Sapo kalon Qafën e Buallit rrethohesh nga vargmale të lartë, ndërsa mes shtigjeve të udhëheq rruga drejt krahinës së Dibrës. Peshkopia është zemra e zonës, aty pulson jeta administrative dhe kulturore e dibranëve. Rruga për të eksploruar zonën është relativisht sfiduese, por po aq e bukur e plot supriza të rralla. Më poshtë, ju propozojmë 5 arsye pse duhet të vizitoni këtë krahinë.
1. Pazari i vjetër
Qyteti i Peshkopisë është zemra e të gjithë qarkut të Dibrës. Qyteti me vështirësi ka ruajtur strukturën e hershme të ndërtimtarisë të cilën më mirë se kudo e gjen në lagjen e vjetër të Peshkopisë, ndryshe quajtur “Pazari”. Dibranët janë ndërtues me nam në Shqipëri, por edhe shumë punëtorë. Në lagjen e vjetër mund të gjesh prodhime tradicionale të bëra me dorë apo prodhime bujqësore e blegtorale të patrajtuara me kimikate. Punimet me dorë të zejtarëve në moshë të ofrojnë punime të rralla të opingave apo shajakëve, coha që janë punuar nga dibranët për tu veshur në dimrat e ashpër, që mbulojnë krejt krahinën.
2. Festivali i Odës Dibrane
Krahina e Dibrës është provuar se ka gjalluar që në kohën e Bizantit. Rrënojat e qytetit të vjetër janë ende në kodrën përreth Peshkopisë. Kjo e fundit është e njohur për traditat në kulturë, gatimin tradicional, punimet me dorë, në ndërtimtari dhe në një aftësi të rrallë njerëzore siç është, mprehtësia e mendjes dibrane. Nga kjo krahinë e ka prejardhjen edhe Heroi Kombëtar Gjergj Kastrioti. Çdo vjeshtë të dytë e të tretë në Pallatin e Kulturës së qytetit organizohet “Oda Dibrane”, një aset i trashëgimisë kulturore dhe historike për të gjithë Shqipërinë. Gjatë ditëve të festivalit mund të sodisësh kostumet tradicionale të zonës. Një pasuri e madhe etnografike janë këngët dhe vallet të cilat u bashkohen ekspozitave fotografike, apo atyre me tematike nga artistët lokalë. Në Bulevardin kryesor të qytetit organizohen panairet dhe shfaqjet me tematikë nga kulinaria dibrane. Mos u largo nga Peshkopia pa provuar Jufkatose Sheqerparen dibrane!
Festivali i Odës Dibrane, Burimi: po.al
3. Tradita e Troftës në Dibër
Disa rezervate të mëdha të rritjes së troftës janë surpriza e rradhës në Dibër. Duke ndjekur rrugët që gjarpërojnë në luginat e thella të krahinës, paksa të gjata në distancë, arrin tek disa nga fermat më interesante të peshkut që nuk do i gjeje mes maleve. Basenet furnizohen nga ujërat natyralë të përrenjve të Drinit duke u dhënë habitatin e përshtatshëm rasatit të troftës që është edhe traditë e rigjetur në këtë krahinë. Trofta e rritur në kushte optimale është ushqimi i duhur pas një dite të gjatë kur je i ngopur nga panorama e maleve dhe luginave ndër to. Rritësit e troftës të japin mundësi të shijosh pluskimin e tyre në ujë, por edhe të zësh vetë peshkun që të duket i duhuri për një drekë kalorike.
4. Plazh dhe banjo dielli në Drinin e Zi
Nën këmbët e urës së Fushë-Muhurrit gjen plazhin me të njëjtin emër. Nga Peshkopia duhen vetëm 25 minuta për të shuar etjen e trupit nga vapa e stinës. Fëmijët janë më të lumturit, i sheh të kridhen në ujërat e Drinit të Zi që u jep dibranëve mundësi të kenë plazhin e tyre pa qenë nevoja të zbresin në jug apo perëndim të Shqipërisë. Ujërat e Drinit të Zi që kanë krijuar këtë plazh lumor janë të pastra e të freskëta por kujdes, duhet të dini të notoni. Ai mbetet gjthmonë lumë.
Drini i Zi, Dibër, Burimi: fr.wikiloc.com
5. Llixhat
Llixhat e Peshkopisë njihen prej kohësh për moshën e tyre shekullore. Ato u krijuan nga burimet e pasura termale në temperaturë deri 40 gradë celcius. Rrjedha është e pandryshuar gjatë gjithë vitit me një përmbajtje normale të gazit sulfuror. Trajtimet në llixhat e Dibrës kanë veti të veçanta rehabilituese. Ato ripërtërijnë indet, shërojnë sëmundjet reumatizmale apo infeksionet e lëkurës. Pranë llixhave dhe përreth tyre gjen shërbim hotelerik të kënaqshëm dhe sipas preferencave ekonomike, për këdo që sfidon aromën e squfurit dhe fiton shëndetin e mirë.
Nga: IntoAlbania