Në vitin 1502 një i huaj, Feliks Petani, i referohet Dibrës (Dibri) si qytet me shumë banorë, dhe n’atë kohë ajo njihej si një qendër e rëndësishme qytetare. Gjeografi osman Haxhi Kallfa thotë se shtrihet ndërmjet qyteteve të Ohrit, Kërçovës e Tetovës, dhe cakun e “Dibrit”, sipas tij, e ven 17 ditë larg nga Stambolli. Pukëvili, tre shekuj më vonë, na bën me dije se ndryshe nga mjaft qytete të tjerë, elementi sllav aty mungonte fare. Për francezin tjetër Ami Bue, populli i Dibrës është “i vyeshëm”, me vlera.
Dibrën e Madhe, për ndërtesat e bukura të ndërtuara nga duart e mjeshtërve vendës, një arkitekt i huaj e cilësonte “Stambolli i Vogël”…
Termin fisnikëri ne do ta përdorim në dy kuptime: – së pari, duke pasur parasysh me të një klasë apo më mirë të themi një shtresë të caktuar shoqërore të mesjetës së zgjatur feudale shqiptare; – dhe së dyti, në kuptimin e fisnikërisë si një virtyt moral që ka karakterizuar Dibrën si qytet e krahinë, dhe shqiptarët në përgjithësi të kësaj treve, gjithashtu dhe shtresën e fisme, elitën fisnike të qytetit dhe të nëntë maleve të këtyre anëve.
Fisnikëria si elitë shoqërore
Natyrisht prezenca e fisnikërisë nuk është një fenomen thjesht shqiptar në mesjetë, por mbareuropian e më gjerë botëror. Fisnikëria apo klasa drejtuese, kjo shtresë e shoqërisë shqiptare të mesjetës, përfshi dhe atë të një regjioni të caktuar, Dibrës, nuk binte më poshtë se ajo europiane, ose më mirë të themi nuk dallohej aspak nga ajo, ishte në të njëjtat parametra, bile duke marrë parasysh që ishte pjesë e aristokracisë së Perandorisë Bizantine, e cila arriti majat e një qytetërimi të shkëlqyer në kulmet e saj; në shumë drejtime ia kalonte asaj europiano-perëndimore.
Kjo situatë vazhdoi edhe në shekujt osmanë. Ndërroi vetëm feja. Fisnikëria dibrane nuk i ka lënë asgjë mangut asaj europiane, në sjelljen e saj mondane, në mikpritje, në veshje, në maniera, në pushimet e saj, në luksin e saj etj. Familjet princërore shqiptare të mesjetës ishin lidhur direkt me oborrin bizantin dhe oborret më të shquar mbretërorë të Europës perëndimore e qendrore, si me lidhjet martesore, dinastike, jepnin e merrnin vajza me Francën, Spanjën, Italinë, Gjermaninë, Austrinë, Hungarinë, pa folur në Bizant. Një pjesë e tyre, si Arianitët etj., kishin lidhje direkte me oborrin perandorak bizantin.
Rrënja e atij regjioni të sotëm që quhet Maqedoni, e që dje është quajtur Vilajet i Manastirit, plus minus këto apo ato territore sipas ndryshimeve administrative të kohëve të ndryshme, është ajo që quhet Dibër e Madhe dhe Dibër e Vogël (pra dy Dibrat), dhe rrënja e Dibrave është fisnikëria dibrane, apo ajo që do ta quaja dinastia, familja e madhe fisnike Gropaj, sipas emrit të fshatit nga rridhte, apo Çoku (Qoku) sipas mbiemrit të origjinës.
Familja princërore e Gropajve (apo Çokëve, e njëjta gjë) del që në vitin e largët 1218 (tetë shekuj përpara) në histori. Këtë e kemi nga një dokument i zbuluar nga Akademia e Shkencave e Berlinit, që flet për të dhe një nga prekursorët e saj sevasti Andrea Gropa. (Titull i një ofiqari bizantin që vjen menjëherë pas perandorit).
Rreth gjashtë dekada më vonë del prapë një Pal Gropa në vitiet 1272-1273 në tratativa me Anzhuinët, i cili flet jo vetëm në emër të vet, por në krye të një grupi bujarësh shqiptarë. Andrea Gropa tjetër më pas do të jetë dhëndërr i Andrea Muzakës, i dinastisë tjetër princërore fqinje me ta, dhe së bashku do të mundnin Marko Kralin, njeri i mbretit serb Stefan Dushanit, dhe princi Muzakaj do tu bashkojë zotërimeve të veta Kosturin, ndërsa princi Gropaj do tu bashkojë feudeve të veta qytetin e Ohrit. Kjo në mesin e shekullit XIV.
Stefan Dushani do ta linte kokën e vet duke kaluar lumin Devoll, zotërim i Muzakajve. Gropajt dhe Muzakajt, dy familje të fuqishme feudale të Shqipërisë lindore do të hynin në histori si armiq të betuar tradicionalë të serbëve, si antiserbë të deklaruar.
Më 1389, në krah të Teodor Korona Muzakës, do të luftonte dhe një fisnik Gropaj në betejën e famshme të Kosovës, të kolacionit ballkanik kundër invadorëve osmanë. Kështu do t\’i shohim krah për krah Muzakajt e Gropajt në histori të pandarë nga njëri-tjetri. Zaharia Gropa do të ishte, si të thuash, në periudhën skënderbejane, mesin e shekullit XV, ministër i jashtëm i kryetrimit Skënderbe, do të shkonte me misione të caktuara në Itali, Romë, Venedik, Raguzë, dhe do të dallohej jo vetëm si diplomat, por do të ishte një ndër dy gjeneralët më të shquar të tij në betejat për 25 vjet rrjesht me osmanllinjtë.
Gropajt kanë qenë suzerenë të Patriarkanës së Ohrit, përsa kohë ekzistoi ajo deri në vitin 1767, kur ajo u mbyll nga Patriarkana e Madhe e Kostandinopojës. Patriarkana e Ohrit ka qenë nën mbrojtjen dhe kontrollin e tyre, dhe në shumicën e saj patrikët e saj kanë qenë të gjakut shqiptar.
Pas vdekjes së Skënderbeut, me Gropajt u përsërit ajo që u ndodhi gjithë princërve shqiptarë. Një pjesë e mirë kaluan detin dhe u vendosën në Italinë e Jugut. Gjurmë të fisnikëve Gropaj gjejmë në një fshat arbëresh midis Brindisit e Barit, në Monteçiljone, ku çdo vit bëhet festivali e parada me veshjet e fisnikërisë shqiptare, si të Vrana Kontit, Muzakajve, Gropajve e të tjerë. I gjithë fshati, dhe ndonjë fshat arbëresh përreth, e mban veten se ka prejardhje fisnike. Një pjesë u islamizuan dhe ruajtën pronat, u bënë pashallarë në Ohër, Dibër, Strugë etj. Në fillim përdorën fenomenin e laramanisë, si kriptokristianë, dhe më pas u islamizuan plotësisht, por si besimtarë të sektit bektashi. Nuk është e rastit që Dibra dhe krahina përreth ka pothuajse barabar, në mos më tepër, teqe se sa xhami. Nuk është e rastit përhapja e bektashizmit në këtë shkallë në zonën e Dibrës.
Një krah i Gropajve apo Çokëve vazhdoi në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, aty ku vendosej fati i çdo gjëje, edhe i pronave të tyre, apo dhe i tërë Perandorisë. Nuk është e rastit që në shekullin XVI në Perëndim gjejmë një Papë i mbiquajtur Papa Çoka (apo Çoku), dhe po në këtë shekull, në apogjeun e supershtetit osman, gjejmë një kryeministër me origjinë nga bejlerët e pashallarët e Ohrit, Halil Pashë Ohri. Kjo familje princërore i mbijetoi kohërave si në Lindje ashtu dhe në Perëndim. Në vitet \’40, \’50, \’60 të shekullit XIX Iljaz Pashë Dibra (Çoku-Gropaj) përmendet si hero kombëtar i shqiptarëve. Dibrës i ra për risk të luftojë kundër të gjithë fqinjëve grabitqarë, edhe bullgarë në lindje, edhe në verilindje në Toplicë, Nish, kundër serbëve, edhe në Thesali e Selanik kundër grekëve, por edhe kundër malazezëve.
Një nga ato që është në linjë direkte, në vijimësi, është fisi në fillim me mbiemrin Beqiri, e pastaj i shndërruar në Hajdaraga, nga familjet e parësisë së Dibrës. Po nga Çokët rrjedhin dhe këto katër oxhaqe të Dibrës: Në Dibër të Madhe ishte shtëpia e Hoxhollit; në Dibër të Poshtme ishin tre oxhaqe: ai i Agollëve në Dohoshisht, ai i Karahasanit në Brezhdan, dhe ai i Xhilagës në Deshat. Në shpalljen e Pavarësisë më 1912 Ohrin e Strugën i përfaqësuan Gropajt, Zyhdi Ohri (Çoku) dhe Xhemal Ohri (Çoku), bejlerë të Ohrit, fis i Hamdi Ohrit, si dhe Mustafa Barotçia. Në krah të Ismail Qemalit qenë dy fisnikë dibranë. Dy nënkryetarët e Kuvendit Kombëtar të Vlorës ishin Vehbi Agolli (Dibra) dhe Dom Nikollë Kaçorri, njëri hoxhë e tjetri prift, por të dy atdhetarë të kulluar. I pari nga oxhaku i Agollëve, rrjedhimisht, siç e kemi thënë më sipër, prapë ishin me rrënjë Çoku (Gropaj). Ai u zgjodh kryetar i Pleqësisë (Senatit) në Kuvendin e Vlorës. Pra, në Pavarësi ishin oxhakët e Shqipërisë që përfaqësonin popullin shqiptar. Ismail Qemali (Vlorajt), Murat Toptani (Toptanët, Topiajt), Zyhdi e Xhemal Ohri (Çoku), Vehbi Agolli (Çoku), Mithat Frashëri (Frashërllinjtë, Dukollarët), etj. etj. Kongresi i Triestes më 1913, ku mori pjesë dhe një Faik Konicë etj. figura eminente atdhetare, ishte vepër veç të tjerëve e atdhetarit Hamdi Ohri.
Në të njëjtën rrugë eci dhe i fundmi fisnik Gropaj. Në gjurmë të derës së vet fisnike ishte Mentor Çoku, djali i Hamdi Ohrit, që në Asamblenë Kombëtare të vitit 1943, ku ishte deputet i Strugës, deklaroi burrërisht se Shqipëria nuk e pranon pushtimin fashist. Ishte ideali kombëtar që në vitin 1944, në kohën e gjermanëve, kur këta u prishën me bullgarët dhe vendlindja e tij Ohri mbeti pa zot për pesë ditë rrjesht, e shtyu të fusë 10 vetë të armatosur të veshur me kostum kombëtar e qeleshe të bardha, të ngrenë flamurin shqiptar kuq e zi me shkabën dykrenore, për të treguar se Ohri është shqiptar, është Shqipëri. Për këtë ideal fisnik gjatë luftës ai mori dy plagë në trupin e tij. Ishte po ky ideal që më 1991, sikurse i ati tetë dekada më parë më 1913, të bëjë në Trieste me inisiativën e vet takimin Berisha-Nano, për të biseduar e gjetur “gjuhën” midis tyre në emër të së ardhmes së Shqipërisë…
Zotnillëku i dibranve
Fisnikëria si virtyt moral shpaloset në disa plane:
Së pari, si një sjellje e caktuar, që do ta përfshija në fjalën “zotnillëk” apo “xhentëlmen”.
Së dyti, fisnikërinë unë do ta kuptoja në zakonin e mikpritjes.
Së treti, me fisnikëri unë do të kuptoja njerëzit mirëbërës, bujarë.
Së katërti, si një ndikim, si një autoritet moral, shpirtëror.
Së pesti, si burrni.
Së gjashti, një ballafaqim me vështirësitë e jetës, si guxim, si trimëri.
Së shtati, në kuptimin e virtytit, edhe si pastërti morale.
Së teti, mbajtjen e fjalës së dhënë, besën. Dibrani e ka të rëndë dhënien e fjalës, por kur e jep nuk e tradhëton besën.
Së nënti, dhe së fundmi, do të kuptoja zgjuarsinë, inteligjencën, mençurinë, dhe ky është një element thelbësor i saj.
Unë do të ndalem vetëm në një aspekt të saj, në atë si “mençuri”.
Është e famshme mençuria dibrane, po dhe ajo që quhet “alegoria dibrane”. Unë po u përmend dy profesorë të saj, filozofin popullor Dine Hoxha, dhe i dyti Haziz Ndreu, edhe këngëtar e folklorist i mirënjohur. Të parin e kanë quajtur Dekan i “Universitetit të Dibrës”, “Sokrati i Dibrës”, “Profesori i alegorisë dibrane”, dhe atë e njihte mbarë Shqipëria. Vetë mbreti Zog e kishte këshilltarin e vet. Ai ishte nga Muhuri i Dibrës. Sipas popullit të këtyre anëve, “Djepi i urtësisë së Nëntë maleve të Dibrës është në fshatin Muhur”.
Profesori i dytë është Haziz Ndreu, i cili ka shkruar një vepër të tërë, të mirënjohur, me emrin “Alegoria Dibrane”.
Dihet se tek ilirët, në dallim nga tërë popujt e botës, kemi pasur një perëndi të veçantë që s\’e ka pasur askush, një perëndi për dijen, diturinë, që s\’e hasim në asnjë popull tjetër. Emri i saj është URIDIA (domethënë “Uri për dijen”).
Sipas etnologut të njohur Mark Tirta, është mjaft domethënëse formula e mirënjohur e proverbiale që thotë se “Mendja”, “Urtia” ka le në Dibër…
Fjala dhe kuvendi i dibranit shquhet për mendjemprehtësi e lakonizëm, për peshë mendimi, për sinqeritet e dashamirësi, por dhe për këmbëngulje e qëndresë imponuese, bindëse.
Përmbledhje
Në trajtesën e mësipërme shtjellohet fisnikëria në përgjithësi dhe ajo dibrane në veçanti në dy plane:
– Fisnikëria si shtresë shoqërore, dhe analiza përqëndrohet kryesisht në familjen princërore Çoku apo Gropaj, e cila dha një ndihmesë të çmuar në shekujt bizantinë, osmanë e deri në ditët tona;
– Fisnikëria si virtyt moral zbërthehet në elementët kryesorë të saj. Autori ndalet tek elementi mençuri, duke theksuar hyjnizimin e saj që së lashti e deri në ditët tona, me “alegorinë dibrane” të famshme
Nga Dr. Laurant Bica : Gazeta Tema