Emri i këngëtarit Haxhi Maqellara është i njohur në të gjitha trevat shqiptare. Haxhi Maqellara ka lindur më 11 Gusht të vitit 1953. Tani është në moshën 63 vjeçare dhe jeton në Amerikë. Haxhi Maqellara është i martuar dhe ka tre fëmijë; një djalë dhe dy vajza.
Intervistoi: Azem Osmani për DritarjaOnline
I nderuar Maqellara, ju jeni një këngëtar që keni bërë një karrierë të bujshme në të gjitha trevat shqiptare e më gjerë. Na tregoni kur keni filluar fillimisht ta vëreni talentin Tuaj për muzikë, dhe kur keni filluar pastaj të dilni në skenë?
Kam filluar të këndoj që në klasën e parë fillore, ndërsa në orkestër dhe si këngëtar u aktivizova në klasën e tetë dhe të parë të gjimnazit. Po atëherë u aktivizova dhe në radhët e SHKA “Liman Kaba” të Dibrës, pra si instrumentist, këngëtar, e më vonë si koreograf dhe udhëheqës artistik.
Keni lindur në Dibër të Madhe. Sa kohë keni jetuar atje, dhe ku keni vazhduar pastaj të jetoni, kronologjikisht deri në ditët e sotme?
Unë në Dibër të Madhe kam jetuar derisa mbarova gjimnazin dhe pastaj vendlindja ime e dytë u bënë Prishtina dhe Shkupi.
Na tregoni ju lutem, ku keni mbaruar shkollimin. Keni mësuar në ndonjë profesion tjetër apo shkollën e muzikës?
Jo, shkollë muzike nuk kam. Kam studiuar Mjekësinë, fillimisht në Prishtinë dhe pas vitit të parë e lash, sepse u punësova në Ansamblin “Shota” të Prishtinës, ku punova tre vjet. Më vonë u shpërngula në fakultetin e Mjekësisë në Shkup, ku dhe apsolvova, por nuk diplomova.
Kush ka qenë inspiruesi kryesor që ju të vazhdoni me muzikë deri në ditët e sotme për të kënaqur shpirtrat e adhuruesve të shumtë?
Mësuesi im i parë, i ndjeri Skënder Daci, për katër vite me radhë, vazhdimisht më detyronte të këndoj. Pastaj, në tetëvjeçare më mori në patronazh mësuesi i muzikës, tash më miku im Atli Qormemeti, të cilit i jam shumë mirënjohës. Ai i zbuloi gati të gjithë talentet dibranë. Më vonë, në gjimnaz bashkëpunova me kompozitorin e madh dibran, tash më të ndjerë, Prof. Musa Piperkun. Nën kujdesin e tij përparova shumë.
A mund të na i tregoni sfidat e kohës që ju kanë përcjellë gjatë karrierës suaj si këngëtar, duke e ditur se viteve të mëhershme gjatë kohës së ish-Jugosllavisë, shqiptarët në Maqedoni kanë qenë të shtypur, të margjinalizuar dhe të anatemuar, e sidomos kur ka qenë në pyetje kultura e kombit shqiptar?
Sfidat për ne shqiptarët e ish Jugosllavisë dhe ish Maqedonisë, kanë qenë të shumta, e sidomos për intelektualët dhe artistët. Ishim të persekutuar në çdo rrjedhë të jetës. Sidomos ne dibranët, sepse kishim dhe shoqërinë e parë kulturo-artistike. Megjithatë, vullneti dhe këmbëngulja e dibraneve, ishte e paparë dhe pushteti sllavo-komunist nuk i përballoi dot. Fillimisht, jepnim koncerte në qytetet shqiptare në Maqedoni e pastaj edhe në Kosovën Martire. Për herë të parë në Kosovë kam kënduar si i ri në vitin 1968.
Neve na kujtohen disa këngë të famshme që i kemi dëgjuar me ëndje, si për shembull: “Nana ime”, “Më pëlqen të jem ashik”, “Faleminderit moj Tiranë”, “Malli për Dibrën time”, “Të fala nga Kërçova”, “Lulëkuqja e Kosovës” e të tjera. Cilën nga këngët e keni kënduar më me shpirt?
Këngët e para qe i përmendët, janë të viteve të fundit. Kënga ime më e dashur është “LULËKUQJA E KOSOVËS”. Pastaj vinë të tjerat si, “Të faleminderit moj Tiranë”, “Nana ime” etj.
Çfarë ndjenje është kur edhe sot e kësaj dite i dëgjon adhuruesit Tuaj duke i kërkuar dhe dëgjuar këngët Tuaja që kanë bërë emër dhe histori?
Nuk ka ndjenjë më të bukur për këngëtarin dhe artistin, kur të përkujtojnë me respekt adhuruesit. Ajo tregon se je gjallë dhe je në mesin e tyre.
Në cilat treva shqiptare duke mos e përjashtuar edhe Diasporën, që keni kënduar, jeni ndier më mirë, dhe ku mendoni që keni pasur adhurues më të shumtë?
Më së miri jam ndjerë gjithmonë në Kosovën Martire. Kohëve të fundit edhe në Tiranë ku kam korrur sukses me këngët e fundit. Kuptohet, nuk e përjashtoj edhe Diasporën ku jetoj për 27 vite.
A jeni duke u marrë ende me këndim. Nëse po, ku gjendet skena Juaj?
Unë vazhdoj të këndoj dhe jam shumë mirë me zë. Skena ime janë dasmat dhe këndimi në festa kombëtare dhe për vit të ri.
Ju jeni edhe tekstshkrues i këngëve dhe kompozitor. Na tregoni diçka nga përshtypjet Tuaja, lidhur me këto dy profesione, që lidhen këmbë e krye me këngën?
Mirë e thatë, teksti dhe muzika janë të lidhura këmbë e krye me njëra tjetrën. Si për tekstin, ashtu edhe për muzikën, bëj kujdes të veçantë. Teksti duhet patjetër të ketë porosi edukative për brezin e ri, ndërsa muzika, në çdo notë të saj, të jetë shqiptare.
Këngëtar, kompozitor, tekstshkrues i këngëve; nga ju vjen gjithë kjo energji, dhe cilës nga to i keni kushtuar më shumë mund, atëherë dhe tani?
Që të triave, sepse janë të lidhura, siç e thatë edhe ju, shumë ngushtë me njëra tjetrën.
Tani jetoni në Amerikë. A mund të na tregoni disa fletëza jete nga Amerika, për jetën familjare dhe profesionale?
Siç e dini dhe ju, unë kam tre fëmijë, një djalë dhe dy vajza. Djali dhe vajza e madhe janë martuar dhe tani kam dy nipër nga djali dhe një mbesë nga vajza. Të tre kanë mbaruar fakultet dhe janë konsoliduar mirë. Unë, si shumë shqiptarë, jam me fat që jetoj në këtë shtet të bekuar nga Zoti i Madh. Jeta këtu është e vështirë dhe duhet të vraposh për të mbijetuar. Më me dëshire do jetoja në Dibër, Prishtinë apo Tiranë. Por kështu qenka shkruar.
A keni për fund ndonjë gjë që ju flenë në shpirt ta thoni, nga ajo që ne nuk kemi arritur t’iu pyesim?
Ju falënderoj nga zemra për intervistën dhe ju uroj shëndetin e mirëfillte në këtë botë të trazuar. Uroj me zemër që situata politike dhe ekonomike të përmirësohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në të gjitha trojet shqiptare. Uroj gjithashtu që këngëtarët e rinj, të këndojnë SHQIP, ndërsa këngëtaret të mos bëjnë videoklipe gjysmë lakuriq, të shtrira dhe me rroba banjo. Ashtu humbim identitetin kombëtar…
/DritarjaOnline