Nga Albina Roshi
Fryma njerëzore nis me një rrahje zemre , me një pompim gjaku e me një rrahje qepallash.Gjithçka në mes të asgjësë.Një objekt me frymë të ndjeshme marroset pas bukurisë së enigmës që i vërtitet si shtojzovalle. Një enigmë kërcimtare fluturon, hidhet e përdridhet nën ajrin e pluhurosur që krijoi vetë.Manovrat e saj lëvizëse, sytë që i shkëndijnë të tërheqin me rrezet e spektrit të saj e të bën një drejtëz në plan.Ky plan mbetet enigmë.Me enigmë nisemi, rritemi e pleqërohemi.Derisa të shkojmë në pleqërim pyesim veten ,”Pse erdha në jetë?”.Një enigmë pse-je na stërmundon e na vë në lëvizje trurin me neuronet kërcimtar që nuk dihen se kur hyjnë në valle.Stërmundimi i pse-së , pse erdha në jetë,hera-herës i përgjigjemi,”Kështu ka qenë e përcaktuar.Të lind nga dy prindër , të kem një strehëz familjare, të krijoj çerdhen time të dytë.Ose -ose ,kur na kaplon një fitore gëzimi shprehemi se “Erdha në jetë për të lënë një gjurmë në historinë njerëzore” e kur dështojmë përgjigjemi “Erdha në jetë për të vuajtur , i tillë është fati im”.E nga kjo e fundit, na zë një gjumë letargjik e dështak që rrokim jastëkun e natës dhe e ligështojmë butësinë e tij.E të nesërmen , një ditë e re.Pse u zgjova, pse marr frymë, pse jetoj? E kështu, në hapa të ngadalshëm që dridhen nën frymën e fjalëve që “nuk ia dal dot”,nis një ditë e re.Një aventurë e gjatë ditore na çon në një destinacion të caktuar, sërish në mbrëmje, sërish në gjumin e natës.E tashmë enigma e pse -së i ngjitet dhe objekteve përreth ,”Pse më përplas, pse më mbyt, pse i derdh lotët e tu mbi trupin tim të pastër”? E kështu pse-ja lidh një zinxhir të fortë e të ndryshkur duke i prangosur individët.Pse-ja e lindjes godet herë pas here mendjen tonë prej roboti.Kur individi lodhet në aventura donkishoteske , nuk i duken më shishet e verës si ushtarë lufte por si komandat zhgënjyes që i udhëheq në vorbullën e talljes.Kjo tallje, lind në fazën e rritjes.Kur hedhim vështrimin e pse-së enigmatike ,sytë tanë e çojnë shikimin larg,madje,përtej shtatë kodrave e shtatë detrave.Kur përpara tyre shfaqen rryma ajrore e detare mbyllim sytë e humbasin vetveten nëpër ëndrra fëminore .E shprehemi “Pse po rritemi?”,ah sikur të isha njëherë fëmijë!Kjo ah ,e mbyt enigmën dhe e le krahëvrarë në tokën e gjakosur. Por, enigma nuk e do të kuqen e zemrës , as të bardhën e shpirtit por të errëtën e skutave .E kjo fazë labirinti përjetues, herë ndërtohet e herë rrëzohet.Ky ndërtim rinor i pse-së sjell pleqërimin e sespse-së. Prandaj,rini,kur lindim e frymojmë, një dorë na përkëdhel, kur rritemi një dorë na shtrëngon e kur jemi të zot të vetes ,ajo dorë largohet, dhe pse zemra e saj është me ne.Mirëpo,ato duar s ‘janë aty.E pse?Pse u largon,pse ikën aq shpejt pa e kuptuar?Pse, pse ?E kjo pseee e gjatë humbet ,shurdhohet e largohet e çjerrur siç do vetë.Pse -ja e rinisë shndërrohet në zbulimin e sepse-së në pleqëri.Një enigmë pse-je kalon në një sepse jetësore.Pse lindim?Lindim sepse jemi qenie ,krijohemi në univers me frymën e ajrit ,ujit , tokës ,qiellit, me urdhërimin e të mbinatyrshmit .Lindim sepse gjenerata njerëzore duhet të zhvillohet,për t’i dhënë një kuptim jetës.Pse-ja e lodhur e rinisë ktheht në sepse-n e dembelisë. E tashmë, enigma e pse-së le të qëndrojë aty këmbëkryq e të zvarritet nëpër këmbët e të marrosurve.Një gjemb mund të pikojë gjak e shumë të tjerë e derdhin lumë , gjakun.Por, ngjyra e kuqe nuk i pëlqen enigmës ,e as njeriut enigmatik.E kuqja të marros, e bardha të shpirtëzon dhe e zeza e pse-së enigmatike të mban gjallë për zbulimin e së vërtetës “Pse erdhëm në jetë?”