Nga Edmond Zhulali
Njeri i urtë e i mënçur, që mirësinë e tij e shprehte me buzëqeshjen e ngrohtë e të përhershme…I tillë ka mbetur në kujtesën time dhe të gjithë atyre që e kanë njohur Hazis Ndreun, mjeshtër i madh i fjalës dhe i veprës. Zgjuarsia dibrane, maturia, dashuria për njerëzit, sakrifica, patriotizmi e shumë veti të tjera, rrezatuan gjatë gjithë jetës në shpirtin e këtij njeriu dhe artisti të madh. Ai qe njeriu që e dashuroi folklorin e jashtëzakonshëm dibran dhe ndoshta i vetmi që e sfidoi atë në të gjithë elementët e tij, që nga kënga e çiftelia, vallja e koreografia, krijimtaria e alegoria dibrane, etnografia e historia. Finesa e hollë e krijimtarisë dhe interpretimit të tij valëzohet nga zëri i tij në vallen e burrave, nga çiftelia në vargun plot zgjuarsi. Në doni të prekni Dibrën në një pikë të vetme, prekeni Hazizin dhe do të ndjeni ç’është magjia e folklorit dibran.
Muzika dibrane është e veçantë për melodinë e bukur dhe të këndshme, por do të veçoja këngën epike dibrane, që si askund tjetër është e gërshetuar me një lirikë të thellë që e bën atë të spikatur dhe të paharruar për të gjithë ata që e dëgjojnë. I tillë ishte dhe zëri i Hazis Ndreut, melodioz, i fortë që depërton në çdo tingull e në çdo fjalë, në çdo shpirt njerëzor. Teknika e interpretimit vokal harmonizohej mjeshtërisht me gishtat që luanin mbi telat e çiftelisë, duke u bërë të pandashme në podet e veçanta të Dibrës. Këngët e Hajredin Pashës, “Vijnë pamporrat”, Elez Isufit, Lam Dacit etj., të interpretuara nga Hazis Ndreu janë pasqyra më e mirë e melizmave dhe e traditës së pashtershme dibrane. Kur dëgjon këto interpretime me pianissmot, kreshendot, ndryshimet timbrike vokale, të shkon mendja se ai ka studiuar në konservatoret më të mira të botës.
Hazizi mori pjesë në shumë aktivitete kombëtare jashtë vendit, duke marrë gjithmonë duartrokitjet e publikut dhe duke qenë gjithmonë nën vështrimin e studiuesve të folklorit, të cilët befasoheshin nga interpretimet e papërsëritshme të tij. Kur para disa kohësh m’u dha mundësia për të dëgjuar disa interpretime të vjetra të tij, mendova që nuk e paskam njohur mirë Hazis Ndreun, e sa herë që diskutoj me kolegët e mi ju tregoj me krenari këto interpretime. Interpretimi dhe krijimtaria e tij u bënë shembull për këngëtarët e rinj që e pasuan atë denjësisht si Arif Vladi, Lirie Rasha, Shaje Poleshi, Qerim Sula, Vera Laçi etj. Ai vërtetoi se, “shkolla e famshme e Dibrës” nuk mbaron tek mençuria, por vazhdon tek melodia dibrane dhe zëri i tij. Haziz Ndreu me kontributin e tij do të radhitet krahas figurave më të mëdha të folklorit dibran dhe atij kombëtar. Vlerat e tij të padiskutueshme do të jenë gjithmonë bashkëudhëtare të jetës tonë drejt të ardhmes.
RD