Bahutja ndodhet rreth 6 km në veri të qytetit të Peshkopisë dhe është pjesë e rëndësishme e njësisë administrative Tomin. Poshtë vargmaleve të Deshatit në lindje kufizohet me fshatin Shimçan, në veri me Zimurin, në jug me Deshatin dhe në perëndim përroi e ndan me fshatin Vrejnt. Ka një klimë me dimër të ashpër dhe me borë, verë të thatë dhe të nxehtë, klimë tipike të kësaj zone. Fshati Bahute ndahet në dy pjesë, respektivisht Bahutja e sipërme apo siç e quajnë banorët “Istrefe” dhe Bahutja e poshtme. Gojëdhënat e shumta janë kontradiktore me emrin e këtij fshati, duke dhënë versione të ndryshme. Rreth viteve 1920 ky fshat numëronte 23 familje, për të arritur në vitet e demokracisë rreth 120 familje. Banorët e këtij fshati kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në luftërat që janë zhvilluar në periudha të ndryshme në vendin tonë, duke dhënë jetën si dëshmorë të lirisë. Shehat Halili, Kalosh Taravari, Beqir Baci, Pijazit Neli e shumë të tjerë luftuan me çetat partizane në mbrojtje të atdheut të tyre. Dikur ishin 120 familje e sot rotacioni na çon sërish në vitet 1920. Në ditët e sotme ky fshat rrezikon të zhduket, duke qenë se lëvizjet masive të popullsisë drejt qendrave urbane nuk po ndalen. Çdo ditë ky fshat po braktiset, nga familje të cilat në kërkim të një jete dhe mundësive më të mira detyrohen të lënë pas trojet dhe historinë e tyre. Shkolla fillore dikur ziente nga zëra fëmijësh e sot, edhe pse pas një investimi të qeverisë shqiptare, ajo qëndron e mbyllur. Mungesa e fëmijëve ka detyruar institucionet të mbyllin klasat kolektive, duke bërë që ato pak fëmijë mes vapës, ftohtit, borës dhe ngricës të udhëtojnë rreth një orë drejt shkollës 9 vjeçare “Shehat Halili” Shimçan, shkollë kjo që po shkon drejt mbylljes dhe pse mbart një histori të jashtëzakonshme ndër breza. Dikur njerëz punëtore të zellshëm dhe me një harmoni mbresëlënëse jetonin në dyert e njëri-tjetrit. Punonin, festonin dhe ndanin bashkë çdo problem, duke bërë fshatin Bahute një nga fshatrat më paqësorë dhe më të lidhur mes tyre. Ritet dhe traditat ruheshin me fanatizëm nga çdo pjesëtar i asaj zone, i madh dhe i vogël dhe padyshim që ky ka qenë një ndër arsyet pse këto njerëz shkonin mirë më njëri-tjetrin. Dikur kishte shumë gjëra e sot në këtë fshat nuk ka më as njerëz. Xhamia e fshatit mbushej nga besimtarë myslimanë, por ky fenomen detyroi që në ditët e sotme të mos hapet më, duke ndjekur fatin e shkollës. Njerëzit që kryenin ritet fetare janë larguar bashkë me familjet e tyre. Tokat kanë mbetur djerrë, ato toka që dikur prodhonin produkte me emër dhe cilësi duke mbajtur ekonomikisht këto familje. Patatet dhe mollët karakteristike të Bahutes kultivoheshin dhe pëlqeheshin në masë, duke bërë atë të njohur në trevat e tjera të Dibrës. Panorama që të paraqitet sot, në qoftë se mendon të shkosh në Bahute, të sjell në mendje skena të filmave me tema lufte. Në dalje të Shimçanit, përballë shfaqet një panoramë e shëmtuar me nuanca të thella zymtësie dhe qetësie që të vret. Dikur ajo rrugë në hyrje të fshatit gjithmonë kishte lëvizje me njerëz nga Bahutja, Zimuri, Vrejnti, Voleza e deri në Limjan. Sot ajo mbart një qetësi, e cila të shoqëron deri në fshat. Gjendja e mjerueshme e këtyre pak njerëzve që kanë mbetur duket qartë që zymtësinë që ato kanë në fytyrat e tyre. Teksa mundohesh të depërtosh me thellë, qetësisë së zymtë i përforcohet ideja që t’u shfaq në fillim të fshatit te lapidari. Shtëpi të rrënuara që nga momenti në moment duket sikur do të të varrosin poshtë edhe këto pak frymë që kanë mbetur. Diku më tej, në mëhallën e poshtme situata ishte më keq. Qetësinë e zymtë herë-herë e prishte një gjel që dukej sikur të thoshte se ky vend akoma ka të zot. Ndoshta ka të drejtë, sepse të vetmit besnikë të kësaj shkretëtire kanë mbetur ato bashkë me disa gra e fëmijë që përpiqen të mbijetojnë me çka t’u ndodhet.
Burrat dhe djemtë e mbetur të këtij fshati detyrohen të largohen në mërgim, pasi çdo mundësi fitimi në këtë vend nuk përballon jetesën normale të një familje. Gratë, që mjeshtërisht bëjnë gati çdo rol të burrit, duke kositur, prashitur, duke bërë dru në mal dhe duke kullotur bagëtinë në çdo ditë të jetës së tyre. Heroina të vërteta, kur i sheh të stërmunduara e të plakura para kohe, duke bërë punë që një pjesë e madhe e grave në Shqipëri nuk do t’i mendonte kurrë. – Burrat tanë janë në kurbet dhe punët normalisht që duhen bërë. Nuk na bëjnë më përshtypje këto punë, sepse kemi një jetë në këtë fshat, – ishin fjalët e një gruaje rreth të 45-tave, që me nxitim i nisi të thoshte teksa me një vështrim disi të egër bërtiti kalit të ngarkuar me jonxhë. Gruaja me një trastë në dorë, me shami të bardhë në kokë dhe me një fëmijë me fytyrë të pafajshme me hundë të qëruar nga dielli humbën në qetësinë mbytëse që karakterizonte këtë fshat. Për këta pak banorë jetesa është tejet e vështirë, veçanërisht në stinën e dimrit, ku bora dhe infrastruktura jashtëzakonisht e amortizuar e bën të pamundur lëvizjen në rast të ndonjë emergjence. I vetmi mjet lëvizës është një furgon që përballon lehtësisht lëvizjen e banorëve të fshatit Bahute dhe Zimur bashkë. Ekonomia e këtyre banorëve, siç shprehen ata, nuk është aspak e mirë, ndryshe një orë e më parë do ishin larguar nga ai vend që nuk jetohet më. – Të ishte për mua nuk do ikja kurrë nga ai vend, sepse aty linda dhe punova një jetë të tërë, duke jetuar të varfër, por të lumtur. U largova nga Bahutja, sepse doja një jetë më të mirë për fëmijët e mi. Më merr malli për çdo gur dhe sa herë udhëtoj drejt Dibrës mundohem të vizitoj me mall atë vend, – janë fjalët e 60 vjeçarit A. E që bashkë me familjen prej dhjetë vitesh jeton ne Durrës. Ndërtimi i Rrugës së Arbërit si për çdo dibran edhe për banorët e fshatit Bahute do t’i rikthente ata, duke rindërtuar shtëpitë e tyre tashmë të shkatërruara dhe duke punuar tokat djerrë prej disa viteve. Ky fshat dita-ditës po rrënohet deri në rrënjë, duke rrezikuar dhe mosekzistencën e tij. Si Bahutja janë disa fshatra të thellë që çdo ditë po braktisen nga banorët nga mungesa të ardhurave ekonomike dhe zhvillimi i një infrastrukture që do të bënte një jetesë sa më të mirë. Bellova, Cerjani, Zagradi, Zimuri e disa fshatra të tjerë duket se kanë të njëjtin fat me atë të Bahutes, duke pasur në brendësi të tyre dhjetë, pesëmbëdhjetë apo njëzetë familje e gjithë fshati dhe këto me perspektivë për t’u larguar një ditë e më parë nga ai vend.
Nga: Samet Zagradi
DibraOn.com