Vajza e artë e Shqipërisë, kampionia në fuqi e Evropës në garën 3000 m me pengesa, Luiza Gega deklaroi gjatë një eventi se do të vijojë të jetë një zë i fortë në mbështetje të fëmijëve dhe të rinjve shqiptarë, veçanarisht atyre më në nevojë.
Gega u shpreh se e ka nisur atletikën duke qenë e fundit në Evropë, por falë disiplinës dhe vendosmërisë së saj, arriti të jetë vajza më këmbëshpejtë e kontinentit të vjetër. Në një rrëfim para të rinjve, atlejta Luiza Gega tha se shpesh ka derdhur edhe “lot dhimbjeje”, por pavarësisht sfidave, ajo i inkurajoi të rinjtë të mos dorëzohen në ëndrrat e tyre.
“Ndjej një dashuri të madhe për fëmijët edhe për vetë faktin se edhe unë si fëmijë shpesh kam hasur në vështirësi dhe e kam ndjerë të nevojshme të kisha një mbështetje për të ecur përpara. E kam nisur duke qenë e fundit në Evropë. Aty vendosa të punoj fort. Kjo më bëri që nga e fundit e Evropës që isha, të ngjitesha në majë të Evropës. Shumë njerëz shohin vetëm atë garën që unë bëj në pistën e vrapimit dhe ndoshta shumë njerëz nuk e dinë se sa jam munduar unë për të qenë aty. Aty kam derdhur lot emocionesh, por shpesh kam derdhur edhe lot dhimbjesh. I tillë është sporti. Do të jem gjithmonë pranë fëmijë dhe të rinjve, në mbështetje të tyre,” – tha Luiza Gega.
Atletja Luiza Gega është ambasadore e World Vision Albania dhe është përfshirë në disa nisma për fuqizimin e të rinjve dhe mbështetjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
po.al