur në drejtim të Jugut, mund të përmendim sitet arkeologjikë të rrezikuara nga përmbytja:
– Zona tumulare e Draj-Reçit e periudhës së Hekurit (tek Trocet)
– Zona tumulare e periudhës së Hekurit e Zall-Dardhës (Qyteti në Majë Meje)
– Vendbanimi eneolitik “Kodra e qytetit” (Zall-Sinë)
– Vendbanimi neolitik në Kronëza (Fushë-Alie)
– Stacioni rrugor romak në “Xhirret e Përnezhe” (Fushë-Alie)
– Vendbanimi prehistorik në “Rrokoçele të Kutës”, Blliçe (Fushë-Alie)
– Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ferrës” në Blliçe (Fushë-Alie)
– Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Pareve” në Blliçe (Fushë-Alie)
– Vendbanimi prehistorik i Cetushit (Cetush)
– Vendbanimi prehistorik në “Kodra e Ballës” në Muhur
– Vendbanimet prehistorike dhe antike të Ushtelenzës
– Vendbanimi prehistorik i Bronzit të Hershëm në Selane
– Kisha mesjetare në Katund të Ri
– Vendbanimi antik dhe mesjetar i Gradecit (Gradec)
– Vendbanimi prehistorik dhe antik i Topojanit
– Vendbanimi prehistorik “Tuma e Zojcës” (Mazhicë)
– Nekropoli i periudhës romake në Gjoricë të Poshtme
– Kalaja ilire e Tuçepit ose Lladomericës etj.
Kjo do t’i shkaktonte një dëm të madh shkencës sonë arkeologjike. Nga ana tjetër, ajo do të plotësonte dëmin e krijuar në pjesën lindore të Dibrës, që shtrihet në territorin e FYROM, ku në vitin 1968 u përmbyt përjetësisht fusha e Udovës, më e madhja dhe më pjellorja e pellgut të Dibrës. U krye me atë rast një gërmim i vogël shpëtimi, sa për të thënë, dhe u varrosën nën ujë vlera të pallogaritshme arkeologjike.
U përmbytën përjetësisht vlerat e një qytetërimi të lashtë ilir. Vendbanimi i periudhës urbane gjendej rreth 2km në lindje të qytetit të Dibrës, poshtë rrugës së dikurshme Dibër-Shkup, në krahun e djathtë të lumit të Radikës. Para se kjo fushë e madhe të përmbytej nga ujërat e liqenit të hidrocentralit të Spilesë (Dibër) (1964– 1968), gjatë gërmimeve të shpëtimit të kryera aty, arkeologia V. BitrakovaGroždanova jep informacionin e parë dhe të fundit arkeologjik.
Sipas saj, “aty janë zbuluar mjaft objekte arkeologjike të periudhës së hekurit dhe asaj urbane, si dhe themele banesash e vilash rustica, të ndërtuara me gurë e llaç, pitosa qeramike, si dhe 14 varre të ndërtuara me tulla të tipit “çati dyujëshe” të periudhës së sundimit romak (shek.III-IV pas Kr.)”. Në interpretim të këtij materiali, ajo arrin në përfundimin se “në Udovë gjendet një vendbanim i madh me kontuinitet nga koha e hekurit deri në Mesjetë”, (V. Bitrakova-Groždanova, Prilog kod antièkata istorija na Debarskiot kraj, Skopje 1966, 199-201).
Pikërisht në këtë vend, e mendojmë edhe lokalizimin e qytetit ilir të Oaeneas, qytetit më të fortifikuar penest, pranë lumit Artatus (Radicis) dhe një mali të mezikalueshëm (Kërçini-pjesë e “Scardus mons”), një nga tri qytetet më të zhvilluara peneste, krahas kryeqendrës së Penestisë-Uskana (Kërçovë), dhe Draudakut (Gradec-Gostivar).
Burimet antike (Polibi, Livi) përmendin krahas tyre, edhe 11 qyteza peneste në këtë rajon. Ato dëshmojnë se qyteti i Oaeneas luajti një rol të rëndësishëm në luftërat mbrojtëse si kundër Perseut të Maqedonisë, ashtu edhe konsullit Ap Claudi të Republikës së Romës në vitin 169 para Kr., në përpjekje për të ndaluar kthimin e Adriatikut në një “mare nostro”.© Panorama.al