Hajri Begu mesuesi, drejtuesi dhe kuadri korrekt ne institucionet shteterore

0 0
Read Time:6 Minute, 34 Second

Këtë herë duam t’ju paraqesim një shkrim kushtuar z.Hajri Begu, njërit nga intelektualët dhe qytetarët më të respektuar të qytetit të Peshkopisë. Hajriu ka një prejardhje familjare për t’u mburrur. Babai i tij ishte ndër njerëzit më të respektuar të moshës së vet. Dajat e tij kanë mbajtur mbi kurriz luftën e egër të klasave të sistemit të kaluar, si “armiq të Partisë”. Vetë, në ecje, në qëndrime, në punë, në komunikim rrezaton mirësjellje dhe mirësi. Flet qetë-qetë, ecën qetë, mendimi i tij është i argumentuar, respekton këdo dhe merr prej kujtdo edhe ai respektin e merituar. Hajriu bën pjesë jo vetëm tek profesionistët e zotë, por dhe te aktivistët e dalluar shoqëror dhe te nëpunësit e lartë të Dibrës, me sjellje e qëndrime korrekte. Nuk do ta tepronim nëse do të thoshim se i ka shokët e rrallë. Ndaj, në shenjë mirënjohje për të, po shkruajme këto pak radhë.

U lind në Vakuf, më 19.2.1949. Është banor i qytetit të Peshkopisë.
Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e lindjes( 1956-1960), me rezultate shumë të mira. Shkollën 7-vjeçare e kreu në vitet 1960-1963, në shkollën “Demir Gashi, në Peshkopi, duke qëndruar në konviktin e shkollës se mesme pedagogjike. Ka kryer në shkollën e mesme pedagogjike “Shejnaze Juka”, Shkodër, në vitet 1963-1967, me rezultate shumë të mira, duke marrë diplomën me titullimin “Mësues i shkollës fillore”.
Ka mbaruar Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Bio-Kimi, në vitet 1968-1972, në sistemin me shkëputje nga puna, me rezultate shumë të mira, me titullimin në dioplomë “Mësues i biologjisë dhe kimisë në shkollat e mesme”.
Në sajë të rezultateve të studimeve, mbledhja e përbashkët e profesoratit dhe e studentëve të kursit, që u zhvillua në maj të vitit 1972, e propozoi si kandidaturën e vetme të kursit për pedagog pranë këtij fakulteti. 
Pas mbarimit të shkollës së mesme pedagogjike, një vit, në vitin shkollor 1967-68, punoi mësues në shkollën 8-vjeçare “Nexhat Agolli”, Muhurr, ne ciklin e lartë, ku dha lëndë të ndryshme si matematikë, kimi, biologji, gjeografi e edukim fizik.
Pas mbarimit të studimeve të larta, dhe kryerjes se zborit ushtarak pasuniversitar 4-mujor (shtator-dhjetor 1972), ka punuar :
Karrierën e ka nisur si mësues në shkollën e mesme të përgjithshme të Peshkopisë, 1.1.1973 – 30.11.1973, ku dha lëndët kimi dhe biologji. 
Si metodist, në Kabinetin Pedagogjik, pranë seksionit të arsimit e kulturës të rrethit Dibër : ka punuar në periudhën 1.12.1973 – 30.4.1975, deri në mbylljen e përkohshme të tij. 
Në periudhën e mbetur të vitit shkollor maj-qershor 1975, u komandua mësues zëvendësues në shkollën 8-vjeçare, Vakuf.
Më pas, u rikthye mësues në gjimnazin e Peshkopisë, ku punoi në periudhën : 16.8.1975 – 31.08.1977, dhe kryesisht dha lëndën e kimisë.
Në vitet 1973-1977, krahas punës si mësues në Gjimnaz, e metodist Kabineti Pedagogjik, ka qenë edhe pedagog i jashtëm në Filialin e Universitetit të Tiranës dhe Institutit Bujqësor të Tiranës, në Peshkopi, ku dha lëndët e kimisë së përgjithshme, inorganike e organike.
Këto vite, si edhe 10 vite më pas, Universiteti Tiranës dhe Universiteti i Shkodrës, çdo vit sillnin pranë Komitetit Ekzekutiv kërkesa, me anë të të cilave e kërkonin për pedagog efektiv, por, me shpjegimin se “kemi nevojë për mësues në rrethin tonë”, institucionet vendore të Dibrës nuk e lejuan. 
Në fakt nomenklatura kishte arsye të tjera, biografike, sepse, në tetor të vitit 1976, pas plenumeve famëkeqe të PPSH-së dhe të ashpërsimit të luftës së klasave, gjyshin nga nëna, me konjukturat politike të kohës, e demaskuan, e dënuan, e shpallën armik të pushtetit. Kjo gjë, per të solli largimin edhe nga Peshkopia, por duke mos dalë hapur, gjoja “me ngritje ne përgjegjësi”, e emëruan drejtor shkolle, në shkollën e mesme të bashkuar “Dom Nikollë Kaçorri” Fushë-Lurë nga 1.9.1977 deri më 30.8.1981.
Ndërkohë, tre vëllezërve të tij, Hazizit, Halilit e Fadilit, që kishin mbaruar gjimnazin me rezultate të shkëlqyera, edhe pas kryerjes së stazhit 1-vjeçar në minierën e Bulqizës, nuk iu dha e drejta për të vazhduar shkollën e lartë, por mbeten punëtorë në fermë, kryen edhe shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ata i kryen studimet e larta vonë, në vitet kur diktatura po jepte shpirt.
Ne vitin shkollor 1977-1978, pas shumë mundimesh, realizoi hapjen e klasës së parë të shkollës së mesme bujqësore me shkëputje nga puna. Në Lurë qëndroi 4 vjet, deri sa mbaroi matura e parë e shkollës së mesme. 
Në periudhën 31.8. 1981- 31.8.1990, punoi drejtor shkolle, në shkollën e mesme “Myslim Shyri”, Fushë-Çidhën. Tre vitet e para mbulonte edhe shkollën 8-vjeçare, pastaj vetëm shkollën e mesme. Shkolla e mesme ishte e profilit zooveterinari, e cila, më vonë u kthye në gjimnaz. Në këtë periudhë, kjo shkollë ishte ndër më të dalluarat në rreth. Kjo solli që edhe puna e tij të vlerësohej. Në vitin 1985, nga Ministria e Arsimit iu dha distinktivi ”Mësues i Dalluar”, ndërsa në vitin 1987, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor iu akordua Medalja “Naim Frashëri”.
Në vitin 1995, Këshilli i Rrethit Dibër e propozoi për ta dekoruar me Urdhrin “Naim Frashëri të Klasit të Parë”, por për arsye burokratike dekorimi nuk u realizua.
Nga 1.9.1990 deri 31.8.1991, ka punuar si mësues në shkollën e mesme Kastriot.
Nga 1.9.1991 deri 15.1.1993, ka punuar si drejtor i Shkollës së Mesme Kastriot.
Nga 16.1.1993 deri 10.6.1994, ka punuar si përgjegjës i Zyrës Arsimore pranë Këshillit të Rrethit Dibër, deri sa kjo zyre u suprimua. Këtë periudhë punoi për zbatimin e ligjshmërisë në fushën e arsimit dhe përballimit të problemeve ekonomike të arsimit ne rreth. 
Nga 1.8.1994 deri 15.9.1995, ka punuar si inspektor në Drejtorinë Arsimore Rajonale Dibër.
Nga 16.9.1995 deri ne tetor 1997, ka punuar si kryetar i Degës së Shërbimit Informativ Kombëtar për Qarkun Dibër. Megjithëse ishte një periudhë e përfshirë nga trazira, gjatë kësaj periudhe të shkurtër punoi me korrektësi për zbatimin e detyrave, që i ngarkonte ligji atij institucioni.
Në periudhën nga 9.3.1998 – 15.10.1998, ka punuar si mësues në shkollën 8-vjeçare të fshatit Grevë.
Në periudhën nga 16.10.1998 deri 2.6.2006, ka punuar si mësues kimie në gjimnazin “Seit Najdeni”, Peshkopi. 
Gjatë viteve që punoi në arsim, në afatet normale, pas shumë kurseve, trajnimeve, seminareve, studimeve etj, arriti në Shkallen e Parë të Kualifikimit si mësues i kimisë në shkollën e mesme.
Në periudhën nga 3.6.2006 e deri me 30.11. 2013, kreu detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm pranë Institucionit të Prefektit të Qarkut Dibër, ku, në vazhdimësi nga Prefekti dhe Ministria e Brendshme, si ministri e linjës, puna e tij u vlerësua maksimalisht. 
Në vitet 2007, 2008 dhe 2009, ka dhënë lëndët kimi organike dhe biokimi në Filialin e Universitetit Amerikan, Medikom në Peshkopi.
Në vitin 2009, kam dhënë lëndën e biokimisë në Filialin e Universitetit “Kristal” në Peshkopi.
Njeh gjuhët e huaja: anglisht, frëngjisht dhe rusisht. 
Ndërkohë, ka bashkëpunuar me SNV, në Dibër, për kryerjen e studimit të bimëve
mjekësore dhe etero – vajore spontane të rrethit Dibër.
Gjatë punës në institucionet, që përmendëm në lartë, ka marre pjese edhe në shumë trajnime e seminare kombëtare e ndërkombëtare.
Si rezultat i vlerësimeve të larta për punën e tij në fushën e arsimit, Këshilli Bashkiak i Peshkopisë, me vendim Nr.18, datë 27.4.2015, vendosi dhënien e titullit “Nderi i Arsimit” për z. Hajri Begu, me motivacion : ”Për kontribut të shquar në konsolidimin e arsimit në Dibër, në përhapjen e përvojes së përparuar pedagogjike e shkencore, dije të cilat janë ngjitur në kujtesën e brezave të tërë në Peshkopi e më gjerë”.

Nga:Fatos DACI,GazetaDibra                      DibraOn.Com

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %