Personazh” është një projekt që sjell njeriun e vërtetë dhe të zakonshëm, por me historinë e jashtëzakonshme. Histori të treguara nga vetë ata, ku gjithkush gjen një copëz të realitetit që sfumohet, por që nuk humbet kurrë. Personazhe që rrëfejnë dhe që sjellin mesazhe të forta për shoqërinë. I gjejmë mes nesh, por harrojmë të flasim gjatë me ta edhe perse ato bejne pune te jashtezakonshme per jeten tone.
Nga: Samet ZAGRADI
Spitali Rajonal i Peshkopisë gjithmonë ka pasur në gjirin e tij profesionistë dhe njerëz të përkushtuar, të cilët, pa kursim, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në shërbim të qytetarëve dibranë, por jo vetëm.Nga doktorët dhe infermierët, deri te drejtuesit e punonjësit e mirëmbajtjes, të gjithë kanë qenë gjithmonë të gatshëm për të dhënë ndihmën aty ku është e nevojshme.
Këtë herë, do të flasim për një nga doktorët profesionistë, të urtë dhe me një humanizëm të lindur. Dr. Blerim Mandri është një nga doktorët që prej shumë vitesh ofron kontributin e tij si kardiolog në Spitalin Rajonal të Dibërs. Çdo dibran që e njeh Dr. Blerimin padyshim ka evidentuar mirësinë dhe profesionalizmin që ai shpreh jo vetëm në ambientet e spitalit ku ushtron profesionin, por edhe në jetën e përditshme.
Dr. Blerim Mandri ka lindur më 29 mars 1973 në fshatin Shumbat, të Njësisë Administrative Sllovë. Në Shumbat ai mbaroi arsimin e detyrueshëm me rezultate të shkëlqyera. Po me këto rezultate, Dr. Blerimi përfundoi gjimnazin në Fushë-Cidhën dhe më pas Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Ai i përket brezit të mjekëve të vitit 2000, ku nisi profesionin si mjek në Zall Dardhë, pastaj në Zall Rec dhe në Fushë-Cidhën. Në vitin 2005 punoi si mjek i përgjithshëm në Qendrën Shëndetësore Kastriot, dhe më pas në Kala të Dodës, Muhur, Peshkopi dhe Maqëllarë. Në vitet 2013-2015, Dr. Blerimi specializohet në kardiologji pranë QSUT në Tiranë. Prej vitit 2015 deri në ditët e sotme, ai ushtron profesionin si mjek kardiolog në Spitalin Rajonal të Dibërs. Në të gjithë këto komunitete ku ai ka punuar, padyshim ka lënë gjurmë, e kjo reflektohet në respektin e banorëve të këtyre zonave. Po të njëjtin respekt shprehin edhe pacientët që kanë kaluar në duart e tij në Spitalin e Dibrës.
Kolegët flasin me superlativa për Dr. Blerimin, ashtu siç e bën edhe komuniteti. Njeriu human dhe profesionist, me një kulturë familjare si Dr. Blerimi, padyshim ka dashamirës që e respektojnë dhe e falenderojnë kudo që shkon.
Në një intervistë për portalin Dibra ON, Dr. Blerimi tregon se këtë profesion e ka zgjedhur më shumë nga dëshira dhe po me aq dëshirë vazhdon të shërbejë çdo ditë qindra qytetarëve që kanë nevojë për shërbim në Spitalin Rajonal të Dibërs: -“Përpiqem që çdo ditë asnjë pacient të mos ikë pa marrë shërbimin e nevojshëm, dhe për këtë gjë gjej rastin që të falenderoj të gjithë kolegët dhe bashkëpunëtorët e mi,” – shton ai. “Po ashtu, dua të përshëndes edhe durimin dhe mirësjelljen e qytetarëve që paraqiten në spital.”
Dr. Blerimi nuk është vetëm një mjek i mirë, por gjithashtu një familjar, bashkëshort dhe prind që mundohet gjithmonë që nga familja e tij të dalin vlera për qytetin tonë, ashtu siç është edhe vetë doktori. Pavarësisht se ai jeton në qytetin e Peshkopisë, asnjëherë nuk e ka harruar vendlindjen e tij, Shumbatin. Ai e do shumë natyrën dhe produktet bio që Dibra fatmirësisht i ka, dhe gjithmonë në kohën e tij të lirë e kalon në Shumbat, duke u kujdesur për vreshtën dhe pemtoren e tij.
Çdo vjeshtë, nga kjo pemtore dalin qindra kuintalë produkte bio që doktori dhe familja e tij i vlerësojnë shumë. Natyra për të është aseti më i çmuar që kemi dhe duhet të jemi të fatur për resurset që kemi. Duhet ta shfrytëzojmë në maksimum natyrën dhe, po në atë maksimum, duhet ta mbrojmë dhe të kujdesemi për të.