Ishte njeriu i momentit te Partizani, me golat e shënuar që prej transferimit në Janar, por pikërisht Xhuliano Skuka gaboi penalltinë e vetme në “Loro Boriçi”, duke i dhënë mundësi Vllaznisë të avancojë në finalen e Kupës së Shqipërisë.
Sulmuesi dibran i “të kuqve” shkoi i pari te pika e bardhë, por malazezi Zogoviç i kuptoi krahun dhe e grushtoi mirë topin, ndërsa deri në fund ia dolën të shënojnë të 9 futbollistët e tjerë, me Vllazninë që kaloi në finale falë suksesit 5-4.
Menjëherë pas penalltisë vendimtare të Latifit, në kampin shkodran shpërtheu festa, ndërsa Skuka shpërtheu në lot, ndonëse menjëherë iu afruan shokët e skuadrës për ta ngushëlluar dhe për t’i dhënë zemër.
Edhe pas disa minutash, sulmuesi i “të kuqve” u pa i shkëputur nga shokët e skuadrës dhe në lot për atë penallti që i kushtoi Partizanit eliminimin nga Kupa e Shqipërisë.
Me dëshpërimin e Skukës u solidarizuan edhe futbollistët e stafi i Vllaznisë, që shkuan t’i japin zemër e ta ngushëllojnë para se të vijonin festën për kalimin në finale.