Nga Alban Tufa
E gjithë kjo zallamahi përgjimesh dhe fjalori të ndryshëm mbi dibranët nëpër gojët e çdo shqiptari, sigurisht që nuk është në shërbim të imazhit që vendi ynë ka pasur jetë e mot. Anipse politika shqiptare e 30 viteve të fundit nuk e patur në planet e veta Dibrën, populli i thjeshtë ia ka dalë të jetojë me djersën e vet.
E para gjë që të vjen në mend kur gjendesh jashtë Shqipërisë dhe përmendet Dibra, janë burrat pleq me kësula, me tespihe e llulla që kuvendojnë pastër, me plot kuptim dhe elegancë. Imazhe që lidhen drejtpërdrejt me Kaloshët, Xhilaget, Ndretë, Aliet dhe shumë fise të qenme, që i shërbyen vendit. Këta ishin burra shteti dhe jo njerëz pushteti. Të gjitha fiset që përmendëm nuk u bënë kurrë vegla pushtetesh, por ata gritën zgjuarsinë, parinë dhe mendësinë dibrane.
Ndërkohë sot anembanë Shqipërisë po përflitet Dibra si treg i shëmtuar. Le ta marrë secili koston që i takon, por ajo për çka dua të flas janë ata dibranë që nuk i kanë parë familjet e veta që 5, 6 apo më shumë vjet, sepse kanë vendosur të jetojnë me nder.
Veç nga lagja ime, janë mbi 30 djem të moshës time dhe më të vegjël, që prej vitesh gjenden jashtë kufijve. Kanë ikur dhe po bëjnë punë nga më të rëndomtat veç për të jetuar me nder.
Ajo çka iu është kalit këtyre fëmijëve që në vegjëli, është krenaria, të mos ia shtrijnë dorën kujt. Kështu u rrita unë, ne, të gjithë djemt e lagjes sime, shumica e fshatit tim dhe pjesa më e madhe e të rinjve të Dibrës.
Një pjësë tjetër e mirë u shkolluan dhe sot japinm kontribut edhe në botë, një pjësë tjëtër rendin Europës dhe botës duke punuar me djersën e ballit, ndërsa ajo pjesë më e vogël fatkeqe u bë vegël e pushtetve që vijnë edhe ikin.
Sot fshati im është bosh, nuk ka të rinj, ata që janë ose kanë zënë një qoshe dhe nuk çelin gojë, ose nuk iu plas për gjë në botë dhe janë nën sundimin e një gjendjeje kllapie.
Hakçe, në Dibër nuk ka vend asnjë qasje politike, por kështu janë ndërtuar sistemet e pushtetit, dhe detyrimisht duhet t’i qasesh një pale, ose ajo që urren më pak ose ajo që të ofron më shumë.
Përtej asaj çka flitet lart e poshtë, ka plot njerëz që rrojnë me nder dhe shohin gropën e vet. Im vëlla që punon në Irlandë dhe na ka shmangur nga çdo pasje partiake, një shok i ngushtë që punon në angli, kushërinjtë në Itali, rinia e fshatit tim në Europë dhe botë, rinia e Dibrës në Tiranë dhe sigurisht rinia e Dibrës në Peshkopi, ajo që me mish e shpirt jep e merr për të përcjellë te brezat pasardhës dinjitet, vlerë dhe ndërshmëri.
Dibrën e nderojnë dibranët e Dibrës, jo ata të pushteteve.