Në një aktivitet solemn të mbajtur sot në qytetin e Dibrës, u përkujtua 80-vjetori i Çlirimit të kësaj krahine heroike. Me pjesëmarrjen e veteranëve të luftës, qytetarëve, përfaqësuesve të pushtetit lokal, dhe me praninë e Zv/Kryeministres Belinda Balluku, ky përvjetor mori vëmendjen dhe respektin e merituar për sakrificën e popullit dibran gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zv/Kryeministrja Balluku theksoi rëndësinë e kësaj dite për historinë shqiptare, duke vlerësuar përpjekjet dhe guximin e partizanëve që dhanë jetën për lirinë e kombit. Ajo nënvizoi faktin se Dibra, me kontributin e saj të madh, dërgoi në luftë mbi 2 mijë partizanë, të cilët luftuan për të çliruar vendin nga okupatorët nazistë.
Aktiviteti përfundoi me nderime dhe homazhe për dëshmorët e rënë, ndërsa të pranishmit u bënë bashkë për të shprehur mirënjohjen e tyre të thellë për të gjithë ata që sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë.
Lavdi përjetë dëshmorëve!