Dita sot zbardhi me herët se herëve të tjera, e dielli si për ironi të fatit shtoi ndjeshëm rrezet e tij. Rreze të ftohta por të mjaftueshme për të nisur një ditë ndryshe nga ditët e tjera. Furgonët e parë mbërritën që herët të nisur që kur dielli nisi hedh rrezet e para. Sot është një ditë ndryshe, jo si të tjerat, si të thuash disi e vecantë! Për disa është me të vërtetë një ditë speciale dhe që përsëritet shumë rrallë, ndoshta një herë në vit. Pregatitjet e kishin fillesën ditë më herët por kulmuan në orët e vona të natës së kaluar. Kostumet seriozë, minifudet, takat disa cëntimetërshe, një “make ap” i detajuar, strecet, golfat ngjyrë bezhe herë herë dhe gurë kali dhe ca para të kursyera prej muajsh do ta bënin këtë ditë mjaftë të të vecantë. Sigurisht që kjo ditë do mbahet mend, do jetë ndryshe. Do të jetë speciale.
Ndryshimi dukej që herët në mëngjes kur në bulevardin tradicional maskilist zotëronte një prezencë më e lartë femërore. Dyqanet, kinkaleritë, butiqet, lokalet dhe bisneset e ndryshme ngritën qepenët më herët se cdo ditë, madje më të njëtën kohë kur furgonat e parë nisën rrugëtimin drejt qëndrës së qytetit. Këpucë me majë, taka të larta apo atlete të bardha tek tuk më ndonjë njollë balte përshkonin paralel me kohën bulevardin e blinave që sot lirisht mund ti ndërrojmë dhe emrin si të duash. Fytyrat e habitura dhe disi të lodhura nga përditshmëria, duart e shtërnguara, e kapura për krahu mjaftonin për të harruar prolemetdhe varfërinë. Duket që sot është dita që ti kushtojnë vëmendje pa frikë dashurisë. Fundja sot u lejohet e askush nuk I paragjykon.
Lokalet përtej kapacitetit pritën cifte që ndoshta për herë të parë i kanë parë në dyert e tyre. Turizmi ngjate ndryshe, dyqanet po ashtu të mbushur plot. Në cdo cep të qytetit të zinin sytë të njëtën skenë. Burra të krekosur, flokë me xhel e duar në xhepa ecnin plot ego përkah grave të ngarkuara me dhurata, ashtu sic cdo ditë ngarkohen me punë të rëndomta dhe me halle të mëdha. Dikush një lule, dikush një përqafim e tek tuk ilegalisht e me guxim një puthje shoqëruan dhe mbushën ditën më të rëndësishme të vitit. Gratë sot nuk tradhëtohen, as nuk rrihen, madje për ironi të fatit atyre, sot iu jepen lule: të paktën një ditë. Dhurata simbolike, trëdafila tek, kuti këpucësh, këmisha burrash, ora, dhe deri tek çorapet e grave shërbejnë si justfikim dashurie. Dikush një kafe, dikush një sufllaqe pa qepë, dikush një pije, e dikush e ka lënë të festojë në darkë. Të tjerë përdorën piceritë ku me një “4 stinët” 2 çifte kaluan një ditë ndryshe. Të gjithë sot u përpoqën por vetëm sot të paktën sipas mundësive.
Pasditja gradualisht ftohet e dielli tërheq një nga një rrezet bujare të tij të cilat ngrohën dhjetra zemra që sot u deshën pa frikë. Dalë ngadalë ashtu sic rrezet e diellit furgonët duket se mbaruan qëllimin e tyre dhe u duhej të ktheheshin sërish andej nga erdhën, nga realiteti. Po në realitet do kthehen edhe gratë të cilat si relike do ruajnë fotot, kujtimet apo dhuratat që mori ditën e Shën Valentinit. Dielli perendoi duke e bashkë me të përfundoi një ditë e gjatë dhe ndryshe nga të tjerat. Për një pjesë të madhe të grave në fshat, të mbytur nga paragjykimet e të distancuar nga cdo pjesë e jetës moderne në të cilën jetojmë festa e tyre mbaron porsa shkel në pragun e derës duke ua lënë rradhën shtresës “qytetare” që harbohen natën duke shpenzuar në restorante të shtrenjta dhe duke krijuar një kontrast me atë cka ndodhi ditën.
Sot me të vërtetë ishte një ditë e vecantë, po nesër? Nesër sërish punët e rënda, dhuna ndaj tyre e barra e rëndë e familjes mbi shpinën dhe fuqitë e tyre.
DibraOn.com