Këshilli Bashkiak i Bulqizës ka zgjedhur Gëzim Xhafën si kryetarin që do të drejtojë bashkinë Bulqizë deri në betimin e kryebashkiakut të ri që do të dalë nga zgjedhjet e 14 Majit. Ky hap vjen disa ditë pas arrestimit të Lefter Allës dhe shkarkimit të tij me vendim të këshillit të ministrave.
Mungesa e kryetarit të bashkisë pati sjellë vonesa në miratime të ndihmës ekonomike si edhe pagesave të personave me aftësi të kufizuara, të cilët ende nuk i kanë marrë. Xhafa mbante pozicionin e kryetarit të këshillit bashkiak. Pas dorëheqjes, do të ushtrojë detyrën e kryetarit të bashkisë deri në zgjedhjet e 14 Majit.
Alla ra në pranga bashkë me disa zyrtarë të tjerë nën akuzën për korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë. Sipas SPAK, Lefter Alla, duke shfrytëzuar postin e tij si kryebashkiak, ka favorizuar një kompani për të fituar tenderin me vlerë 322 milionë lekë, për ndërtimin e ujësjellësit në Bulqizë./abcnews.al