Ahmet KALLAVERJA, 42 vjet kuadër i lartë, kompetent e me autoritet, njeri i respektuar

0 0
Read Time:3 Minute, 23 Second

Ahmet Kallaveren, kam pasur fatin ta njoh që në fëmijërinë e rininë time. E njoh se, atëherë, kur ai kryente detyra të ndryshme e me përgjegjësi në rreth, disa netë ka qenë mysafir i babait tim, sa herë që vinte në Sllovë për probleme shërbimi e detyre. Madje, i kam bërë kafenë, i kam shti të lante duart, i kam shtruar mezen e rakinë. Madje, mbaj mend se ishte i fjalës, bënte muhabet Dibre, ishte energjik dhe serioz. Kuptoja se me babanë tim kishin muhabet, dhe e respektonin njëri-tjetrin. Po ashtu, dhe me vëllain tim të madh, Xhavitin. Ndërkohë, mbaj mend dhe tregimet për Ahmetin, të Rrahim Dakut, nipit të babait tim, i cili, s’e hiqte nga goja e thoshte se Ahmet Kallaveren e kishte mik për kokë. Ishte Ahmet Kallaverja, ish drejtor i Tregtisë, ai që shpëtoi dhe djalin e dajës tim, ish magazinier në Sllovë, nga një telashe me drejtësinë, bile i krijoi mundësinë që, në vend të burgut, të shkonte në fakultet e të bëhej agronom e kryeagronom. Ahmeti kishte shpirt iniciative dhe ishte i gatshëm të sakrifikonte nga vetja, për të tjerët. Respekt pa kufi, për atë burrë të nderuar, që meritonte dhe gëzonte mirënjohjen e njerëzve, për të cilin, tashmë, në memorien e tyre jetojnë vetëm tiparet burrërore të tij, shpirti i mirë dhe i madh, për t’u bërë ndere e për t’i ndihmuar. Për këto arsye, mendojmë se Ahmet Kallaverja jeton në kujtesën e dibranëve dhe të qytetarëve të Peshkopisë, ku, ai ishte jo vetëm kuadër i kompletuar, por edhe qytetar i respektuar dhe me shumë vlera.

       Ahmet  Kallaverja u lind  më 23 mars  1930, në ish lagjen e Epërme të qytetit Peshkopi, sot lagjja Treg, ose lagjja Kallavere, pasi kjo lagje përbëhet nga autoktonët Kallavere.

Ka kryer shkollën 7 – vjeçare në Peshkopi, 9 muaj kurs Partie, 4 muaj kurs për nëpunës i gjendjes civile. Në vitin 1963, ka kryer Institutin e Lartë Ekonomik 2- vjeçar në Tiranë, ku ka mbaruar me nota maksimale (1960 deri më 1963).
Në periudhën 8 gusht 1944, deri më 29 nëntor 1945, ishte partizan në Brigadën XVIII S. Nga data 29 nëntor 1945 deri më 15 maj 1951, ka kryer detyra të ndryshme, si nëpunës në administratën e pas Luftës. Pastaj, ka kryer këto detyra shtetërore: Shef Administrate në Komitetin e Partisë së Rrethit 15 maj 1951 deri më 15 maj 1952, kryetar i Këshillit të Bashkimeve Profesionale të Rrethit (15 maj 1952 deri më 15 mars 1954), Sekretar i Miqësisë së Qarkut Dibër (15 mars 1954 deri më 31 dhjetor 1955), kryereferent (1 janar 1956 deri më 31 tetor 1957), kryetar i Kooperativës Bujqësore Peshkopi (1 janar 1967 deri më 15 tetor 1958), kryetar i degës së Drithit në N.SH. të Grumbullimit në Peshkopi (15 tetor 1958 deri më 30 qershor 1960), nëndrejtor i N.SH.G. Peshkopi (1 korrik 1960 deri më 30 shtator 1961), kryetar i degës së Grumbullimit në NSHG. (12 korrik 1963 deri më 6 dhjetor 1965), drejtor në SMT Peshkopi (7 dhjetor 1965 deri më 26 shkurt 1966), drejtor i N.Sh.G. Peshkopi (26 shkurt 1966 deri më 17 tetor 1966), shef i seksionit të Kontrollit Revizionit në Kom. Ekzekutiv të Rrethit (17 tetor 1966 deri më 10 mars 1969), shef i seksionit të Ekonomisë Komunale (10 mars 1969 deri më 29 janar 1971), shef i seksionit Ndërtim-Komunale (26 janar 1971 deri më 28 shkurt 1972), kryetar i koop. bujq. Dovolan (29 shkurt 1972 deri më 30 qershor 1973), drejtor i Ndërmarrjes Tregtare Dibër (1 korrik 1973 deri më 6 nëntor 1978),nëndrejtor i Ndërmarrjes Bujqësore të Peshkopisë (7 nëntor 1978 deri më 31 maj 1984), kryetar i Degës së Planit (në Ndërmarrjen e Prodhimeve të Ndryshme ( 1 qershor 1984 deri më 30 janar 1987), kohë kur lirohet nga detyra për arsye shëndetësore, pasi kaloi në një sëmundje të rëndë, hemorragji cerebrale, dhe kalon në paaftësi të plotë dhe është trajtuar me Kemp deri në daljen në pension pleqërie.
Ka vdekur më 3 nëntor 1995, në moshën 64 vjeçare.

Fatos DACI

Happy
Happy
0 %
Sad
Sad
0 %
Excited
Excited
0 %
Sleepy
Sleepy
0 %
Angry
Angry
0 %
Surprise
Surprise
0 %