Policia Rrugore e Dibrës intensifikon masat për parandalimin e aksidenteve rrugore, në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e masave, i hartuar menjëherë pas analizës 3-mujore e zhvilluar me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, gjatë së cilës u lanë detyra për rritjen e forcës parandaluese dhe ndëshkuese nga ana e Policisë Rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.
Shërbimet e Policisë Rrugore kanë ushtruar kontrolle në qytet dhe në rrugët nacionale, të përqendruara kryesisht në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit të shkeljeve që janë rrezik potencial për përfshirje në aksidente rrugore, si dhe të evidentimit dhe ndëshkimit të drejtuesve të automjeteve, që tentojnë të korruptojnë punonjësit e Policisë, me qëllim shmangien e masave administrative.
Policia Rrugore e Dibrës falënderon drejtuesit e mjeteve dhe këmbësorët që respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe apelon për të gjithë shkelësit që këto rregulla t’i zbatojnë me rigorozitet, pasi do të përballen me forcën e ligjit.