Cen Elezi: Luftëtari legjendar i maleve të Dibrës.

0 0
Read Time:8 Minute, 50 Second

Cen Elezi u lind në Lisivalle të Dibrës më 1884. Ai rridhte nga një familje e madhe e fisnike dhe ishte djali i madh i patriotit të përmendur, Elez Isufi. Anëtarë të familjes e të fisit, ndër ta Cen e Mersin Elezi, Sufë e Dik Xhelili dhe Qazim Hazizi (Ndreu), u bënë një grup i rëndësishëm dhe bashkëluftëtarë të  Elez Isufit për çështjen Kombëtare. Shkelja e premtimeve të turqve të rinj, reprezaljet e Xhavit Turgut Pashës dhe përgatitja e fqinjëve ballkanikë për copëtimin e ndarjen e viseve shqiptare midis tyre, i bindën shqiptarët se duhej të luftonin për pavarësi dhe të pengonin synimin e fqinjëve armiq. Elez Isufi i vetëdijshëm për gjendjen e krijuar për shqiptarinë, mbas lirimit të tij nga burgu i Selanikut, dy herë i shpartalloi repartet turke, që deshën të arrestonin deputetët shqiptarë të strehuar në vendin e tij. Njëkohësisht Elez Isufi me Sufë Xhelilin e Cen Elezin dhe me popullin e Reç, Dardhë e të Ujë e m’Ujës, filluan Kryengritjen e Përgjithshme në Dibrën e Poshtme në mars 1912, çliruan Peshkopinë e rrethuan Dibrën e Madhe. Kjo më vonë u përhap në Kosovë dhe pati rezultate të shkëlqyera. Ushtria e fqinjëve ballkanikë, pasi mundën ushtrinë turke në Ballkan në tetor 1912, iu vërsulën trojeve shqiptare. Elez Isufi dërgoi 800 vullnetarë për mbrojtjen e Shkodrës dhe vetë me Sufë Xhelilin e Cen Elezin dhe me 1000 luftëtarë të tjerë nga Reçi e Dardha e Ujë e m’Ujes marshuan drejt Kolosianit të Lumës dhe lumjanë e dibranë së bashku , më 16-17 nëntor vunë përpara dhe zhdukën një divizion të ushtrisë serbe, që kishte hyrë në Lumë. Sufë Xhelili dhe Cen Elezi, luftuan krah për krah me Elez Isufin në kryengritjen e përgjithshme dhe në betejën e Kolosianit, dhe spikatën për përgatitjen e zhvillimin e luftimeve. Forca më të mëdha armike, megjithëse u gjakosën, përsëri me vullnetarët e Elez Isufit, dolën në Adriatik nga drejtime të ndryshme. Shqiptarët nuk i njohën kufijtë e cunguar në mars 1913 dhe vijën strategjike të Serbisë brenda këtyre kufijve. Pasi u takua e u këshillua me Haxhi Vehbi Dibrën e Bajram Currin, Elez Isufi organizoi kryengritjen e Dibrës në shtator 1913 dhe populli e përkrahu. Me 22 të atij muaji, ai e Mersin Elezi, sulmuan fortifikatat e karakollit të Sllovës (të qafës së Trojakut) e Sufë Xhelili e Cen Elezi sulmuan ato të Shumbatit, dhe i kapën shpejt. Gjëmimi i topave, të cilët i zunë të paprishur,  çuan më këmbë krahinat e dy Dibrave, e vunë përpara ushtrinë serbe, çliruan Peshkopinë e Dibrën e Madhe dhe viset shqiptare, deri në Gostivar. Kryengritja u shtri në Lumë dhe Kosovë. Lumjanët  e kosovarët të udhëhequr nga Qazim Lika, Bajram e Hysni Curri, çliruan Lumën, Gjakovën dhe Prizrenin. Serbia dërgoi dy divizione agresive dhe hakmarrse kundër shqiptarëve, masakruan ata që gjetën në vend, shkatërruan gjithçka në vendet kryengritëse. Cen Elezi  kreu një vepër humanitare, ai ndihmoi popullin të tërhiqej në drejtim të Shqipërisë së Mesme.  Në fund të vitit 1915, ushtria serbe e thyer nga forcat austro-hungareze, po tërhiqej nga të gjitha frontet dhe një armatë e saj tentoi të futej në Dibër për të dalë në Durrës. Cen dhe Mersin Elezi si dhe Sufë e Dik Xhelili u ndeshën me të  porsa kaluan Kallën e Vleshën, dhe asgjësuan avangardën dhe komandantin e Gardës Mbretërore. Elez Isufi dhe populli i Reç, Dardhës, e Ujë m’Ujës e Lumës, me shpejtësi u erdhën në ndihmë dhe në luftën e përgjakshme, që u zhvillua nga Ura e Veleshicës e gjer në Kastriot, ushtria serbe humbi 2 mijë ushtarë. Pjesa tjetër e saj ndërroi drejtimin me qëllim që të dilte nga Mirdita. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Serbia dërgoi njësi të mëdha ushtarake në Dibër, që synonte ta merrte me ndihmën e Francës. Elez Isufi organizoi Luftën e Dibrës më 1920. Më 16 gusht Sufë Xhelili e Cen Elezi sulmuan kodrat e Shkekës së Shumbatit nga të dy drejtimet dhe zbrazën pushkët e para  të kryengritjes. Pastaj menjëherë, dibranë e lumjanë, mësynë ushtrinë serbe, ku ndodheshin përqendrimet e saj, e thyen dhe e detyruan të tërhiqej përtej kufirit të 1913-ës me humbje të mëdha në njerëz dhe armatime. Qeveria e Beogradit më 1921 hodhi në front 12 regjimente të saj, njësi bjellogardiste ruse dhe pesë batalione me mercenarë, dy ndër ta të Halit Lleshit e Taf Kaziut.Ato ndërmorën një sërë mësymjesh për të okupuar pjesën verilindore të Shqipërisë. Elez Isufi, i cili kishte zënë vijën strategjike të Drinit të Zi, që përfshinte Malësitë e Dibrës, nga Drini gjer në Lurë, me popullin Reç e Dradhë, Lumës e të Lurës, dhe një batalion të Ali Rizait, i përbërë nga vullnetarë dibran, për katër muaj u bënë ballë sulmeve të kundërshtarëve dhe nuk lëshuan as një pëllëmbë vend. Rol të rëndësishëm luajtën Sufë Xhelili, Cen Elezi, dhe Qazim Hazizi, me çeta të shpejta e manovruese, të cilat me sulme të befasishme i thyen armiqtë, duke i detyruar që të linin pas humbje të mëdha të iknin përtej Drinit. Të gjithë trimat shqiptar e kryen detyrën ndaj Atdheut shkëlqyeshëm. Këto ndeshje sollën njohjen e pavarësisë së Shqipërisë brenda kufijve të 1913-s nga Konferenca e Ambasadorëve, Lidhja e Kombeve, tërheqjen e detyruar të ushtrisë së Beogradit më 8 dhjetor 1921 dhe çlirimin e trojeve shqiptare. Elez Isufi e ndjeu për detyrë vendosjen e  demokracisë, të cilën e kundërshtonte qeveria e Xhaferr Ypit. Ai organizoi lëvizjen e marsit 1922  dhe me Sufë Xhelilin, Cen Elezin, popullin e Reç e Dardhë,Ujë m’Ujës, e të Lurës iu drejtua Tiranës dhe me 8 mars kapën gjysmën e qytetit. Në kohën kritike për palën kundërshtare ndërhyri diplomacia angleze. Si rrjedhim ata ndërprenë luftimet dhe u kthyen në Dibër. Më 5 prill të atij viti, Gjykata e Lartë ushtarake dënoi me vdekje në mungesë Elez Isufin, Sufë Xhelilin dhe Cen Elezin. Kur Shqipëria u vu në rrezik përsëri nga një agresion,Elez Isufi, Suf e Dik Xhelili dhe Cen Elezi e populli i Reç e Dardhë e Ujë m’Ujës vrapuan për t’i ardhur në ndihmë vatanit.  Më 16 dhjetor 1924, në Peshkopi u vranë Elez Isufi e Suf  Xhelili duke mbrojtur Atdheun. Pas tragjedisë të dhjetorit 1924, Cen Elezi për vite me radhë ndenji në Sllovë nën presion, por gjithmonë i vetëdijshëm për detyrën ndaj Atdheut. Ai vuri rëndësi pasurisë së familjes dhe modernizoi ekonominë bujqësore dhe blegtorale. Në fillim të vitit 1941 Cen Elezi u vu në shërbim të Atdheut, u bë një nga nacionalistët kryesor shqiptar për çlirimin e vendit nga pushtuesit fashistë dhe Sllova u kthye në një nga bazat me rëndësi. Atje u bënë mbledhje të rëndësishme dhe u strehuan të arratisurit politik. Cen Elezi bëri lidhje me nacionalistët më të mirë të kohës nga Luma, Shkodra, Shqipëria e Mesme dhe e Jugut. Më 1942, Cen Elezi ndaloi me forcë Halil Alinë me mercenarët e tij të nënshtronin dy Dibrat me urdhrat e Mëkëmbësit të mbretit të Italisë, Jakomonit dhe qeverisë marionetë të kohës. Me 5 mars 1943 Cen Elezi shpartalloi  në Okshetinë të Dibrës, një batalion të divizionit të Firences. Në atë betejë që zgjati gjithë ditën, u vra bashkëshorti i  bijës së Mersim Elezit, Ramadan Haraçiu, Ismail Cala, dhe u plagosën Cen Elezi e Halim Lika. Komanda e lartë e trupave italiane në Shqipëri për ta mposhtur Cen Elezin më 20 gusht 1943 bombardoi rëndë Sllovën e shkatërroi shtëpitë, por humbi një aeroplan. Pas dorëzimit të Italisë me 8 shtator 1943, nacionalistët dhe partizanët hynë në Peshkopi dhe Dibër të Madhe. Brenda javës filluan mbledhjet dhe grindjet politike, por në fund të tetorit u bë një marrëveshje që përcaktonte formimin e një shtabi të përbashkët operativ dhe komandant u zgjodh Cen Elezi. Por Enver Hoxha dhe Jugosllavët e denoncuan si atë të Mukjes dhe nxitën e filluan vëllavrasjen. Cen Elezi mbajti qëndrim asnjanës, mblodhi fuqitë e veta nga dy qytetet e u nis për në Sllovë. Më 19 nëntor në mëngjes gjermanët e Halil Alija me mercenarë sulmuan Sllovën, shtëpitë e Cen Elezit. Lufta u bë e përgjakshme dhe zgjati tërë ditën. Vetëm 11 nacionalistë u qëndruan një mijë kundërshtarëve dhe luftuan heroikisht si asnjëherë tjetër.  Në luftë u vranë Ismail Strazimiri dhe Merisin Elezi dhe u plagosën Cen Elezi, Fuat, Riza, Bafqar Ndreu e Llon Lita. Armiqtë plaçkitën sa deshën e për humbjet që pësuan kryen një masakër të shëmtuar dhe dogjën e shkatërruan shtëpitë e Cen Elezit dhe Sllovën. Cen Elezi e patriote e demokrat të tjerë nuk e pranuan sistemin komunist dhe të inkurajuar nga amerikanët dhe anglezët dhe premtimi i tyre, se do të ndërhynin ushtarakisht-premtime që nuk i mbajtën në mars 1946 synuan përmbysjen e komunizmit në Shqipëri. Qëllimi i tyre nuk u realizua për shkak të reagimit shumë të shpejtë dhe violent të qeverisë. U bënë arrestime e pushkatime në Dibër e krahinat rreth saj, në bazë të listave të përgatitura nga Haxhi Lleshi,u vu në zbatim të tjera arrestime pa gjyq, pushkatime, varje, prerje me thike, shkatërrime familjesh, internime e djegie.  Cen Elezi qëndroi në mal më se dy vite dhe në luftime u vranë nacionalistët më të njohur. Prishja e Jugosllavisë me Bllokun e Lindjes më 1948 dhe propaganda e zhvilluar në Shqipëri se gjoja Jugosllavia e kishte braktisur komunizmin e ishte lidhur me amerikanët dhe anglezët, mashtruan shumë njerëz. Cen Elezi dhe të tjerë, të arratisur politik, ndër ta  Mehdi Elezi, Qazim Hazizi, Dan Kaloshi, Ferit Sina e Lam Baza, kaluan në Jugosllavi. Atje, menjëherë në mënyrë djallëzore u arrestuan si antikomunistë e antiserbo-jugosllavë dhe i mbajtën të lidhur gjashtë muaj. Në hetuesi, oficerët e UDB-së, Lutfi  Rusi e Mustafa Lleshi, me urdhër të Beogradit dhe porositë e Tiranës-ata të Tiranës i dërgoi Haxhi Lleshi-via mixhës së tij Aqif  Lleshit- përdorën tortura çnjerëzore fizike si dhe urie. Është e njohur porosia e Cen Elezit që ia dha Mehdiut:”Mos u dorëzo, mos i turpno familjen e Dibrën dhe mos e tradhto Atdheun, se kjo nuk falet, edhe sikur të bësh shumë të mira pas kësaj.” Cen Elezi qëndroi me shpirt të pathyer derisa e mbytën me 9 maj  1949. Dhe mizorët e kryen misionin. Ata vranë një shqiptar të madh që zë vend të spikatur në historinë e shqiptarëve. Në përvjetorin e 65-të të vrasjes së Cen Elezit, ne përkujtojmë me respekt një patriot, i cili luftoi për pavarësinë, mbrojtjen, çlirimin e demokratizimin e vendit. Ne gjithashtu kërkojmë vlerësimin e figurës dhe të kohës së tij.

Jonuz NDREU, Nju Jork

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %