Nga Alban Tufa
U nisa për në Dibër për të Festuar Kurban Bajramin, pas përreth katër orë e gjysmë rrugë arrritëm.
Është pasdite e vonë, diku ora gjashtë e gjysmë. Dielli i përvishet avash-avash vargmalit të Lurës. I bie të zhytet bash aty ku janë ndërtuar Hec-et e Setës. I bie përmes Bulevardit “Elez Isufi”. Qetësi që të vret. Them të bëj një foto dhe ta postoj te faqja “Dibraon”, por mandej ndërroj mendje. Pse duhet ta shohin dibranët gjithë këtë shkretëtirë me pllaka të kuqërremta, mbi të cilën nuk ka më këmbë njeriu?! Eci më tutje duke shpresuar të gjej ndonjë furgon për në Kastriot. Jetoj në fushë të Sohodollit, dhe andej më bie më afër. Duke ecur sytë më zënë urimin e Bashkisë për Bajram. Me duket sikur është i njëjti rooll-up (baner, basëm në dibrançe; basëm me shkrime), të cilim e përdorin për të dy Bajramet.
Më tej para selisë së PD-së disa flamuj të vënë prej kur ishte Basha, ta bëjnë me dorë dhe një erë e lehtë veç i lëkund. Ata i tunden parasyve bustit të Halil Alisë si për ironi dhe duket sikur i thënë, të rroftë lufta kundra komunizmit: trap.
Me tutje, një bar-kafe, dy tre burra po pinë birra dhe ndërkohë tek cakërrijnë gotat i thonë njëri tjetrit: gëzuar festën. Fill ia plasin të qeshurave pa hesap dhe bashkë me zërin e tyre ecim tokë deri në fund të Bulevardit.
Iu afrohem furgonave. Heshtje. Qetësi që të mpin dhe të ndjell veç kujtime. Nuk paska furgona. Pthuu bëj me vete. Këtu e kuptoj se aq shumë e dua dhe po aq shumë e urrej këtë vend. Por si përherë kam fat: e shoh një diku në një qoshkë të karburantit dhe i avitem.
Deri te Komuna do të shkoj më thotë, e ka fjalën për Njësinë Administrative, po deshe hip po s’deshe rri. Nuk jam të kushte për të bërë aspak naze. Hipi. Falë të madhit Zot, shoferi paska deri diku respekt për festën, dhe niset akoma pa u mbush.
Zbres aty ku më paralajmëroi. E gjithë rruga deri te Gjimnazi, është me lokale anash, disa me trajta deri diku moderne e disa të tjerë janë të pa ndryshuar që sa i mbaj mend. Në to rrinë burra, vetëm burra. Burra të rinj, mesoburra, burra pleq.
Unë ec gjithë e duke u munduar t’i zhbiroj fytyrat e tyre, të kap të veçantat, detajet, të ndryshmet, por zor. Janë të gjithë njësoj, të gjithë pinë birra e raki, të gjithë i kanë barqet deri te fyti sikur të jenë gra shtatzëna. Kaq kufizohet lumturia e tyre me një gotë a shishe përpara. Jeta e tyre është e thjeshtë, pa ndërikime, në bar-e thjeshtëzohet krejtësisht, sidomos nga mungesa e grave.
Tek eci, me kujtohet një shprehje e filozofit Alija Izetbegoviç i cili thotë: “Kafshën dhe njeriun i dallon vetëm rituali”. Por njerëzit e vendit tim nuk përmbahen as për të bërë ritualin, ritualin e festës. Ndoshta vetë të pirët një birrë është shndërruar në ritual?!
Rruga deri në shtëpi është krejt pluhur, i cili veç këpucëve më ka mbuluar edhe xhinset deri afrë gjurit.
Prindërit i gjej si çdoherë duke u marrë me diçka. Ata gjithmonë kanë diçka me të cilën merren. Gëzohen kur më shohin.
Të nesërmen herët bashkë me tim atë shkojmë dhe bëjmë rirualin, falim Bajramin e Vogël. Ndjesitë janë sa të papërshkrueshme dhe intime, kështu që kjo duhet kapërcyer. Kthemi në shtëpi.
Nuk është se po presim ndokënd. Ime më i thotë motrës rregullo këtë e rregullo atë se mos vjen ndojnë mik. Ndoshta edhe ajo e di që nuk vjen më njeri por e bën për inerci. Kur ishin gjyshërit gjallë edhe vinte ndokush. Edhe ne shkonim ndokund.
Tek shkruaj këtë përshtypje më kujtohet një varg që kam shkruar në një poezi: festave s’iu ka mbet asgjë nga festat.
Secili në terezinë e vet, i tkurrur nga çdo përbashkim fisnor turret veç në gjërat materiale që i ofron bota.
Ndërkohë nëpër celuar nuk u ndalën urimet, shumica me foto. Disa prej tyre vazhdojnë të na i sjellin të njëtat që 5 vjet.
Ika prej prej Dibre sepse na pret puna, dhe gjatë rrugës me plot kthesa, munda të ujdis këto rrjeshta.