Nga Alban Tufa
Ditën e nesërme, pra më 23 gusht, në vendin ku unë u linda dhe u rrita, është paraparë nga Bashkia Peshkopi, të festohet dita e çlirimit (e shkruaj me të vogla sepse asnjë rregull parimor apo gramatik nuk më obligon ta shkruaj me të madhe). Ose thënë më sakt do të festohet dita e pushtimi nga terrori komunist, i cili edhe sot ka lënë pasojat dhe gjurmët e veta, bash si kjo festa e nesërme.
E marr këtë pozicion mbrojtjeje për tre arsye: së pari sepse kam një prejardhje antikomuniste, së dyti, sepse nuk më pëlqen aspak patetizmi, servilizmi dhe aq më pak euforia komuniste dhe së treti, jam dibran dhe kam gjithë të drejtën të jap mendimin tim (dhe jo vetëm mbi këtë festë e të tjera çështje).
Tashti për ta ftillkuar sado pak muhabetin do përmendim disa nga fiset dibrane antikomuniste që janë: Ndretë, Kaloshët, Alijet e të tjerë. Kur Halil Alija (bashkëkohës i Enverit), iu shpjegonte çidhnakëve se ç’është komunizmi ju tha ndër të tjera se komunizmi do iu’a merrte edhe gratë në shtrat dhe në fakt ashtu ndodhi. Me këtë Halil që i bëri ballë komunizmit edhe me jetën e vet, u mburr e gjithë Dibra mbarë (por jo komunistët) dhe para ca vitesh i bënë një bust mu bash në mesin e qytetit. Ndërsa unë sa herë kaloj, e shoh gjithë qesendi dhe them me vete: “Ah more i shkretë, i zgjuari dhe i drejti e ha gjithmonë.”
Tashti, le ta kapërcejmë llafin diku tjetër, tek vetë festa. Kjo festë quhet “Festa e Çlirimit të Peshkopisë” e cila sipas historiografisë socialiste, thotë që Peshkopia u çlirua nga pushtuesi gjerman më 23 gusht 1944. Ndërsa studiuesi dhe historiani Uran Butka, nga dëshmitë e marra, thotë se në Peshkopi nuk ka patur këmbë gjermani, sepse Dibra udhëhiqej nga familjet më me emër (që përmendëm) të asaj kohe, ose më sakt, nuk u vra asnjë kokë gjermani. Kështu tregonte dhe im gjysh, që atë kohë ka qenë mbi 8 vjeç. Nga këtu, mund të themi fare lehtë se nuk ishte festa e çlirimit, por ora e pushtimit, i cili mandej e mbajti Dibrën ( dhe Shqipërinë) nën tutjuz (zgjedhë) për 45 vjet me rradhë. Ndërkohë që kemi qindra beteja me mijra armiq dhe pushtues të vrarë, ti cilat as nuk kujtohen e jo më të festohen. Pra me këtë festim Bashkia Peshkopi bën turpin e dytë pas atij turpi që e bëri të famshme.
Fantazia ime (aspak e tepërt) fillon e shef dibranët, të papunë dhe me plot halle, që pasi festuan Kurban Bajramin, të festojnë edhe festën Komuniste me K të madhe, ashtu me vjeshje popullore, me flamur kuq e zi, por tashmë pa yll të verdh mes krenave, me tirq e kuprane, me jelek e xhamadane. Pra dibranët, në mugesë të festimit të ndërtimit të ndonjë rruge, ndonjë fabrike, a ndonjë çelje vendi pune, do festojnë festën e çlirimit nga pushtuesi që nuk ishte.
Nga kurioziteti që kam patur prej i vogël, e pata pyet tim atë, se çfar festash festonin më shumë. Festën e çlirimit më qe përgjigjur. Po si, e pata pyet atëkohë, po nga kurioziteti. Blenim shalqi më tha, sepse vetëm atëherë kishte shalqi me bollëk. Dhe sërisht, imagjinata, kjo e keqe e vetes sonë, më bie në kokë imazhe ku dibranët e mi, blejnë pasdite nganjë shalqi dhe e çojnë në shpi. Por kjo asesi nuk ndodh më. Sepse për festimet e kësaj feste ka menduar bashkia.
Uroj që mos ketë ndonjë paradë në Bulevardin Elez Isuf Ndreu, sepse besoj fort se “pronari” do merrte jetë nga busti i vet dhe do çohej e do pështynte me rradhë dibranët duke ju bërtit: “Jazik ju koftë”. Po kshu do bënin Iliaz Pashë Dibra, Haxhi Vehbiu, Dom Kaçorri, dhe si për t’i vënë kapak vetë Halil Alia. Ky i fundit do ju hakërrehej dibranëve: “Ore horra! Pse ma keni ngrit këtë bust?!”.
Po jo, vallet bashkia i ka paraparë mu para Pallatit të Kulturës, dmth edhe para Monumentit të Qendresës komuniste. Ja kështu krijohet paradokse dhe absurditete, në vendin ku legjenda (gënjeshtare) thotë se mendja zuri vend.
22 gusht 2018