Sot ndoqa një emision për Blirin, pemën që për dibranët, falë mjeshtrit të madh të bimëve dhe luleve Agush Selishta, është bërë simbol i qytetit të Peshkopisë.
Sigurisht emisioni nuk ndalej dhe as fliste për Blirët e Bulevardit qendror të Peshkopisë, madje duke parë e njohur moshën e re të tyre as që do ti fuste njeri në llogari.
Emisioni fliste për blirë shekullorë, madje mijëvjeçarë në Gjermani. Një emision që mua dhe Natashën, bashkëshorten time, na ngjalli kërshëri dhe e ndoqëm nga fillimi deri në fund. Nostalgjia na mori me vete dhe na çoi në Peshkopi nën kurorën e mrekullueshme të blirëve mbjellur dhe rritur me kujdes nga xha Agushi, me gjoksin fryrë nga aroma e luleve në ditët e fundmuajit të qershorit dhe fillimmuajit të korrikut, aromë që në ditën e parë të korrikut 1975 na ngazëlleu ti vinim vajzës sonë emrin Erblina…
Në emision flitej, shoqëruar me filmime tejet profesionale, për blirin si një bimë shënjtore, bimë që i kishin bashkangjitur pas emrin e Maries, nënës së Jezu Krishtit.
Nuk i mbaj mend qytetet e fshatrat mbasi nuk flitej në njejës, por tash e tutje, fiksuar në kujtesë, nuk mund të harroj blirin 1100 vjeçar rreth të cilit çdo vit mblidheshin të rinjtë e të rejat, burrat e gratë, pleqtë dhe plakat dhe duke qarkulluar kurorën, festonin. Të rinjtë, me të dashurat e tyre ngritur lart, si në skenën kur dhëndrri merr në krahë nusen, veshur me rrobat e ndezura kombëtare këndonin dhe vallzonin.
Nuk mund të harroj edhe shqetësimin e të vjetërve që modernizmi po i zbeh këto festa me krye në shekuj.
Kamera na përcolli në blirë katërqind, gjashtëqind, nëntëqind- vjeçarë…derisa më në fund gjeti më të vjetrin e blinjëve, blirin 1105 vjeç..
Mbase do më qëllojë që këtë emision të Eksplorer Natyra do ta shoh përsëri, e mbase do të sjell hollësi. Mbase… por sidoqoftë, lexuesi i këtyre radhëve mos më presë mua, le ta kërkojë e ta shikojë.
E kam për të gjithë, por veç e veç e kam për dibranët, banorët e Peshkopisë dhe ata që i udhëheqin në Bashki, Prefekturë apo Qark.
Ata kanë në dorë një pasuri që mund e duhet ta bëjë qytetin e Peshkopisë një Qytet Turistik të Blirëve.
Blirët e Peshkopisë kanë një moshë pesëdhjetëvjeçare. Pak më i “moshuar” është Bulevardi. Godinat e para, katër dykatëshe radhazi, u ngritën nga themelet (e hedhura nga italianët) në vitin 1946, kohë kur ngritën çatitë kinemaja dhe Shkolla Pedagogjike për të vazhduar me shkollën shtatëvjeçare në vitin 1949, hotel “Korabin” në vitin 1961 e me radhë godinat në tërë bulevardin i cili mori formë në vitin 1955…
Blirët erdhën e mbushën të dy anët e bulevardit në vitet gjashtëdhjetë për të hapur degët e lulëzuar në vitet që erdhën.
Është fat i madh që sopata e keqbërjes nuk ra mbi blirët e bulevardit të Peshkopisë.
Banorët e qytetit të vogël në rrënjë të vargmaleve me Korabin në krye treguan se janë të kulturuar.
Larg, njëmijë kilometra larg, në troje të huaja, kam mall e dashuri për qytetin tim ku kalova 55 vjet të jetës sime. Kam mall për bulevardin e blirëve dhe nostalgji për mbrëmjet kur shetisnim dhe këmbenin në pikëkalimet përshëndetje me njerëzit e mirë të tij.
Kam mall që e shuaj kur vij, kur shetis nën degët e blirëve. E vërteta është se koha midis dy ardhjeve sa vjen e rritet. Mbase kur të kthehem nga mërgimi i mallkuar e Rruga e Arbrit do ma lehtësojë ardhjen, do të vij më shpesh.
Dy vjet më parë u ngroha në shpirt kur pashë njerëzit nga mëngjesi në mbrëmje të shetisin bulevardit, të përshëndeteshin me njeri tjetrin e të kalonin të gëzuar. Bashkia kishte bërë gjënë më të bukur, e kishte çliruar bulevardin nga prania e makinave dhe kundërmimi i karburantit tek digjej. E kishte lënë në aromën natyrale të blirëve, e kishte shndërruar në SHETITORE…
Shetitorja e Peshkopisë është ndoshta e vetmja në Shqipëri që njeriu shetit i qetë deri vonë në mbrëmje. Një shetitje ëndërr nën dritat që përshkojnë degët e blirit që bijen si shigjeta mbi asfalt.
Blirët e Shetitores së Peshkopisë, krahasuar me blirët shekullorë shenjtorë në Gjermani janë në moshë “foshnjore”.
Blirët e Shetitores së Peshkopisë duhet të shpallen MONUMENT KULTURE, të vihen në kujdesin e qytetit dhe të shtetit.
Bashkia e Peshkopisë do të jetë e nderuar në qoftë se një ditë, me një vendim unanim, të kërkojë shpalljen e Blirëve të Shetitores MONUMENT KULTURE.
Të nderuar do të jenë edhe Këshilli i Qarkut dhe Prefektura e Dibrës.
Blirët e Shetitores së Peshkopisë e kanë bërë me kohë thirrjen e tyre për ndihmë. Rrënjët e tyre i kanë çarë betonet dhe kanë dalë mbi pllakat e këmbësoreve në të dy anët e bulevardit. Ata kërkojnë ndihmën e specialistit që të vijojnë jetën e tyre, pse jo, njëqind, dyqind, pesëqind…vjeçare si bashkëllojet e tyre në Gjermani…
Shpresoj që këto radhë ti lexojnë qytetarët dhe ti ligjërojnë pushtetarët.
Mbase një ditë do të vij në Peshkopi për të ndjerë madhështinë e Blireve-Monument Kulture.
Mbase në qendër të qytetet atje, ku bashkohen bulevardet, Bashkia do të ngrejë një monument për atë që e ideoi dhe i dha jetë Bulevardit të Blirëve, Agush Selishtës.
Unë shpresoj….
Abdurahim Ashiku
Athinë, 15 shkurt 2014.