Dibra tjetër, ajo e turizmit

0 0
Read Time:17 Minute, 22 Second

Dibra është një krahinë e pasur me kulturë, traditë, gastronomi dhe e bekuar me një natyrë që lë mbresa. Së fundmi, me produktin më të ri në turizmin e aventurës, High Scardus Trail, rajoni do të jetë një nga top destinacionet e turistëve në kërkim të adrenalinës. Turizmi malor është një nga potencialet e pashfrytëzuara, nëpërmjet të cilit do të hapeshin vende të reja pune dhe do të zbutej varfëria. Çfarë po ofron Dibra për turistët?

Nga Ledina Loga

Në vapën mbytëse të këtij gushti në Tiranë, pjesa më e madhe e njerëzve do të rendnin drejt bregut të detit. Megjithatë falë gjeografisë, territori shqiptar ofron alternativa të ndryshme. Për të gjithë të pasionuarit e ecjeve në mal dhe pushimeve aktive ka një shteg të ri, High Scardus Trail, i cili është pak i eksploruar nga turistët dhe që shtrihet në tre shtete. Tre grupe të ndryshme u nisëm njëkohësisht nga Tirana, Kosova dhe Maqedonia për t’u takuar në Dibër.

Fshati Rabdisht

Nga Tirana për në Fushë-Bulqizë, ku ishte dhe ndalesa jonë e parë, u deshën 5 orë të mira rrugë (përfshirë këtu edhe pushimet gjatë rrugës). Shqipëria mund të jetë mbase i vetmi vend ku rrugët nuk maten me kilometra, por me orë. Përgjigjen për harresën dhe turizmin e vakët të kësaj krahine e kuptuam gjatë rrugës plot kthesa dhe të amortizuar që lidh kryeqytetin me verilindjen e vendit. Mbrëmjen e asaj nate do ta kalonim në bujtinën e Lulzim Hupit, një kullë e vjetër 220-vjeçare. Kulla, e ndërtuar prej Sul Hupit, një tregtar i famshëm i asaj krahine, ishte sjellë në formën e saj origjinale dhe restauruar me kujdes.

Edhe pse pronarët e asaj kulle jetojnë prej vitesh në Bulqizë, kulla është shndërruar në stacion për shumë turistë të huaj që vijnë të eksplorojnë rajonin. Nënë Sofia, 67 vjeçe, e cila po të jetonte në kryeqytet nuk do t’i pëlqente që ta thërrisnim “nënë”, është mikpritësja në këtë bujtinë. Edhe pse së fundmi tregon se ka nisur ta ndiejë lodhjen e viteve, ajo ende nuk ka hequr dorë prej punëve të rënda të fshatit. Natën e kaluam aty. Në mëngjes nuk ishte i nevojshëm alarmi. Gjeli këndoi deri sa u zgjuam të gjithë, në orën 6:00. Sigurisht e zonja e shtëpisë ishte zgjuar shumë më herët. Në fshat nëse nuk zgjohesh me lindjen e diellit, vështirë të mbijetosh, aty nuk ka vend për dembelët.

Pasi hamë mëngjesin nisemi drejt Maqellarës, ku do takoheshim me guidat lokale me të cilët do të përshkruanim një pjesë të shtegut High Scardus Trail, i cili nëse bëhet i gjithi, parashikohet se zgjat rreth 22 ditë. Prej njësisë administrative të Maqellarës, që duhet thënë se është një ndër më të zhvilluarat në Qarkun e Dibrës, nisemi në drejtim të Popinarës, një fshat shumë i thellë malor. Rruga drejt Popinarës ishte e pashtruar me asfalt dhe shoqëruesit lokalë na treguan se në dimër, fshati bllokohet prej reshjeve të borës. Rrugët e shtruara me kalldrëm në brendësi të fshatit Popinarë shënuan shtratin e ecjes sonë në mal, ndërsa pika e mbërritjes janë bjeshkët e Hinoskës.

Lartësia e fillimit të marshimit nis në nivelin 1.190 metra mbi nivelin e detit. E gjithë rruga është parashikuar se zgjat rreth 6-7 orë, për të prekur pikën më të lartë Velivarin, në 2332 metër lartësi. Shtegu ka vështirësi mesatare dhe kërkon një përgatitje mesatare fizike. Të gjitha shtigjet prej Popinarës në Hinoskë janë të shënjuara. Gjatë shtegut kishte burime të shumta uji dhe stane ku mund të pushonim gjatë ecjes. Guidat na shpjegojnë se në burimet e ujit, uji është shumë të ftohtë, me cilësi të lartë, i lehtë për organizmin dhe i pasur me kripëra minerale, të cilat bëjnë mirë për organizmin. Gjatë rrugës, grupi u desh të ndahej, një pjesë prej nesh e kishin të pamundur për të prekur pikën prej 2332 metër të Velivarit.

Piramida shërbente si pikë takimi me grupin që ishte nisur nga Maqedonia. Grupi që nuk kishte përgatitjen e duhur fizike ndoqi një shteg më të lehtë, e cila zvogëlonte distancën nga Popinara në Hinoskë, me rreth 3 orë. Pas ngjitjes për më shumë se tre-orë, guida që na shoqëronte drejt një shtegu më të shkurtër, na njoftoi se po i afroheshim postës turke. Kishim sërish rrugë për të bërë drejt Hinoskës, stanet e së cilës kishin filluar që të dukeshin në horizont. Gjatë verës, kullotat janë të mbushura me tufa bagëtish dhe stane.

Duhet të nxitojmë në rast se nuk duam që të na kapë stuhia në mal, në të kundërt do të duhet të presim në një nga stanet që çobanët kanë ngritur.
Për Aurorën, pjesë e grupit, kjo nuk është ngjitja e parë në male, megjithatë kjo ngjitje shënoi rekordin e saj më të lartë deri më tani, por jo më të vështirë. Për një shkallë vështirësie nga 1 në 10, ajo dha vlerësimin shtatë për shtegun nga Popinara në Hinoskë.

Fusha e Balgjait dhe delet e stanit që është në ketë zonë / Foto: Sami Curri

Para prej bjeshkëve

Në muajin gusht, bjeshka e Hinoskës është e pasur me mjedra, boronicë, luleshtrydhe të egër, por edhe me shumëllojshmëri bimësh mjekësore. Guida jonë shoqëruese na tregon se tashmë bjeshkët janë shndërruar në një burim mjaft të rëndësishëm ekonomik për të gjitha familjet e atyre zonave. Gjatë muajve të verës, familjet angazhohen për grumbullimin e bimëve mjekësore si sherbela, çaji i malit.
Bjeshka e Hinoskës ndodhet në juglindje të qytetit të Peshkopisë. Fshati më i afërt është Ilnica, rreth 1250 metër mbi nivelin e detit. Hinoska shtrihet edhe në anën e Maqedonisë. Piramida 10 është shenja kufitare ku ndahet territori i Republikës së Shqipërisë me Maqedoninë.

Dibra është shumë e pasur me bimë mjekësore dhe aromatike, ku numërohen rreth 80 lloje të ndryshme të cilat pasi mblidhen, përpunohen në rajon. Disa prej llojeve më të përhapura janë sherbela, aguliçe, murrizi, dëllinja e kuqe, trëndafili i egër, bishtkali, trëndafili i egër, hithra, molla e egër. Mbas përpunimit, këto bimë tregtohen në vende të ndryshme të BE-së si në Gjermani, Spanjë, Francë, Greqi dhe Itali, si dhe në SHBA.

Bjeshkët e Hinoskës

Rikthim në Hinoskë

Adi Fida e kalon pjesën më të madhe të vitit midis Italisë, ku punon sezonalisht dhe Shqipërisë. Ai ka vendosur që në tokat e të parëve të ngrejë shtëpiza të vogla, me dhoma komode, për të gjithë turistët që përshkojnë shtegun High Scardus Trail. Në bujtinën Fida u akomodua edhe grupi. Familja e madhe Fida, zhvendoset gjatë verës në Bjeshkët e Hinoskës.

Rryma elektrike nuk ka shkuar ende në fshat dhe Adi, çdo mbrëmje vendos në punë një gjenerator të energjisë elektrike, e cila do të sigurojë rrymë që të paktën të karikohen telefonat. Ndërsa për pajisjet e tjera, ai e siguron rrymën nëpërmjet disa paneleve modeste diellore. Adi shpreson që me zhvillimin e turizmit në këtë zonë malore të zgjerojë dhe aktivitetin. Kërkon të bëjë më shumë investime, mirëpo burimet e veta financiare nuk ia mundësojnë këtë gjë për momentin.

Qëndrimi në një fshat malor, ku valët e telefonave depërtonin me vështirësi dhe duhet të menaxhoje me nikoqirllëk baterinë e mbetur të telefonit na dha mundësinë që të shijonim jetën aktive. Edhe pse kishim bërë më shumë se pesë orë rrugë në këmbë për të mbërritur nga Popinara në Hinoskë, grupi nisi të eksplorojë përreth fshatit dhe gjithsecili u mundua të shkrepë foton më të bukur të perëndimit të diellit, jo buzë detit, si pjesa më e madhe, por në lartësinë e maleve.

Me uljen e diellit përtej maleve, edhe temperaturat shënuan vlera të ulëta. Megjithatë, atje në mal, ka një zgjidhje për çdo gjë. Një filxhan i ngrohtë me çaj mali të mbledhur nga bjeshkët, si dhe optimizmi i familjes Fida për t’u marrë me turizëm në atë zonë është zgjidhje për të ftohtin.

Pasi gjithsecili shkoi në dhomë për të fjetur, qetësinë e prishin të lehurat e qenve të stanit, të cilat u ndoqën nga ulërimat e ujqërve. Sikurse dhe na shpjeguan guidat, shpesh afrohen pranë zonave të banuara. Bjeshkët e Hinoskës janë të pasura me gjallesa të egra, nga zvarranikët, te lepujt e egër, dhelprat dhe ujqërit, arinjtë etj.

Të nesërmen grupi vazhdon sërish rrugën. Kësaj radhe me në është bashkuar dhe grupi nga Maqedonia, të cilët ndryshe nga ne, ka në përbërje të tij vetëm guida profesionistë. Nga Hinoska, deri në fshatin më të afërt ku ka rrugë makine, e cila është e paasfaltuar, rruga zgjat rreth 1 orë. Në fshatin Ilnicë na presin makinat që do të na çojnë drejt qytetit të Peshkopisë. U deshën rreth 45 minuta të përshkuara me makinë që rrotat të preknin më në fund asfaltin.

Guida e Hinoskës

Për të gjithë ata që kërkojnë të bëjnë shtegun e Hinoskës, i cili për ata që nisen nga Tirana zgjat tre ditë dhe me fjetje në tenda, kostot për këtë udhëtim janë rreth 40 euro. Ky shteg është i nivelit të moderuar dhe zgjat rreth 7 orë ecje në mal. Hartuesit e programit të guidës në Hinoskë sugjerojnë se pjesëmarrësit në udhëtim duhet të kenë me vete kapele, duke qenë se dielli është i fortë në male dhe një pjesë e shtegut kalon nëpër livadhe ku mungojnë pemët për hije, syze dielli, xhup dimëror pasi temperaturat në darkë janë të ulëta, atlete të përshtatshme për ngjitje malore, veshje sportive, elektrik dore, duke qenë se në rryma elektrike mungon, bluza për t’u ndërruar dhe një çantë shpine.

Guida e Korabit

Për të gjithë të pasionuarit e ngjitjeve në mal, ngjitja në majën më të lartë të Shqipërisë, në një program që zgjat tre ditë kushton rreth 50 euro (për grupet që nisen që nga Tirana). Ngjitja deri në pikën më të lartë dhe zbritja zgjat rreth 7 orë dhe sipas ekspertëve, niveli i vështirësisë është mbi mesatar. Gjatë rrugës turistët ndalojnë edhe në Ujëvarën e Korabit, monument natyre. Të vizitosh Korabin duhet të kesh parasysh se natyra është e egër dhe e paprekur nga dora e njeriut. Mbi lartësinë 250 metër presioni i ajrit është i ulët dhe lehtëson mushkëritë gjatë frymëmarrjes. Ka burime të shumta uji gjatë gjithë shtegut, por guidat këshillojnë se prej temperaturave shumë të ulëta të ujit nuk lejohet të pish ujë direkt nga burimi, pasi krijohen plasaritje të buzëve. Gatimet në Bjeshkët e Radomirës (vend që haset gjatë ngjitjes së Korabit) janë 100% bio. Banorët e Kalasë së Dodës janë njerëz të besës, bujarë dhe mikpritës.

Çfarë mund të vizitosh tjetër

I gjithë rajoni i Dibrës ka pafund kulla të hershme, të cilat vitet e fundit po restaurohen dhe po bëhen të prekshme për të gjithë turistët. Gjithashtu në Dibër mund të vizitohen dhe objektet e trashëgimisë kulturore dhe historike si Ura e Vashës, e cila ndodhet mbi lumin Mat në lindje të rrugës së fshatit Guri i Bardhë. Ura është ndërtuar në fillim të shekullit të 19 me gurë lumi, me gjatësi 11 metër dhe gjerësi 2.8 metër. Por, nuk mungojnë as objektet e kultit, një prej të cilave është edhe Kisha e Shën Mitrit e ndërtuar në vitin 1892, e shpallur Monument Kulture në vitin 2007.
Natyra është treguar bujare me rajonin e Dibrës. Një aktivitet tjetër me mjaft interes nga turistët është edhe eksplorimi i lumenjve dhe kanioneve që kanë krijuar ata gjatë rrjedhës së tyre.

Ushqimi, plot shije

Ushqimi është një ndër pikat e forta të turizmit të aventurës. Në përbërjen e grupit që u nis drejt Bjeshkëve të Hinoskës kishte dhe gjermanë, të cilët kishin kuriozitetin që të provonin çdo gjë që shtrohej në sofrën e ngrënies dhe të pyesnin se me çfarë ishin gatuar. Nga qulli me pulë, gatim tradicional i zonës së Bulqizës, te mishi i qengjit i pjekur në saç, turshitë, djathi, kosi dhe qumështi i bagëtive që kanë kullotur mbi 2000 metra lartësi, te sheqerparja e famshme e Dibrës, janë një arsye më shumë për të vizituar rajonin e Dibrës.

Edhe pse gatime relativisht të thjeshta në përbërje, (miell, gjalpë apo sheqer në përbërje), gatimet e zonës janë plot shije dhe mbi të gjitha organike, janë një nga pikat e forta të kësaj zone. Padyshim që pjata kryesore në sofrën dibrane janë Jufkat e Dibrës, gatimi tradicional i dibranëve. Jufkat janë makarona të prodhuara në mënyrë artizanale nga punishtet që kanë ruajtur traditën e hershme të prodhimit, të gatuara me lëngun e mishit të pulës.

Shteg i ri, mundësi zhvillimi për një rajon

High Scardus Trail kalon në tre shtete dhe është ndër shtigjet më të gjata në rajonin e Ballkanit. Shtegu ka gjatësi 495 kilometra dhe përshkon malet në kufij me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë. Shtegu kalon përmes gjashtë parqeve kombëtare, dy në Maqedoni, një në Kosovë dhe tre parqe në Shqipëri. Shtegu ka shtigje të tjera të panumërta, të cilat lidhin shtegun kryesor dhe me zonat e banuara. Pika e fillimit e këtij shtegu është mali i Sharrit (ana e Maqedonisë) dhe përfundon në rajonin e Prespës në Shqipëri. Për t’u përshkuar i gjithë shtegu, duhen më shumë se 20 ditë, kohëzgjatje 3 herë më e madhe se kohëzgjatja mesatare e udhëtimeve aventurore.

Ky produkt turistik malor është rezultat i projektit Perspektiva e së Ardhmes nëpërmjet Turizmit Malor, të implementuar prej GIZ. Qëllimi kryesor i projektit ishte që të përmirësojë mundësitë e punësimit në sektorin e turizmit në rajonin kufitar midis Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë nëpërmjet zhvillimit dhe promovimit. Zhvillimi i këtij produkti turistik malor përfshin: shënjimin e 33 shtigjeve për ecje në 5 masive malore që shtrihen në kufijtë e tri shteteve, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni; identifikimi, përzgjedhja dhe përfshirja e strukturave akomoduese dhe të shërbimit të ushqimit përgjatë shtegut, si dhe të pikave që mund të ketë interes nga turistët, si trashëgimitë kulturore dhe natyrore të rajonit.

Anica Palazzo, drejtuese e projektit të GIZ për të tre shtetet, tha se ky produkt i ri turistik, i cili bën bashkë tre destinacione ka hapur rreth 100 vende të reja pune. Në shtegun High Scaruds Trail, i cili nis që nga malet e Sharrit dhe përfundon në jug në Liqenet e Prespës, fillimisht janë evidentuar nevojat për akomodim dhe më pas janë mbështetur me grante rreth 17 subjekte akomoduese. 35% e financimit, sipas zonjës Palazzo, ka ardhur nga vetë njerëzit e zonës.

“Njerëzit e atyre zonave kanë filluar të besojnë që nëpërmjet shërbimeve turistike mund të sigurojnë jetesën, shtoi drejtuesja e projektit të GIZ. Gjatë trajnimeve janë bërë mbi 140 aplikime nga Shqipërua dhe Maqedonia. Për zëvendësministrin e Turizmit dhe Mjedisit, zotit Hajrulla Çeku, shtetet tona kanë mundësi që të rrisin konkurrueshmërinë nëpërmjet këtij lloj turizmi, ndërsa shtoi se bashkëpunimi mes vendeve është shumë i frytshëm.
“Diversifikimi i ekonomive lokale, qendrave informative, turizmit do të shërbejë si instrument efektiv për hapjen e vendeve të reja të punës në zonat rurale dhe të zhvillimit ekonomik dhe zbutjen e varfërisë, tha Çeku.
Sipas tij, zona e Dibrës ka një strategji për të shfrytëzuar potencialin turistik, traditat, festat dhe mikpritjen. Për të, Dibra do të jetë shumë shpejt destinacioni kryesor i turizmit në rajon e Ballkanit.

Liqeni akullnajor i luleve, Dibër / Foto: Sami Curri

Dibra, jo vetëm për turizëm malor

Për zotin Muharrem Rama, kryetari i Bashkisë së Dibrës, turizmi është një sektor që në rajon ka shumë potencial. Zhvillimi i turizmit në zonën e Dibrës do të shënojë një epokë të re, veçanërisht për sa i përket turizmit malor në vend. Z. Rama shtoi se numërohen rreth 23 liqene akullnajore në Dibër. Por rajoni është i pasur me kulturë, folklor, ka njerëz mikpritës. Sipas z. Muharrem zhvillimi i turizmit do të përmirësohet edhe kushtet ekonomike të familjeve në qarkun Dibër.

Përpos turizmit malor, Rama nuk la pa përmendur dhe turizmin shëndetësor. Prej vitesh Dibra është destinacion për të sëmurët kronikë që përdorin llixhat kurative të Dibrës. Llixhat ndodhen brenda qytetit të Peshkopisë, në lindje të tij. Kompleksi balnear kurativ i ujërave termale të Peshkopisë ka 44 kabina individuale dhe disa kabinete terapeutike, të cilat përfshijë trajtime të baltës sulfurore, fizioterapisë dhe aerosalterapisë.

Për Grehans Ukën, guidë lokale, turizmit të Dibrës i mungon tregu me produkte tradicionale të Dibrës. “Jufkat dhe sheqerparja e Dibrës janë të njohura, por nuk promovohen, argumenton ai për “Monitor”. Gjithashtu, ai thotë se mund të promovohen më shumë veglat tradicionale që prodhojnë kostumet e zonës, apo festat tradicionale, një prej të cilave është edhe Oda Dibrane. Ndërkohë që ka edhe festa që mund të kthehen në rituale, siç është Festa e të Vjelave.

Turistë në ngjitje / Foto: Sami Curri

Mundësi për të rinjtë e zonës

Grehansi punon si guidë për më shumë se dy vite në rajonin e Dibrës. Ai ka studiuar për Ekonomiks në Tiranë dhe kur përfundoi studimet vendosi që të kthehej në qytetin e lindjes, Peshkopinë, me shpresën se do të punësohej. Por mundësitë që ofron qyteti i Peshkopisë janë të pakta për të rinjtë. Grehansi nuk po gjente punë në profesionin që kishte studiuar dhe në atë kohë ishte bërë disi pesimist.

Ai u bë pjesë, edhe pse jo fort optimist, në një prej trajnimeve që GIZ bën në këto zona. Në ngjitjen e tij të parë drejt majës më të lartë të vendit, Korabit, ai u kujton se është detyruar që të kthehet pas. Grehansi kujton se gjatë ngjitjes e kapi stresi dhe prej ndryshimit të presionit të ajrit dhe trupit të pakalitur me të tillë aktivitet pati gjakrrjedhje nga hundët. Mirëpo nuk u dorëzua.

Tani mund të kalojë dhe një muaj pa u kthyer në shtëpi, madje kur kalon më shumë se tre dite në shtëpi ndien mungesën e maleve.
Grehansi, djali me emër gjerman, shërben si guidë lokale për shumë të huaj që janë të pasionuar të ngjitjeve në mal, kryesisht nga zonat gjermanishtfolëse. Gjatë gjithë përvojës si guidë, situata më e vështirë ka qenë aksidenti i një turisti australian dhe në përgjithësi vështirësia e punës së tij lidhet me faktin se ka në përgjegjësi jetën e njerëzve që merr përsipër të shoqërojë në male.

“Disa prej turistëve kërkojnë më shumë aventurë, duan shtigjet më të rrezikshme për të ndier adrenalinën më të fortë”, – tregon ai për “Monitor”. Të ardhurat në këtë profesion të dytë që ka zgjedhur janë më të larta në krahasim nëse do të punonte si ekonomist në Dibër. Puna është më intensive gjatë pranverës dhe verës. Aktualisht ai punon si guidë lokale, por shpreson që të bëjë emër shumë shpejt dhe të krijojë agjencinë e tij turistike. Të ardhurat e tij mesatare mujore, duke llogaritur dhe bakshishet në një muaj të mirë, llogariten mesatarisht 700 euro. Një guidë lokale paguhet mesatarisht 25-30 euro në ditë, ndërsa guidat nga Tirana paguhen rreth 50 euro në ditë. Tani së afërmi, Grehansi duhet të përgatitet edhe për provimin e licencimit, me marrjen e të cilit ai do të paguhet më shumë.

Turizmi po kthehet në një mundësi të artë për shumë të rinj të zonës së Dibrës. Labinot Murrja, ka vetëm një vit që merret me ngjitjen e maleve. Ai shkon pas guidave të certifikuara për të mësuar profesionin. Ai kryen kryesisht shoqërimin e turistëve në zonën e Luznies, e cila është e shtrirë në bregun e Drinit të Zi. Aktualisht është punonjës i Bashkisë Dibër, arkivist dhe financier, mirëpo prej një viti gjatë fundjavave punon si guidë.
Aktivitetet që mund të bëjnë turistët janë të shumtë. “Mund të bësh hiking, rafting, kamping, në kanionet e Drinit. Ndërsa për të pasionuarit e sporteve ekstreme kanë disa shpella, shumë të thella dhe vetëm “të çmendurit” mund t’i vizitojnë. Kemi mundur t’i eksplorojmë deri në 20 metra” – tregon Murrja.

Ai po mendon që ngrejë një fushë për kamping në fshatin e tij Luzni, ndërsa për sa i përket ngritjes së një bujtine e ka të pamundur që ta përballojë financiarisht, vetëm në rast se merr mbështetje financiare nga programet mbështetëse të turizmit në zonat rurale.
Profesioni i guidës ka qenë zgjedhje edhe për Vladimir Markun, ish-mësues i anglishtes. Prej gjashtë vitesh, Marku bën guidën në të gjithë Shqipërinë, por më së shumti në zonën e Lurës. Nga feedback-u i turistëve Marku ishte guida më popullore e të gjithë rajonit. Guida kërkon gjithashtu talent, të cilët disa persona si Marku e kanë të lindur. Në zonën e Lurës Marku ka një bujtinë ku pret të huajt. Pjesa më e madhe e turistëve mund ta gjejnë bujtinën edhe nëpërmjet faqeve popullore si Air BNB apo Booking.com.

Mes Shqipërisë dhe Maqedonisë

Jovan Jovanoski është guidë ndërkombëtare nga Maqedonia. Këtë profesion ka nisur ta bëjë që prej fillimit të vitit 2009 dhe aktualisht bashkëpunon edhe me agjencitë shqiptare dhe bën ture ku përfshihen të dy vendet. Jovanovski thotë se punon më shumë më të huajt, pasi edhe prej maqedonasve, sikurse dhe shqiptarëve nuk ka shumë interes. Ai mendon se do të duhen edhe shumë vite kur këto sporte të bëhen popullore edhe në vendet tona. Disa prej sporteve që ai bën së bashku me turistët janë: hiking, cycling, trekking, kayaking,
cycling përgjatë liqenit të Ohrit, etj

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %