Rrëfenjë
Ishim ulur në një lokal të vogël ku shërbehet shqip, diku pranë kishës Shën Nikolla (Agios Nikolaos), pesëdhjetë metra larg stacionit të trenit elektrik me të njëjtin emër, stacion që lidh portin e Pireut me Kiffisianë e të pasurve si të lidhte Tiranën me Durrësin.
Me një lushnjar e një korçar të moshës sime gjerbnim kafenë ekspres me një kokërr zaharinë brenda e bashkë me të gjerbnim kohët.
Fjala diku u fut në kujtimet për dritën. Jo atë të diellit por për dritën elektrike…
Ndërsa flisnim diçka thashë e diçka bluejta në mullirin e kujtesës rrugës për në shtëpi e tash me syrin në ekran e me duart në tastierë, jam larg, shumë larg, në Brezhdanin, truallin ku linda, u ngrita në këmbë dhe eca…
U ktheva plot gjashtëdhjetë vjet të shkuara, atëherë kur hapej një kanal, ndërtohej një hauz, shtrihej tatëpjetës së kodrës një tub i çeliktë, montohej në një ndërtesë sa një mulli uji një turbinë dhe shtriheshin në të gjitha anët e katundit shtylla druri me tela bakri mbi dy filxhanë porcelani në majë…
Nuk e kam jetuar ditën kur uji rrodhi në kanalin që për një pëllëmbë prekte themelet e avllisë së shtëpisë sime, as kur u mbush hauzi e uji mori shpejtësi tubit të shtrirë vreshtit tonë duke shkulur ndonja pesëdhjetë kucka hardhi për të lëvizur turbinën e mbi kokat e bashkëfshatarëve të mi u ndez llamba elektrike 110 voltë-she.
Në gusht kur erdha për pushimet e shkollës mora dhe mbaj në kujtesë kuajt e fshatit nga shinikët e të cilëve u shkarkuan zhavorr nga Përroi i Zdojanit dhe rërë nga Drini i Zi që kalon në kufij të Fushës së Çapit, më e bukura dhe më pjellorja e luginës. Mbaj mend edhe kuajt me dy dërrasa në të dy krahët me gurë përroi. Brezhdani shtëpitë vetëm në themele i ka me gurë. Jo se nuk ka pas dëshirë t’i latojë gurët deri në katin e dytë të ndërtesave përgjithësisht dykatëshe që zhyten mes gjelbërimit, por sepse natyra i dha tokë pjellore për bukë më shumë se sa çdo fshat tjetër në luginën e Drinit. Bile mund të them se pikërisht në Çapin e Brezhdanit asokohe u shkrua se në një parcelë me misër të kultivarit “Farë Madhi i Dibrës” u morën nga bujku Tahsim Karasani njëqind kuintal për hektar…
Në kujtesë kam edhe një hollësi, hapjen e kanalit.
Hapja e një kanali nuk është gjë e veçantë për tu mbajtur në kujtesë e për tu shkruar por ai ishte me të vërtetë një kanal i veçantë që nuk mund ta lë mënjanë.
Vija e Malit, si e ka emrin sepse buron nga izvoret e Bellovës, i bie qafës qytetit të Peshkopisë e pasi kalon në dy hidrocentrale, atë të Kallaveres dhe atë të Tominit, ndahet në dy degë, atë të Kandrrit dhe atë të Brezhdanit për të ujitur bimët e misrit, jonxhës e perimeve e për të bluar drithë në mullinjtë e shumtë.
Në krye të Brezhdanit ishte mulliri i vëllezërve Sadull, Sadik dhe Lam Ashiku. Marrja e ujit sipër, siç edhe ishte planifikuar, do ta bënte mullirin të punojë vetëm ditën, siç bëri mullinjtë në linjë…mullirin e Hilmi Karasanit, dy mullinjtë e Rexhep Kolës dhe mullirin e Maliq Hakores.
Ishte thirrur mjeshtri i madh i kanaleve të Dibrës Gani Tuçepi që i dha zgjidhje duke e bërë mullirin e Ashikëve, “mulli të gjallë” si thuhej në këto raste.
Poshtë, në nivelin e daljes së ujit nga sqota, rrota lëvizëse, u vunë piketat dhe u hap brenda ditës një kanal i thellë një bojë e gjysmë burri. Më tej ai duhet të kalonte rrugën dhe të përshkonte tokën tonë për të dalë në kuotë zero poshtë shtëpisë.
Babai im, Hajredin Ashiku, i refuzoi paratë e shtrira mbi qilimin e odës së pritjes. Tha se këtë e bën për vëllazëri ashtu siç bëri për dritën duke lejuar kalimin e kanalit dhe të tubacioneve mbi tokën dhe vreshtin e tij…
Me sa mora vesh më vonë katundi e përjashtoi atë nga të gjitha detyrimet kolektive për ndërtimin e hidrocentralit…
Gëzimin për “llambën në tavan” e mora nëpërmjet një letre që më shkruante babai në shkollën ku mësoja në Tiranë. Babai kishte një shkrim të bukur ndonëse nuk ishte ulur asnjëherë në ndonjë bankë shkolle. Kishte mësuar të shkruante e lexonte “vjedhurazi” siç thoshte, kur ishte ushtar. Më vjen keq që më humbën letrat e tij në udhëtimin tim. Do të desha tu thosha fëmijëve të mi se gjyshi i tyre shkruante më bukur dhe me më pak gabime se ata.
Drita elektrike solli një tjetër “dritë” në Brezhdanin tim. Filloi një garë e madhe se kush do ta blinte më të madhe e më me shumë stacione radion. Mbaj mend që radiot më të mëdha i kishin Feta Domazeti në lagjen Domazete dhe Hidër Zhuzhi në lagjen Rahmane. Njerëzit shisnin kafshët shtëpiake për të blerë radio, për tu mbledhur mbrëmjeve në familje për të dëgjuar muzikë popullore. Veçanërisht pritej me gëzim ora nëntë e mbrëmjes kur fillonte Radio-posta ku dëgjohej me duartrokitje si të ishin në një koncert. Babai im shiti një dhi të bardhë malteze për të blerë një radio sovjetike “Rekord”, radio të cilën një ditë e pashë të hedhur në një cep të bahçes me copën e mëndafshtë që e mbështillte në të gjitha krahët. Më dhembi ashtu siç kam ndjerë dhe ndjej dhembje për shumë libra e relikte të jetës sime që mbeten apo u hodhën diku, veçanërisht ato që humbën në ikjen time larg e larg Dibrës, në dhe të huaj…
Katër vite më vonë ndodhi që dita e parë e punës të jetës sime të niste në Brezhdan…
Atëherë katundi kishte një shtëpi kulture, një bibliotekë me librat e kohës, një grup artistik…
Në arkivin tim kam një shkrim për shtëpinë e kulturës.
Kam edhe dy fotografi midis njerëzve me të cilët punoja…
Kam edhe shumë kujtime që dua t’i mbledh, t’i bëj libër e t’ua lë fëmijëve e nipërve e mbesave të mia.
Dua t’ua lë që të kthejnë sytë pas për të parë në jetën e prindërve dhe gjysh-stërgjysheve të tyre kohën pa dritë, kohën me ashklën e pishës në oxhak, kandilin në kuzhinë, llambën në qendër të murit të dhomës së pritjes e fenerin në daljet “pasdarke” aq të ngrohta në marrëdhëniet midis njerëzve të gjakut e të gjinisë…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 24 prill 2015