Arsimi në Dibër, nga mësimi i shkronjave shqip, te përdorimi i teknologjisë

0 0
Read Time:6 Minute, 15 Second

Të dhënit dije është akti më sublim që mund të bëjë njeriu, e ky akti veç prindit, i është besuar edhe mësuesit. Arsimi, dhënia dhe nxënia e dijes, si proces dhe si formë trashëgimi, ka kaluar në kalvarin e vuajtjes, mundit, vështirësive dhe sfidave të ndryshme.
Shkolla e parë shqipe ne Dibër u hap në vitin 1888 nga Said Najdeni. Kjo shkollë qe ilegale dhe nuk zgjati shumë. Pesë vite më vonë ai e rihapi atë shkollë sërish. Kjo shkollë qe pika e fillimit të arsimit shqip në Dibër. Fill pas saj, u çel një shkollë tjetër shqipe në Gollobordë, pastaj në Maqellarë, Dohoshisht, Brezhdan, Homesh dhe Grykë e Vogël. Seid Najdeni pajisi shumë dibranë me Abetare, si nga ato të hartuara nga Kostandin Kristoforidhi por edhe me ato të hartuara nga Sami Frashëri, dhe bashkë me dijetarë e atdhetarë të tjerë i dhanë kahje arsimit shqip në Dibër.


Hapja se shkollave të tjera nuk u ndal edhe pse u përballën me vështirësi të mëdha. Kështu që prej vitit 1888 dhe deri në vitin 1899 kishin mësuar tashmë shkrim dhe lexim shqip mbi 300 dibranë. Kështu në krahinën tonë veç alegorisë po mësohej edhe gjuha shqipe. Kontributi i dibranëve në Rilindjen Shqiptare qe i madh dhe njëkohësisht dëshmi se ky vend ka qenë pikë kyçe për lëvizje patriotike dhe arsimore. Kuvendet dhe Lidhjet që u mbajtën në Dibër por jo vetëm, forcuan rolin e arsimit duke i dhënë kështu prioritet dhe duke e parë si të vetmen rrugëzgjidhje për formësimin e shtetit të ri shqiptarë.


Ndërsa më 14 Prill 1914 hapet shkolla e parë shqipe e ligjshme në Peshkopi me mësues Haki Sharofin. Mandej po në prill të vitit 1923 hapet shkolla e parë femërore me mësuese Nazmie Palloshin.
Shkolla e mesme e përgjithshme e filloi punën e saj në vitin shkollorë 1962 – 1963. Mësimet u zhvilluan në hapësirat e shkollës (asokohe) 7 – vjeçare “Demir Gashi” me drejtor z. Hilmi Sadikaj. Nga matura e parë e kësaj shkolle në vitin shkollorë 1965 – 1966 vijuan studimet e larta 29 nxënës, nga të cilët: 13 nxënës në Universitet dhe 16 në Institut.


Por këto janë vetëm fillimet për të vijuar më pas në sistemin e konsoliduar 12 vjeçar ku mësimet u zhvilluan në hapësirat e shkollës Pedagogjike, (aty ku sot është ish filiali i Universitetit të Durrësit) pastaj aty ku është sot. Kjo shkollë mban emirn “Seid Najdeni”.


Shkolla e mesme profesionale “Nazmi Rushiti” është hapur për herë të parë si shkollë pedagogjike në vitin 1945.
Me kalimin e viteve ajo ka ndryshuar drejtimet mësimore si: bujqësor, artistik dhe pedagogjik (deri në vitin 2011).
Në viti 2004 mori fizionominë me këto drejtime mësimore: Ekonomi (biznes); Ekonomi (administrim zyre); Teknologji Informacioni dhe Komunikimi; Arsim i kombinuar (Mekanik, Elektroteknik dhe Përpunim druri).


Më parë, ajo ka patur status lokal, por nga 1 Janari 2015, si të gjithë shkollat e tjera profesionale, gëzon të drejtën e njësisë së veçantë menaxhuese të buxhetit dhe burimeve njerëzore. Ky status i ri, rrit mundësinë për të krijuar kushte më të mira në mësimdhënie/nxënie, etj.
Shkolla profesionale “Nazmi Rushiti”, frekuentohet jo vetëm nga nxënës të qytetit por edhe nga nxënës të zonave rurale te Qarkut Dibër, kryesisht nga komunat: Maqellare, Melan, Tomin, Kastriot, Sllovë, Kala e Dodës, Luzni, Lurë, Muhurr dhe Luzni.

Ajo frekuentohet gjithashtu edhe nga nxënës të komunave e rretheve, Mat dhe Bulqizë.

Sot Drejtoria Arsimore Rajonale Dibër së bashku Zyrat Arsimore Mat dhe Bulqizë ka nën juridiksionin e saj, dhe administron: në arsimin parashkollor 145 kopshte me 4238 fëmijë nën kujdesin e 247 edukatorëve.
Ndërsa në arsimin 9-vjeçar 96 drejtori shkollash me 25159 nxënës dhe 1580 mësues.
Në arsimin e mesëm: me kohë te plotë 24 shkolla (gjimnaze 8, te mesme të bashkuara 14, profesionale dhe tekniko profesionale 2) me 6603 nxënës dhe 318 mësues.

Teknologjia dhe politika, pengesë për arsimimin?!

Përpos këtyre arritjeve me mund e sakrificë, viteve të fundit shfaqen probleme të mëdha në arsim jo vetëm në Dibër por kudo në Shqipëri. Futja e teknologjive të reja, siç është bërë domosdoshmëri, është bërë edhe pengesë për zhvillimi normal të orëve të mësimit. Studime të shumta janë bërë në vendet perëndimore në lidhje me ndikimin e tabletëve dhe celularëve në mbarëvajtjen e studimit. Nga kjo ka rezultuar që këto pajisje janë vërtet pengesë duke i shpërqendruar nxënësit. Ky problem vetëm shtohet dhe nuk dihet se sa do ti ketë përmasat dhe ndikimit në vitet në vazhdim.
Një problem tjetër evident dhe shqetësues është se sa herë ndërrohen qeveritë, ndërrohen të gjitha strukturat e arsimit. E gjitha bëhet nga maja e hierarkisë deri tek edukatorët.
Studiuesi Haki Përnezha, me një eksperiencë 42-vjeçare si më mësues, thekson: “Vështirësitë e punës me fëmijët gjithnjë janë prezente. Çdokush që ka një përvojë në këtë profesion, ka plotë për të thënë. Ne mësuesit, por edhe çdonjeri, ka konstatuar se ndryshimet në sistemin politik si dhe zhvillimi i vrullshëm i teknologjisë e informacionit, e kanë vënë mësuesin gjithnjë e më shumë para vështirësive, gjithnjë në rritje për sa i përket problemit të tejçimit të informacioneve te fëmijët.”.
Kjo i çon nxënësit në një destabilizim të ecurisë së tyre. Pra përzierja e politikës me arsimin e çrregullon këtë sistem, madje aq sa edhe duke i përdorur këta nxënës edhe për fushata zgjedhore. Diçka e tillë është vënë re në çdo fushatë zgjedhore.


Por mbi të gjithë problemet që karakterizohet arsimi, jo vetëm në Dibër, Përnezha shprehet: “Nëse do të pyesim dikë për këtë problem, shpesh merr përgjigje të tilla: “…cilësia ka rënë, fëmijët s’dinë tabelën e shumëzimit,… shkruajnë keq…etj, etj”. Këto fenomene hasen te nxënësit tonë sot, por nuk duhet të harrohet se “kurrikula” e shkollës nuk është ajo e para 40 viteve, sot fëmijët marrin informacione të zgjeruara në shumë disiplina që në klasën e parë, apo kopësht, pale më në klasat e mëtutjeshme. Në shkollë punohet dhe kjo punë matet lehtësisht me anë të sistemit të kontrollit e vetkontrollit që funksionon në sistem.”.

Një qasje tjetër sjellin disa mësues të ciklit të ulët shprehen se nxënësit e tyre dinë më shumë se ata kur ishin në moshë të tyre.
Po të vëresh, literatura e tyre është shtuar, dhe çantat ju rëndojnë më shumë. Futja e anglishtes si lëndë që në klasë të tretë, por edhe përdorimi i mjeteve të reja të komunikimit, kanë sjellë vitet e fundit dhe në fshatrat më të thellë të Dibrës, aromën e globalizmit.
Kjo në thelb, kjo e ka forcuar edhe më tej rolin dhe rëndësinë e edukatorit/mësuesit në aspektin e rekomandimit dhe sugjerimit të informacionit. Por, nga ana tjetër e ka vështirësuar punën e tyre, sepse nga kjo morì informacionesh dora e mësuesit është delikate dhe vendimtare.

“Ne jemi të prirur të “fajësojmë” mësuesit. Jemi ne ata që duhet të zgjojmë te fëmijët dëshirën dhe interesin për të mësuar. Në mesin tonë ka plotë prej atyre mësuesve që nxënësit e presin orën e tyre me dëshirë, ashtu sikurse ka edhe prej syresh që transmetojnë vrazhdësi e për pasojë edhe emocione negative. Sidoqoftë, mësuesit e kanë të qartë se puna më fëmijët së pari është art dhe artin nuk e bën kushdo”, thotë mësuesi me eksperiencë të gjatë, Përnezha

Megjithatë, një gjë është e sigurt, sepse mundi i atyre që hapën shkolla ilegale dhe mësuan dorazi dhe nëpër bodrume gjuhën shqipe, është shpërblyer dhe po shpërblehet dita-ditës. Nga dyert e shkollave në Dibër, kanë dalë me qindra figura të shquara: të artit, sportit, shkencës etj, siç di ai vatan të nxjerr burra me mend.

2017

Alban Tufa

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %