Dasma në Dibër, rrëmbimi i nuses dhe macja

0 0
Read Time:5 Minute, 23 Second

Pjesa e dytë e punimit “Semiotika e dasmës shqiptare” shkruar nga Dr. Agron Tufa

Rrëmbimi i nuses

Për hulumtimin tonë paraqet interes edhe një moment tjetër i rëndësishëm në dasmën shqiptare. Në ditën e dytë të gostisë së dasmës, farefisi i zgjedhur i dhëndrit sipas linjës së gjakut dhe qumështit, nisen për të marrë nusen. Në ato zona të Dibrës veriore ku i jemi përmbajtur studimit tonë, nusen është traditë ta marrin me forcë. Ngjet kjo përafërsisht kështu: në njëfarë distance nga dyert e shtëpisë së nuses qëndrojnë krushqit e dhëndrit, ndërsa në dyert e oborrit qëndrojnë përcjellësit e nuses. Ndërmjet dy palëve zhvillohen dialogje në këngë. Në këto dialogje korale luhet drama e rrëmbimit të nuses. Në kohën e interpretimit të këtyre këngëve, korri i burrave dhe grave nuk përzihen me palën e nuses.

Kështu pra, përse nusja duhet të rrëmbehet patjetër? Burimet e këtij rituali duhet t’i kërkojmë në Eposin shqiptar të Veriut. Puna është se, në akord me legjendat dhe epet e vjetra shqiptare, një ndër frikërat dhe tabutë më të forta konsideroheshin gjithëfarë llojesh të incestit. Marrëdhënia ndaj incestit te shqiptarët ishte aq e padurueshme, saqë shpesh ndalohej martesa jo vetëm me ndonjë që mund të binte lidhje e largëtr gjaku, por ndalohej nganjëherë martesa me vajzat e të njëjëtit fshat. Në një këngë të eposit shqiptar “Dasma e Halilit”, heroi refuzon të martohet me vashat e asaj krahine, duke i konsideruar të gjitha “motra”. Tradita kërkonte që dhëndrri dhe nusja të ishin madje prej krahinash të ndryshme, kësisoj, nga kohët e vjetra nusen e rrëmbenin nga dyert e saj prindërore njerëzit e ”largët”. Nga një pikëpamje tjetër, një sjellje e tillë ndaj nuses është krejt e shpjegueshme në sfondin mbareuropian, përderisa na del i njëjtë me marrëdhënien ndaj etikës kalorsiake të mesjetës. Për sjelljen kalorsiake në epin Bizantin, shkruan Jurij Llotmani në librin “Kultura dhe Bumi”. Digenis Akritasi (“Bëmat e Digenisit”), ndryshe nga rivalët e tij në rrëmbimin e zemrës së nuses, i ecën mbarë, pa asnjë pengesë, çka e bën atë të pikëllohet, ngase nuk kishte bërë asnjë heroizëm, nuk kishte lënë asnjë nam. “Të gjitha arsyet logjike të betejës janë shmangur, por nga pikëpamja e etikës kalorsiake beteja nuk ka nevojë për arsye logjike. Ajo është një bëmë individuale vetvlerësuese dhe dëshmon se heroi është i denjë për fatin e vet.” (II, 78).

Interesante është se krushqit e dhëndrit shfaqen para shtëpisë së nuses, duke mbajtur ngritur flamurin nacional. Për vendet e Ballkanit ky është një rast mjaft i rrallë – përdorimi i simbolikës nacionale në kohën e ritualit të dasmës. Në përgjithësi, shqiptarët e ngrenë flamurin vetëm në tre raste: 1) në kohën e pikut të betejës luftarake; 2) në kohën e ndërtimit të ndonjë ngrehine, shtëpie të re; 3) në kohën e ceremonisë së dasmës, në variantin verilindor të saj. Nisur nga kjo mund të supozojmë se flamuri është simbol i ngadhënjimit, zotërimit (të teritoreve, gjakut, femrës), dhe në rastin e shqiptarëve interpretant i shfaqjes së flamurit është pikërisht beteja e kurorëzuar me fitore. Përveç kësaj, një model mental mjaft i përhapur në rastin tonë mund të jetë ideja – pikërisht e posedimit suksesiv, çka është po aq e lexueshme edhe për jo-shqiptarët.

Macja

Moment i mbramë me rëndësi në dasmën tradicionale shqiptare është veçimi i çiftit, ose i njohur ndryshe, “mbyllja e dhëndrit” në dhomën e dhëndërisë, të përllogaritur kasten për të sapomartruarit. Që nga koha e hyrjes së dhëndrit në dhomë, nusja gjithë ditën e kaluar ka nusëruar nën vello dhe vetëm në mesnatë atë e shpjenë në shtratin martesor në pritje të shfaqjes së dhëndrit, të cilin – në të shumtën e rasteve – ajo nuk ka mundur ta pikasë, jo vetëm përgjatë dasmës, por edhe para saj. Nga pikëpamja psikologjike, çatis momenti më i tendosur e më dramatik për gjithë ceremoninë e dasmës. Nusja mbetet vetme në dhomë, dhe vetëm një maceje i lejohet të jetë e pranishme në minutat e shumëpritura të njohjes me burrin. Në dhomë hyn burri dhe ulet heshtur në shtratin martesor. Ai rëndom dredh një cigare, ndërsa nusja duhet të ketë një shkrepsë dhe t’ia ndezë. Ky është një shkak i sajuar, gjest që i jep shtysë kuvendimit të tyre, pas të cilit ata gatiten të shtrihen. Kur nusja tashmë është shtrirë, dhëndri, para se me u shtri me nusen, mer macen dhe me dorë të fortë e vendosmërisht e ther atë në sy të nuses. Mandej ai lan duart dhe shtrihet në shtratin martesor, afër nuses së tij.

E gjitha kjo kalon në heshtje, si një teatër hijesh, dhe prandaj këtë shenjë mund ta shpiem në radhën e shenjave jo verbale që shoqërojnë ceremoninë e dasmës. Për shqiptarin macja – është jo vetëm bartës simbolik i “femërores”, por edhe kafshë e cila çon një jetë “shëtitëse” çati më çati, e dac më dac. Duke vrarë macen para se të shtrihet në shtratin martesor, dhëndri kësodore i jep, me demek, të kuptojë nuses, se që nga ky moment ajo i përket tërësisht atij dhe, po guxoi “t’ia dredhë” apo t’i japë vetes më shumë liri (në kuptimin seksual), atëherë dora e tij nuk do të dridhet dhe ai, do të veprojë vendosmërisht, ashtu siç veproi me macen.

Përveç kësaj, mendojmë se macja ka marrëdhënie të drejtpërdrejtë me flitë arkaike martesore dhe metanimikisht i ka rrënjët në përfytyrimin e dasmës jo vetëm si pushtim (lufta në mënyrë të natyrshme asocionon me flinë, vrasjen dhe nënshtrimin e dhunshëm), por edhe me gjakderdhjen. Në rastin konkret duke derdhur gjakun e maces, dhëndri metanimikisht i paraprin kuptimit mitologjik të martesës si lidhje e tokës me qiellin dhe, natyrisht, vetë humbjes së virgjërisë së nuses.

Kështu, nata e martesës përmbyll ceremoninë tradicionale të dasmës, e cila përbëhej, sikundër e kemi kuptuar, prej një radhe njësish të pavaruara shenjore, të lidhura me rrugë konkatenacioni në një sistem që reflekton mentalitetin e shqiptarëve dhe, nga ana e përkundërt, korrekton përfytyrimet tradicionale të shqiptarëve mbi të moralshmen dhe të shenjtën përgjatë shumë shekujsh.


**Në këtë kuptim atdheun e alegorisë tradicionale shqiptare mund të quajmë Dibrën dhe një sërë regjionesh të veriut dhe Kosovën.

Bibliografia


I. Kerllot H. E. Fjalori i simboleve. – М.: “REFL-book”, 1994.
II. Llotman Jurij. Kultura dhe Bumi. –Botim i “Gnozis”; Frupi botues “Progres” 1992.
III. Pierce C.S. Logic as Semiotic. The theory of signs. Në përmbledhjen: Semiotics: An Anthology. Bloomington, 1983.
IV. Derrida J. The Truth in Painting. McLeod. Chicago, 1987. P. 83-118.
V. Xhaferr Martini. “Perlat e Dibrës”, Tiranë, 1999.

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %