Vijon procesi i votimit këtë të diel në Shqipëri, në kuadër të zgjedhjeve të 10-ta parlamentare në vend që pas rënies së regjimit komunist. Në të gjithë vendin, 3 milionë e 588 mijë e 869 qytetarë shqiptarë kanë të drejtë të zgjedhin me votë përfaqësuesit e rinj në Kuvend.
Ndërkohë, deri në orën 14:00 është vënë re një pjesëmarrje e kënaqshme qytetare në votime, ku në rang kombëtar, sipas statistikave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka votuar rreth 39.02% e popullsisë.
Qarku me nivelin më të lartë të pjesëmarrjes në zgjedhje deri në 14:00 rezulton të jetë Dibra, me 45.88%, ndjekur nga Tirana, me 42.66%, Elbasani 42.05%, Kukësi 40.75%, Berati 39.72%, Fieri 39.61%, Lezha 36.96%, Durrësi 36.96%, Korça 37.85%, Shkodra 34.56%, Gjirokastra 36.92% dhe Vlora 28.92%.
Në Qarkun Dibër, pjesëmarrja ka qenë më e lartë në Bashkinë Klos, me 47.00%, ndjekur nga Bashkia Dibër, me 46.80%, Bashkia Mat 45.78% dhe Bashkia Bulqizë 41.43%.