Nga “Foltorja” e Dibrës Sali Berisha deklaroi se mbi dy të tretat e delegatëve të këtij qarku kanë firmosur për thirrjen e Kuvendit Kombëtar.
“Unë dua gjithashtu të falënderoj të gjithë delegatët e Kuvendit Kombëtar, të Peshkopisë, Bulqizës dhe Matit, që kanë firmosur tashmë mbi dy të tretat vendimin e tyre për të mbledhur në një moment historik për PD-në dhe vendin, Kuvendin Kombëtar të PD-së, Kuvendin e ringritjes së kësaj force politike në lartësinë e idealeve dhe parimeve të saj si opozita më e fuqishme e vendit, e vendosur të ecë e sigurt drejt fitores që meriton. Kuvendin e thirrur nga mijëra e mijëra delegatë të PD-së, e thërret më shumë se kushdo tjetër koha, e cila kërkon nga ne, të ngrihemi, t’u përgjigjemi sfidave që kemi përpara. Situatës kritike të krijuar në vend nga një regjim i Edi Ramës, i cili në mënyrë tmerrësisht të dëmshme për Shqipërinë dhe shqiptarët, ndërtoi në këto tetë vite, në vend të shtetit ligjor, ai ndërtoi shtetin e krimit dhe drogës, narkoshtetin e parë në Europë. Ky regjim në këto 8 vite jo vetëm nuk përparoi standardet e demokracisë dhe nivelin e jetesës, por përkundrazi çbëri një shumicë të madhe prej tyre, dhe shqiptarët realisht i zhyti në varfëri dhe mjerim”, tha Berisha.
Në një kohë kur Berisha thotë se ka mbledhur firmat për thirrjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, kreu i PD Lulzim Basha është shprehur i prerë se për sa kohë të jeta ai kryetar, shpallja “Non-grata” e Berishës nuk do hidhet me votë në asnjë forum të selisë blu. Basha ka deklaruar në mbledhjen e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike se nuk do lejojë asnjë akt që do çojë në izolimin e partisë nga SHBA, pasi sipas tij kjo do të përkthehej në vdekje të saj.