Brenda pesë viteve, poeti dhe publicist i njohur Sakip Cami ka botuar dy libra të të njejtit profil, në të cilët rrëfehet mjeshtërisht filozofia popullore dibrane. “Rrëfime popullore dibrane” (2006) dhe “Dibra nëpërmjet këngëve dhe tregimeve të popullit” (2010) janë dy libra të vyer që përcjellin tek lexuesi visare të Dibrës. Në këto dy libra gjen mishërim sentenca “Atdheu nis nga familja”. Mjafton për këtë qoftë dhe kushtimi i dy vëllimeve prindërve të tij, Ukë A.Cami dhe Razie Cami (Hasa), nga goja e të cilëve (siç shprehet vetë autori) ka dëgjuar shumicën e këtyre rrëfimeve. Në këto rrëfime, ndonëse përçohen nga alegoria therëse, s’është e vështirë të dallosh mirëbërësinë e bujarinë e dibranëve, autoritetin moral e shipërtëror, traditën e mikëpritjes, por dhe zgjuarsinë, inteligjencën dhe mençurinë e dibranëve nëpër shekuj. Këto, cilësi, më mirë se askush tjetër i ka mbledhur, perceptuar dhe pasqyruar realisht në këto dy libra, dibrani i mirë dhe i talentuar Sakip Cami, autor i disa librave me poezi, monografi, publicistikë, fabula e satira. E ka bërë këtë, duke qëmtuar e hulumtuar nëpër dasma e morte, në kuvende, në ceremoni fejesash e lindjesh, ku shpaloset mençuria e famshme, po dhe ajo që quhet “alegoria dibrane”. Dallohen fare qartë këto, qoftë dhe vetëm në rrëfimin me titull “Gjëmon Korabi or babë”, ku përçohet ideja se mali më i lartë i atdheut tonë gjëmon vetëm kur ka ka luftë të madhe me shumë krajla?! Më tej, rrëfimi me titull: “O Muharrem Aga, shyqyr që të vdiq baba”, në pak rreshta sinteizon ligjin e jetës, barazinë e gjallesave para Zotit, si në fragmentin: “…jetën e ka në dorë Zoti, por po të kishte shpëtue baba i Bajraktarit, na të tjerët nuk kishim ma vend prej baballarëve tanë. “E patë, Muharrem Aga e shnoshi babën në Austri, ndërsa ju na leni me vdekë”, do na thoshin…”
Gjejmë në këto rrëfime gjithashtu ballafaqimin me vështirësitë e jetës, por dhe guximin e trimërinë për përballimin e tyre. Kjo më së miri konstatohet në rrëfimet me titull: “Me këto para që punoj e fitoj unë ushqehem, laj borxhet e jap pare me fajde”; “Asgjë nuk vjen nga oxhaku”, “Kush ka kohë të pijë kafen time” etj.
Një vend të veçantë në këto dy vëllime zë filozofia popullore e përçuar nga goja e burrave të mençur e të urtë dibranë, siç mund të veçojmë filozofin popullor Dine Hoxha, të cilin e kanë quajtur Dekan i “Universitetit të Dibrës”, “Sokrati i Dibrës”, “Profesori i alegorisë dibrane”, sepse atë e njihte mbarë Shqipëria. Vetë mbreti Zog e kishte këshilltarin e vet. Ai ishte nga Muhurri, i konsideruar si “Djepi i urtësisë së Nëntë maleve të Dibrës”, pikërisht pse lindi e rriti burra të tillë të shquar si Dine Hoxha e paraardhësit e tij Kurt, Nel e Hazis Hoxha. Filozofia e këtij mëndje kandarfloriri jepet qoftë dhe në rrëfimin me titull “Dine Hoxha dhe latifondisti francez”. Është koha kur një pronar i madh tokash nga Franca vjen në Shqipëri për të takuar Dine Hoxhën që ta pyeste për mend lidhur me shqetësimin e tij që konsistonte në sekuestrimin e qindra hektarëve tokë pronë e tij, nga qeveria franceze. Dhe përgjigja e Dine Hoxhës ishte: “Dëgjo or mik, mos u ngatërro me qeverinë për punën e tokës. As me qeverinë dhe me asnjë njeri. Sakllam, sakllam, çdo njeri ka të vetat vetëm dy metra katror tokë, ndërsa ti ai i ke, apo s’i ke nuk e di!”.
Sipas etnologut të njohur Mark Tirta, është mjaft domethënëse formula e mirënjohur e proverbiale që thotë se “Mendja”, “Urtia” ka le në Dibër…
Fjala dhe kuvendi i dibranit shquhet për mendjemprehtësi e lakonizëm, për peshë mendimi, për sinqeritet e dashamirësi, por dhe për këmbëngulje e qëndresë imponuese, bindëse. Më mirë se kudo tjetër këtë e ndeshim tek libri i S.Camit “Dibra nëpërmjet këngeve dhe tregimeve të popullit”. Aty gjejmë “Mesele dibrane”, “Histori”, “Rite, zakone dhe traditë”. “Tregime brenda dhomës dibrane”…gjejmë historinë e Dibrës nëpërmjet këngëve të vjetra popullore, por dhe nëpërmjet dokumentave. I kompozuar kësisoj “Dibra nëpërmjet këngeve dhe tregimeve të popullit” është një sinetzë e mençurisë, urtësisë dhe filozofisë dibrane. Ai është i mbushur plot me visare të çmuara. Me mjeshtri të rrrallë, Sakip Cami ka ngritur në art odën dibrane që është quajtur “Universiteti i Dibrës”, atëhere kur në Shqipëri nuk kishte as shkolla fillore. Madje siç shprehet recensenti, Hajri Mandri në paarthënjen e këtij libri : “Mendimi filozofik dhe mendimi estetik, në odat e Dibrës, transmentonin që nga e kaluara e herëshme, mesazhet përmes një forme origjinale. Këto janë rrëfenjat (tregime), ose siç u thotë populli “meselet”, të cilat, për nga gjuha, kompozicioni, simboli dhe alegoria, humori dhe ironia, hiperbolat dhe litotat, u shndrruan në një platformë komunikimi për dibranët ose në një “shkollë” ku shpaloseshin idealet socialestetike, qëndrimet moralizuese e didaktike, rreth jetës e vdekjes, rreth familjes e integritetit të saj”. Pikërisht mbi këtë shtrat ndërtohen dhe librat e S.Camit “Rrëfime popullore dibrane” dhe “Dibra nëpërmjet këngëve dhe tregimeve të popullit”, ku brenda një tematike shumë të gjerë dhe të larmishme rrëfehet tradita, historia dhe heronjtë e Dibrës, por dhe ngjarje të ditës, të lidhura nushtë me politiken, ekonominë e sjelljen e njerëzve në rrethana të caktuara. Në këto rrëfenja gjejmë fjalën dhe kuvendin e dibranit të shquara për mendjemprehtësi e lakonizëm, për peshë mendimi, për sinqeritet e dashamirësi, por dhe për këmbëngulje e qëndresë imponuese, bindëse. Si askush tjetër, Sakip Cami në këto dy libra refkekton zgjuarsinë dibrane, maturinë e burrave të mençur te Dibrës, dashurinë për njerëzit, sakrificat, patriotizmin e shumë veti të tjera të çmuara.
arkivalajmeve.com