Bujtina “Konaku” në Peshkopi, destinacion për turistët vendas dhe të huaj

0 0
Read Time:3 Minute, 40 Second

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot edhe bujtinën “Konaku” në Peshkopi, një sipërmarrje familjare, e cila prej vitit 2018 është kthyer në një nga destinacionet e preferuara për turistët vendas dhe të huaj ardhur nga Austria, Norvegjia, Italia etj.

Bujtina që ofron akomodim në 8 dhoma, arredim me elementë tradicionalë, si dhe ushqim bio, planifikon të zgjerohet me ndihmën e AZHBR pasi kërkesat e turistëve janë gjithnjë në rritje.

Pronarja e bujtinës, u shpreh se këtë vit turistët janë shtuar shumë, teksa shtoi se kjo bujtinë i shërben familjes por edhe komunitetit përreth.

“Kemi pasur shumë, sidomos këtë vit që ishte edhe pas pandemisë erdhi numri duke u rritur. Me thënë të drejtën si biznes na ndihmon familjarisht. Por mendoj edhe komunitetit, sepse produktet e gjërat i marrim nga fermerët”, tha ajo.

“Kemi 8 dhoma që i përdorim për turistët dhe 3 holle në shërbim të turistëve dhe kemi vend poshtë që e përdorim për familjen që jemi 5 vetë”, vijoi ajo.

Pronarja tha se ky lloj biznesi edhe turistëve u pëlqen shumë sepse është tradicional.

“Më shumë vijnë të huaj. Kemi pasur turistë, austriakë, gjermanë, norvegjezë. Si biznes e kemi filluar nga viti 2005. Në 2018 e kemi hapur kështu që t’u shërbejmë njerëzve në kushte më të mira”, tha ajo.

Zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se, “kanë një plan dhe duan të zgjerohen. Kanë një pjesë të pronës që është ngjitur që e ka blerë tashëm familja dhe duan të zgjerohen. Dhe do t’i ndihmojmë që të bëjnë një aplikim tek AZHBR-ja. Se me të vërtetë e meriton kjo bujtinë që të zgjerohet, të ketë dhe dhoma të tjera se janë gjithmonë të zëna këto 8 dhoma”.

“Më shumë mendojmë të zgjerohemi me një ambient shërbimi të ushqimit, sepse dua të ruaj traditën ku turistët e shohin ushqimin kur përgatitet”, u shpreh pronarja.

Rama u shpreh se bujtina duhet plotësuar edhe me gjëra tradicionale si qilima apo mindere.

“Duhet të bëni aplikimin pastaj me siguri do të merrni mbështetje sepse ju keni gjithë këtë strukturë. Dhe është shumë ide e e bukur ajo për të bërë një sallë që të gatuhet”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Dibrës, Rahim Spahiu, u shpreh se, “të gjithë ata që kanë bujtina po kërkojnë të gjithë të zgjerohen, edhe këtu në qytet edhe në zonat afër, por edhe në Radomirë, që është zonë shumë e frekuentuar turistike. Të gjithë kërkojnë të bëjnë shtesa, të bëjnë hotele të tjera, të bëjnë bujtina të tjera”.

Spahiu tha se, “ka emigrantë që po kërkojnë të marrin toka me qira, dhe t’i bëjnë qoftë pemëtore apo duke i bërë ndonjë bujtinë”.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u shpreh se, “praktikisht nga preferencat e turistëve të huaj Dibra bën pjesë tek veriu ku kemi një rritje të preferencës për turizmin shqiptar në zonën e veriut dhe të malësisë me 41%. Rezulton më i preferuar për vitin 2022 sesa pjesa tjetër tradicionale e pushimeve siç janë plazhet. Kështu që në fakt dhe Dibra bën pjesë tek kjo rritje”.

“Kur thoshim do bëjmë turizmin në Dibër na shihnin si mashtrues. Ja ku ka filluar turizmi në Dibër apo jo?”, u shpreh Rama.

“26 mijë turistë kemi pasur këtë vit”, tha Balluku.

“Të mbarojë kismet, se na pengon ajo gjeologjia, të mbarojë Murrizi, të mbarojë dhe kjo e Maqellarës. Pastaj flasim bashkë. Bëhet Dibra kopshti i gjelbër i Tiranës”, tha Rama.

“Rruga e Maqellarës është parashikuar në buxhetin 2023. Do nisim garën dhe menjëherë do të bëhet”, vijoi ai.

“Rruga e Arbrit të garanton që t’i të vish nga Tirana sikur po del nga Liqeni. Se me trafikun e Tiranës, është njësoj sikur del nga Liqeni. Pastaj gjithë këto mrekulli këtu natyrore, gjithë këto tradita, flasim”, tha Rama.

“Por ne duhet të bëjmë dhe një gjë tjetër, duhet të stimulojmë fuqizimin e rrjetit të artizanatit të grave që qepin, kostumet, qilimat. Ajo duhet fuqizuar se aty pastaj do të ndodhë një tjetër zhvillim për ekonominë tuaj. Sepse vijnë ata, vdesin për të blerë nga këto, edhe shtrenjtë jo lirë”, u shpreh Rama.

Kumbaro foli për pastrimin teksa u shpreh se, “përgjithësisht qarku, dhe bashkia Mat, dhe Bulqiza dhe bashkia Dibër janë ndër bashkitë që nuk e kanë ndalur asnjë ditë procesin e pastrimit”.

“Ka qenë pisllëku i madh, tani nuk sheh më plehra rrugës”, u shpreh Kryeministri Rama.

Mat.TV

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %