Në vitin 1967 nisi puna për ndërtimin e bulevardit kryesor të qytetit, u zgjeruan rrugët dhe u shtruan trotuaret sipas një plani rregullues të detajuar me kujdes dhe me parametra teknike optimalë, me kanalizimet e nevojshme të ujërave të bardha e të zeza, me shtrimin e tubacioneve të rrjetit elektrik, të rrjetit të telefonisë në të dy anët e bulevardeve. Në tërë gjatësinë e tyre u vendos ndriçimi me drita neoni, që ishte gjë e rrallë për kohën. Veçori karakteristike që i japin një shije të veçantë qytetit, janë blirët e mbjellë në dy anët e bulevardeve. Blirët janë kënaqësia dhe bukuria më e madhe e qytetit. Kjo shëtitore, ose siç njihet “Bulevardi i Blinave”, është rrugë këmbësore, e gjatë rreth 600 metër e rrethuar me pemë bliri. Në dy anët e këtij bulevardi, janë vendosur institucionet kryesore, baret dhe restorantet, hotelet dhe pjesa tjetër e shërbimeve. Në muajin qershor, kur blinat çelin, ndjehet aroma karakteristike e tyre e cila është tepër e këndshme. Në shkurt të vitit 2016, përfundoi krasitja masive e blirëve në bulevardin kryesor, me qëllim që t’u rikthehet bukuria e tyre, pasi shihej si një domosdoshmëri biologjike. Shihet si nevojë urgjente gjetja e burimeve financiare për të ndjekur vazhdimësinë e vegjetimit të blirëve që janë krasitur, pasi në të kundërt pasojat do të ishin katastrofike. Gjatë verës së vitit 2016, nisën punimet për kthimin e bulevardit në pedonale, përfundimi i të cilës parashikohet të mbarojë në vitin 2017.