Xhuliano Skuka rikthehet titullar dhe shënon dy gola për “demat” në Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e djeshme ishte speciale për sulmuesin dibran, pasi luante për herë të parë si kundërshtar ndaj Korabit, skuadrës ku u afirmua si futbollist dhe pasi shpërtheu në Kategorinë e Parë, më pas u bë pjesë e Dinamos në elitën e futbollit shqiptar.
Në ndryshim nga ndeshja me Vllazninë në kampionat, dje trajneri Xhovani Kolela e aktivizoi Skukën nga minuta e parë, duke mos sakrifikuar asgjë, pavarësisht terrenit të rënduar në stadiumin e Peshkopisë.
“Natyrisht që ndihem mirë kur shënoj dhe ndihmoj Partizanin për arritjen e objektivave. Kjo ishte një ndeshje speciale për mua”, thotë fillimisht bomberi i kuq në një bisedë për “Panorama Sport”.
I ngacmuar për faktin që ngriti duart pas golave dhe nuk festoi, Skuka u shpreh: “Natyrisht që e bëra në respekt të vendlindjes dhe tifozëve dibranë që më kanë mbështetur gjithnjë. I uroj suksese Korabit”.
OFERTAT – Sulmuesi i Partizanit është më i kërkuari në këtë merkato janari, pasi shumë klube në Europë kanë shfaqur interes konkret. Disa prej tyre kanë bërë edhe oferta zyrtare, siç është rasti i Hellas Verona në Serinë A. Italianët i japin Partizanit për kartonin një shumë prej 450 mijë eurosh, por duke u lënë të kuqve edhe 20% të pronësisë, ç’ka mund të përfitonin në të ardhmen në rast rishitjeje të sulmuesit. I pyetur dje nga gazeta në lidhje me të ardhmen, Skuka u shpreh: “Kjo është një çështje që i përket klubit dhe jo mua. Unë jam pjesë e Partizanit dhe do të jap maksimumin tim për këtë fanellë. Shpresoj që të fitojmë titullin në fund dhe pse jo edhe Kupën e Shqipërisë”.
FATMIR ZHUZHI-PANORAMASPORT.AL