Nga Gentjan Tufa
Atëherë kur dielli u fsheh përtej maleve, fshatarët, të nxitur nga thirrja e Ezanit, i dhanë fund punës (sipas urdhërit të Zotit) dhe u drejtuan paqësisht për kah qendra e fshatit, atje ku ngjitur me xhaminë gjallon pijetorja e Shemsiut, në të cilën thuhet se hallet dhe paret ikin si kurvat.
Më tepër se për të pirë, njashtu si tempulli ngjitur, këtu fshatarët ndihen të barabartë dhe siç shprehet Aliu (një pijanec me nam):”Këtu nuk të ofrohet një pulë mot (Xhehneti) por një vezë sot e merr pa inshallah – marshallah.
Nuk është çudi që edhe vetë ai, hoxhë Abdullahu, me të falur namazin la pas krahëve duhmën gati në të shpërndarë dhe pluhurin e thatë të rrugëve dhe hodhi këmbën e majtë në pijetore.
Ndryshe nga ballkoni, nga ku mund të tallësh ndonjë trashamak që kalon andej pranë apo të bësh ndonjë djalosh t’ja mbathë me lot në sy pasi t’i tregosh se si të atit (Heu! Çudi që se ditke”) i ka hyrë një zhapik në prapanicë (pohuar nga dy – tri dëshmitarë okularë ) dhe se pavarsisht përpjekjeve të sinqerta, zhapikut iu këput bishti… Ndryshe pra, nga ballkoni, brenda gjëmojnë shkulme sharjesh të zhveshura nga çdo ndrojtje. Këtë lloj katarsisi (duke shprazur mllefet që ekzistojnë ose jo në shpirtin e pijanecëve) mund ta justifikosh, kuptohet, duke veshur tisin e “të qenit i dehur”.
Nuk vonoi shumë kur dera u hap dhe brenda pllakosi heshtja. Sigurisht, jo për arsye të pavërteta por ngaqë brenda u fut Fili, që gëzon simpatinë e të gjithëve në pijetore përveç njërit: hoxhë Abdullahut. Shumica dërrmuese besojnë se arsyeja është “vjedhja” që Fili i ka bërë popullaritetit të imamit. Të tjerë mendojnë se problemi qëndron te tregimet e Filit, të mbushura me vjedhje, rrëmbime, hakmarrje, etj, pasione dhe profesione të ushtruara në rini dhe gjatë emigracionit.
Por lejomëni, duke lënë mënjanë formalitetet dhe tundimin për të zbukuruar sado pak realitetin, t’ju rrëfej vijimin e historisë…
Edhe pse të gjithë e quanin kështu, Fil nuk është emri i plotë i personit në fjalë. Ata që kanë dëgjuar tregimet e tij, kanë parë si të denjë emrin Filip. Të shumtë janë ata që pajtohen me një emër tjetër, më popullor: Karafil. Duke lënë mënjanë pretendime naive (sipas të cilave emri i tij është Gafurr dhe se Fil është shkrurtim i nofkës “filozof”, apo që këtë emër e ka marrë nga një vizitë në Filipine), shoh si të udhës nxjerrjen në dritë të një ideje mjaft interesante (megjithëse besuar vetëm nga hoxhë Abdullahu), ku del se emri i plotë i Filit është (“E prandaj këtij pizavengu nuk i vjen mirë ta pranojë”): Tërfil.
Fili u ul si kaherë përballë hoxhë Abdullahut dhe saora rreth tyre u mbush plot njerëz që ku ulur e ku më këmbë prisnin Filin të niste tregimin. Hoxhë Abdullahu, i gatshëm për të kryer misionin e tij të shenjtë (të ndalte tregimin nëse kishte rrezik të cyste mendjet e padjallëzuara drejt gjynahut) nisi shkoqitjen e tespiheve, kuptohet, plotësisht indiferent ndaj tregimit në vetvete.
-Kishte mbetur një pash’ diell kur trokita në derën e tij – nisi Fili. Nuk më çuditi dhe aq fakti që zëri erdh nga kopshti por furia e sharjeve që afroheshin e bëheshin më egërshane. Kur ndodhej përballë meje, çdo zhurmë ndaloi për një çast duke lënë krejt zbuluar sharjet e largëta të plakut Suf, që shoqëronin çdo goditje të çekanit mbi gozhdë. Ende pa i rënë më të ç’po ndodhte, i dhashë vetes zemër dhe me gjysmë shpirti i kërkova paret që më kishte borxh prej më shumë se dy vitesh. Për çudi ai u çel në fytyrë, fërkoi dy – tri herë dorën për këmishe dhe më aviti mu para fytyre një bllok të vogël shënimesh që e nxorri gjithë merak nga xhepi i mbrammë. Nuk arrita ti përgjigjem, siç më kërkoi, se isha i treti në listë kur ai gjëmoi aq sa u dridha i tëri “Ke kaluar automatikisht i fundit”! Nuk arrita as të fshij piklat e pështymës që më kish hedhur mbi fytyrë e jo më (siç kisha llogaritur) ti thoja se nuk ishin shaka të hijshme këto. Shqelmat dhe grushtet, shoqëruar me “në emër të Allahut” dhe “bukën e të madhit Zot” vërshuan mbi mua derisa u detyrova t’ja mbath me vrap…
-Eeeeej – ja bëri hoxhë Abdullahu pas një kollitjeje të lehtë – lëre Allahun atje ku është!
-Do ju gënjeja nëse ju them se e mbaj mend – vazhdoi Fili pasi pohoi me kokë drejt hoxhë Abdullahut -se si u gjenda fillikat, në krah të ahurit të tij (që ndodhej ngjitur me shtëpinë), deri pas mesnate, kur në shtëpi u fik edhe drita e fundit. Dorën e djathtë nuk e ndjeja thuajse fare ngaqë e kisha shtërnguar prej orësh, me sa fuqi kisha çakmakun, sa herë që lotët arratiseshin me vrik drejt mjekrës. Ndeza çakmakun dhe…
-Ruaji për vete gjynahet e tua! – klithi hoxhë Abdullahu që ishte i bindur tashmë se borxhliu në fjalë ishte Qenani, shtëpia e të cilit, paksa e veçuar nga katundi së bashku me atë të vëllait të tij dhe plakut Suf, qe djegur vite më parë…
Dy duar rënduan mbi shpatullat e imamit duke mos i lënë mundësi tjetër veçse të lejonte tjetrin të vazhdonte qetësisht.
-Mu mblodh një lëmsh në grykë – vijoi Fili duke u bërë gjithë e më emocional. Nuk doja të hyja në beduá të gjësë së gjallë. Tek e fundit, ç’faj kanë kafshët e pafajshme që i zoti është më hajvan se ato? Pastaj fëmijët… Jo! Unë nuk jam ky, thashë me vete. Nuk jam vrasës! Kurrën e kurrës!
Fili s’po ju besonte dot syve. Të gjithë rreth e rrotull ishin gati t’ja plasnin të qarit. Madje edhe vetë hoxhë Abdullahu po shtrëngonte buzën që i dridhej..
— Ngrita sytë drejt qiellit – vijoi Fili gati në të qarë – dhe pashë qiellin plot yje. Sa i vogël isha ! Zoti është i madh thashë, dhe ika në shtëpi, me ndërgjegje të pastër.
Fili u ngrit pa i thënë askujt “natën e mirë”. Të gjithë zinin bé se kishin parë mbi faqet e tij, teksa dilte jashtë, dy vrazhda të shndritshme si rrugë kërmilli. Madje edhe hoxhë Abdullahu nisi ta shihte me sy tjetër që nga ajo ditë.
Atë natë, Fili ra në mendime të thella. Ishte i lumtur që nuk kishte treguar (siç kishte pasë ndër mend) që atë natë ishte kthyer duke shtrënguar, në vend të çakmakut, grykën e thesit të mbushur me pula. Dhe se borxhliu në fjalë (njëkohësisht i zoti i pulave në fjalë) ishte bash vëllai i vogël i hoxhë Abdullahut.
Selanik, 20.08.2019
Atë natë, Fili ra në mendime të thella. Ishte i lumtur që nuk kishte treguar (siç kishte pasë ndër mend) që atë natë ishte kthyer duke shtrënguar, në vend të çakmakut, grykën e thesit të mbushur me pula. Dhe se borxhliu në fjalë (njëkohësisht i zoti i pulave në fjalë) ishte bash vëllai i vogël i hoxhë Abdullahut.
Selanik, 20.08.2019