Nga: Haki Pernezha
Çidhna, tri këmbë e bishti pesë… (Etnokulture)
Çidhna e Poshtme është një fshat pëllëmbë e histori, por ajo që deshëm të veçojmë, është thënia: ”tri kamë e bishti pesë”. Në kuptimin matematikor, tre elementë (këmbët) dhe një tjetër (bishti), bëjnë katër, por në Çidhën nuk bëjnë katër, por bëjnë pesë(!) Kjo thënie përdoret në biseda të përditshme nga çidhnakët, kur duan të tregojnë se kanë kuptuar ndonjë hile, kanë zbuluar të vërtetën. Aq të fshehtë janë çidhnakët dhe aq imponues në atë që thonë, sa të bëjnë të pranosh se vërtetë tre plus një bëjnë pesë. Po ilustrojme me nje shembell: Në një takim mes disa personash, flitet për ndonjë ngjarje që deri para pak kohësh ka qënë treguar ndryshe për të. Kur e vërteta zbulohet, qoftë edhe për një rast krejt banal, dikush shpreh habinë, duke thënë: eu, si paska qënë kjo punë! Tjetri, bashkëbiseduesi, menjëherë përgjigjet: Tre kamë e bishti pesë, ma; d.m.th se shumëkush, ndryshe e paraqet problemin e ndryshe qëndron e vërteta.
Kur dikush nga Çidhna e Poshtme, ndodhet në mjedise me burra në fshatra tjerë të Krahinës, ai me humor stigmmatizohet herë pas here me fjalët “tre kamë e bishti pesë”, që do të thotë se: ti don të na hedhësh hi syve, ti paraqet si të vërtetë atë që s’është e tillë, etj. Kjo thënie asnjëherë në Çidhën nuk ka pasë dhe nuk është përdorë me kuptim pegjorativ; ajo përdoret me humor dhe sy për sy. Zakonisht personat që përdorin mjaft mirë alegorinë, janë objekt i “sulmit” me këtë lloj njësie frazeologjike. H.Pernezha