Ç’është alegoria?
Të folur alegorik në Dibër është një veçori e dialektit lokal, një stil i veçantë, i figurshëm e gjuhës popullore. Baza e kësaj specifike janë të ashtuquajturat “mesele”, tregimet alegorike ose të sajuara, që pas paraqitjes së drejtëpërdrejtë fshehin kuptimin domethënës. Shkurt “i bie pragut të të dëgjojë dera”. Vetë fjala alegori-a- vjen nga greqishtja allegoreo-them diçka që duhet të kuptohet ndryshe.
Është një metaforë e vazhduar, një përshkrim ose tregim që nuk duhet kuptuar fjalë për fjalë, siç është shprehur, pasi fsheh një mendim tjetër.
Alegoria dibrane është krijimtari e popullit. Me të janë marrë individualitetet më të spikatura, njerëz të pashkolluar, por me mendje të mprehtë dhe me aftësi krijuese e interpretuese. Alegoria ka lindur në kushte te caktuara historiko-shoqërore. Ajo shpreh një fazë të lartë në zhvillimin intelektual të njeriut. Ajo ka permbushur kërkesat e njerëzve që nuk janë thjeshte shpirtëror.
Alegoria ka sjellë një sërë aferash të tjera për të cilat njerëzit kishin nevojë. Prandaj është çmuar nga populli, ka mbijetuar deri më sot dhe nuk mund të thuhet se e peërfundoi misionin e saj.
Vlerat e alegorisë
Pra kur pranojme se gjuha në përgjithësi është zhvilluar duke përsosur elementët kryesor të gjuhës ekzistuese, pranojmë edhe se të folurit e figurshëm është element kryesor i gjuhës, pra një mjet komunikimi, por i stilizuar.
Një nga vlerat e alegorisë është se ajo ka shërbyer si rregullator në jetën e njerëzve, ka ndikuar pozitivisht në marrëdhëniet ndërmjet tyre. Në një mexhelis mundet të rastisin edhe njerëz që kishin konflikt midis tyre. Biseda ishte e gjatë dhe duhej të perballohej pa përplasje. Alegoritë kishin rolin e vet, në vend të bisedës të drejtëpërdrejtë, të rëndomtë që mund të shpinte në acarime, u përdor gjerësisht polemika intelektuale e shkallës më të lartë.
Si forme të vetme te qeverisjes për shumë e shumë kohë, populli kishte kanunin e Lekë Dukagjinit, i cili ndikonte në kufizimin e anarkisë. Për shkelje të tij jepeshin dënime që tejkalonin shumë herë masën e fajit të bërë. Kanunin nuk e ndante asnjë hap nga veprimet e një shteti të centralizuar. Pushteti në një shoqëri demokratike, ka prirjen për të dalë jashtë kontrollit. Alegoria ndikonte në zbutjen e kanunit, nxirrte në plan të parë arsyen dhe jo përdorimin e dhunës.
Një tjetër vlerë e saj është se ajo bëri punen e mjeteve të informimit një nga funksionet e të cilave, në një shoqëri moderne është mbykqyrja e qeverisë dhe instituticioneve të tjera të fuqishme. Mjetet e informimit kanë një pavarësi të pjesshme dhe nganjehere të plotë. Brenda kuadrit të kësaj pavarësie ato prononcohet për zbulimin e së vërtetës që mund të fshihet pas pretendimeve të qeveritarëve.
Mjetet e informimit krijojneë kushtet për debat dhe i ftojne njërzit të marrin pjesë në të. Në mungesë të tyre, këtë punë e ka bërë më së miri alegoria. Nuk ka problem të rëndësishëm të shoqërisë për të cilin ajo nuk është shfaqur . Alegoria është dije dhe kulturë. Në kushtet e analfabetizmit të theksuar ajo përmbushi mendjet njerzore me një art të tillë të rëndësishëm, të vështirë dhe të fuqishëm.
Mungesën e shkollës populli e ka kompesuar me formimin e tij në odat dibrane, ku një pjesë e rëndësishme është alegoria, që i’ua ka mprehur mendjet duke ndikuar në zhvillimin e arsyes.
Dibra ka një kulturë të thellë materiale e shpirtërore. Albanologët, turistët, udhëtarët diplomatët, politikanët, ushtarakët, shkrimtarët etj., që kanë udhëtuar apo jetuar në Dibër dëshmojnë për intelektualitetin e fuqishëm të dibranit.