Peshkopia është qendër administrative e rrethit dhe e qarkut të Dibrës, me një popullsi prej 19154 banorësh. Ka pozitë mjaft të favorshme gjeografike, rrethohet nga të gjitha anët me fshatra që bëjnë të mundur furnizimin e qytetit me ushqime të freskëta dhe natyrale. Ajo përbëhet nga hotele, restorante dhe bare të shumta dhe cilësore, organizohen panairet dhe festat tradicionale të zonës, ekzistojnë degë të shkollave të mesme profesionale, objekte kulti si xhami apo teqe, lidhje tregtare me Maqedoninë dhe me Dibrën e Madhe, ambiente sportive si pallat sporti, stadium, palestra etj. Këtu janë të përqendruara aktivitetet dhe institucionet kryesore shtetërore, arsimore, shëndetësore, ekonomike, historike, kulturore, sportive, politike etj. Qyteti i Peshkopisë ofron mundësi të shumta për turistët.
Ujërat termale të Peshkopisë ndodhen rreth 1.5 kilometër larg qytetit të Peshkopisë, në pjesën lindore të tij. Temperatura e tyre luhatet 35ºC-43.5ºC dhe me prurje 14 litër në sekondë që burojnë nga gjipset e Korabit. Ujërat përmbajnë 600 mg/l H2S dhe 3800-4500 mg/l lëndë minerale. Burojnë aty ku gjipset zhyten nën nivelin e zonës së qarkullimit të lirë të ujit, nën presionin e ujit ku vërehet prania e H2S. Këto burime paraqesin mjaft vlera kuruese duke u rekomanduar për një numër të konsiderueshëm sëmundjesh si ato të lëkurës, aparatit tretës, gjenetike etj.
Bulevardi i Blinave. Në vitin 1967 nisi puna për ndërtimin e bulevardit kryesor të qytetit, u zgjeruan rrugët dhe u shtruan trotuaret sipas një plani rregullues të detajuar me kujdes dhe me parametra teknike optimalë, me kanalizimet e nevojshme të ujërave të bardha e të zeza, me shtrimin e tubacioneve të rrjetit elektrik, të rrjetit të telefonisë në të dy anët e bulevardeve. Në tërë gjatësinë e tyre u vendos ndriçimi me drita neoni, që ishte gjë e rrallë për kohën. Veçori karakteristike që i japin një shije të veçantë qytetit, janë blirët e mbjellë në dy anët e bulevardeve. Blirët janë kënaqësia dhe bukuria më e madhe e qytetit. Kjo shëtitore, ose siç njihet “Bulevardi i Blinave”, është rrugë këmbësore, e gjatë rreth 600 metër e rrethuar me pemë bliri. Në dy anët e këtij bulevardi, janë vendosur institucionet kryesore, baret dhe restorantet, hotelet dhe pjesa tjetër e shërbimeve. Në muajin qershor, kur blinat çelin, ndjehet aroma karakteristike e tyre e cila është tepër e këndshme. Në shkurt të vitit 2016, përfundoi krasitja masive e blirëve në bulevardin kryesor, me qëllim që t’u rikthehet bukuria e tyre, pasi shihej si një domosdoshmëri biologjike. Shihet si nevojë urgjente gjetja e burimeve financiare për të ndjekur vazhdimësinë e vegjetimit të blirëve që janë krasitur, pasi në të kundërt pasojat do të ishin katastrofike. Gjatë verës së vitit 2016, nisën punimet për kthimin e bulevardit në pedonale, përfundimi i të cilës parashikohet të mbarojë në vitin 2017.
Muzeu i Dibrës është krijuar dhe funksionon si institucion që nga viti 1964, në fillim si një pavion dhe në vitet në vazhdim duke u zgjeruar. Muzeu ka rreth 2000 objekte me mjaft vlera, disa prej të cilave janë shumë të rralla duke filluar nga ato arkeologjike, si vegla pune stralli, enë të ndryshme prej balte, armë zjarri, shpata, objekte personale të figurave historike dhe një pasuri të madhe etnografike, që nga objekte blegtorale, bujqësore, të kuzhinës dhe deri te veshjet e llojeve të ndryshme të krahinave të Dibrës. Rreth 80 % e këtyre objekteve që ndodhen në mjediset e këtij muzeu janë origjinale. Muzeu ndodhet në qendër të qytetit të Peshkopisë, rreth 30 metër larg bulevardit kryesor. Përbëhet nga pavioni i historisë, arkeologjisë dhe etnografisë, që pasqyrojnë gjithë historinë dhe kulturën materiale e shpirtërore të Dibrës nga neoloiti i hershëm, deri në ditët tona. Në muze janë të ekspozuar dhe figura të shquara, atdhetare dibrane si: kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit-Iliaz Pashë Dibra, kryetari i Pleqësisë të Kuvendit të Vlorës-Haxhi Vehbi Dibra (Agolli), nënkyetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës-Dom Nikollë Kaçorri, luftëtarë dhe udhëheqës të kryengritjeve popullore dibrane, që luftuan për autonomi, pavarësi e liri kombëtare.
Pallati i Kulturës. Puna për ndërtimin e Pallatit të Kulturës në Peshkopi ka filluar nga Ndërmarrja e Ndërtimit në vitin 1988 dhe përfundoi në dhjetor të vitit 2002. Ndërtesa që njihet ndryshe si QEK-u (Qendra e Edukimit dhe Komunikimit), e filloi veprimtarinë në prill të vitit 2002 me vendim të Këshillit Bashkiak të Peshkopisë. Pranë këtij pallati ushtron aktivitetin e saj edhe Drejtoria e Qendrës Kulturore. Kjo drejtori ka në administrimin e saj Teatrin, Ansamblin, Muzeun dhe Estradën. Ky pallat është një godinë madhështore me arkitekturë shumë të bukur dhe funksionale, ku kryhen aktivitetet kryesore kulturore, ekonomike, politike, takime të ndryshme etj. Gjithashtu këtu gjendet salla e konferencave, qendra rekreative për të moshuarit, zyra e informacionit turistik si dhe biblioteka e qytetit.
Lagjja “Treg” ndodhet në hyrje të qytetit të Peshkopisë, afër përroit të Llixhave. Është lagjja e vetme në të cilën nuk janë bërë ndërtime dhe banesat paraqiten në gjendjen e tyre origjinale. Karakteristike janë shtëpitë një ose dykatëshe, të ndërtuara kryesisht me gurë dhe rrugët e shtruara me kalldrën. Me pak investime, mund të kthehet në një destinacion mjaft të preferuar për turistët.
Gradishta e Begjunevit. Ky objekt arkeologjik ndodhet në rrethinën juglindore të qytetit të Peshkopisë, në një kodër shkëmbore me lartësi 698 metër mbi nivelin e detit, midis fshatit Begjunec në jug dhe përroit të Banjës në veri. Kodra ku gjendet kalaja, e njohur me emrin “gradishtë”, ka një pozitë mjaft strategjike dhe dominante mbi zonën përreth. Sipërfaqja e saj me prerje eliptike edhe orientim lindje-perëndim, bie mbi shpate të pjerrëta e shkëmbore nga jugu dhe nga veriu. Nga sipërfaqja e saj realizohej kontrolli i plotë vizual i të gjithë pellgut të Peshkopisë. Sipërfaqja e kalasë me diametër lindje-perëndim 250 metër dhe atë veri-jug arrin në mbi 1.2 hektarë. Sipas gërmimeve të para me karakter sondazhi të kryera këtu, rezulton se kjo kala është e banuar në tri periudha të ndryshme, të lidhura përkatësisht me periudhën e vonë të bronzit dhe atë të hershme të hekurit, me periudhën e vonë antike si dhe me atë mesjetare.
Banesa e Vehap Isakut dhe Ramadan Hysës është objekt trekatësh i ndërtuar me gurë, llaç gëlqereje, shtuf dhe breza druri. Hyrja në katin e parë bëhet nëpërmjet tre portave në formë harku. Ndodhet në lagjen “Treg” në qytetin e Peshkopisë. Para vitit 1991 kjo banesë ka qenë muze etnografik.
Përmendoret. Duke qenë se Dibra ka pasur figura të shquara në periudha të ndryshme historike, e kryesisht nëpër luftëra, në qytet janë ndërtuar përmendoret e disa nga figurave më të shquara dibrane. Shumica e tyre janë vendosur në dy anët e bulevardit “Elez Isufi” edhe pse është i gjatë më pak se 600 metër. Në qendër të qytetit ndodhet busti i heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, ku sipas të dhënave të shumta është me origjinë nga Sina e Dibrës, vend në të cilin ndodhet edhe Muzeu i Kastriotëve. Gjithashtu gjenden edhe bustet e figurave të tjera si Dom Nikoll Kaçorrinën kryetar i Qeverisë së Vlorës në vitin 1912, Haxhi Vehbi Dibrakryetar parlamenti në Qeverinë e Vlorës, Elez Isufi, Iliaz Pashë Qoku, Isuf Bej Karahasani, Halil Alia etj, të cilët janë dalluar nëpër betejat që kanë zhvilluar në periudha të ndryshme historike. Gjithashtu në vitin 2015 është ndërtuar edhe një përmendore në kujtim të viktimave të rëna gjatë regjimit komunist./ Shendeti.com.al
Materialet e publikuara në këtë faqe janë pjesë e projektit “Ruajtja dhe Menaxhimi i Monumenteve të Natyrës në Bashkinë e Dibrës, një Faktor Potencial për Zhvillim”, i cili zbatohet nga organizata “Instituti për Kërkim dhe Zhvillim Barleti” në kuadër të projektit ACHIEVE “Shoqëria civile Shqiptare për një mjedis Europian”